E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria shpëton nga përmbytjet zonën muzeale të Beratit

Afrimi i stinës së dimrit shtoi së tepërmi rrezikun e përmbytjes së lagjes "Goricë" në qytetin e Beratit, si rezultat i mbushjes së shtratit të lumit Osum me aluvione. Pas kërkesave të bëra herë pas here nga ana e bashkisë rreth këtij problemi, ka qenë Ministria e Mbrojtjes që i është përgjigjur thirrjes, duke dërguar mjetet e veta për të mundësuar largimin e mijëra metrave kub aluvione, të cilat kishin ngushtuar shtratin e lumit Osum. Grumbullimi i aluvioneve të ngurta në segmentin midis dy urave (asaj të "Goricës" dhe urës së varur) ishte kthyer në një rrezik evident për përmbytjeje, duke bërë që ujërat e shumta të lumit të vërshonin në lagjen muzeale të "Goricës". Pikërisht duke marrë parasysh përmbytjet e viteve të kaluara dhe dëmet e shkaktuara prej tyre, drejtuesit vendorë kishin hartuar një projekt për largimin e aluvioneve dhe pastrimin e shtratit të lumit. Sipas burimeve nga Bashkia Berat, pas pamundësisë financiare të kësaj bashkie për të ndërhyrë duke pastruar shtratin e lumit, është kërkuar bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe kjo e fundit e ka mirëpritur kërkesën, duke dërguar mjetet e saj për largimin e aluvioneve nga shtrati i lumit. Nga ana e pushtetit vendor është marrë përsipër pagesa e karburantit që do të nevojitet për këtë operacion dhe akomodimi i punonjësve që do të përfshihen në të. Sipas specialistëve të bashkisë, kjo punë, në rast se do të kryhej nga firma private nëpërmjet tenderimit, do të kishte një kosto prej rreth 8 milionë lekësh të reja, ndërsa me ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes kostoja u reduktua në rreth dy milionë lekë.

Mi.Ha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›