E Diel, 1 Nëntor 2026

459 përgjimet që çmontuan grupet kriminale

Krimet e Rënda bëjnë rezymenë e punës me vlerësime dhe kritika. Analiza vjetore, debatet që u zhvilluan nga gjyqtarët
Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë miratimin për 459 përgjime vetëm për vitin 2007. Statistika u bë publike dje në analizën vjetore që u zhvillua në ambientet e Hotel Tirana Internacional. Sipas kryetarit të kësaj gjykate, Sandër Simoni, kërkesat për përgjime kanë ardhur në momente të ndryshme për persona të ndryshëm. Kryesisht numri i tyre ka arritur në këto shifra për të çmontuar shumë prej grupeve të strukturuara kriminale. Sipas Simonit, në pjesën më të madhe të rasteve ishin pranuar kërkesat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t’u realizuar përgjimet. Në analizën e djeshme bënë një rezyme të punës edhe kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda, Vangjel Kallço si dhe kryetari i Gjykatës së Apelit Ushtarak, Musa Halili. I pranishëm në analizë ishte dhe zëvendëskryetari Kreshnik Spahiu, i cili, përveç vlerësimeve, nuk ngurroi të lëshonte dhe vërejtje. Pas analizave, gjyqtarët diskutuan për një sërë pakënaqësish që kishin ata, duke folur për çështje konkrete, që kishin lidhje me drejtuesit e tyre si dhe në tërësi për Gjyqësorin.
Analiza
Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, u shpreh dje se gjyqtarët e Krimeve të Rënda janë më të monitoruarit dhe përgjithësisht kjo gjykatë ka dhënë shembuj pozitivë për Gjyqësorin në vend. Mirëpo problemi i kësaj trupe gjyqtarësh, sipas Spahiut, konsiston në dhëniet e dorëheqjeve shpesh herë të pamotivuara përballë gjykimit të dosjeve të grupeve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. “KLD-ja nuk ka pse të marrë vendim në orën 23:30 të natës për të deleguar gjyqtarë te Krimet e Rënda se rrezikohej procesi i Bandës së Lushnjës”. Kjo ishte një nga vërejtjet e Spahiut, duke u kujtuar gjyqtarëve që të motivuara duhet të jenë dhe shtyrjet pafund të seancave. Ndërsa kryetari i Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë, Sandër Simoni, pasi ka bërë rezymenë e punës së një viti, ka përmendur dhe rreth 13 kërkesa që ata do të ngrinin për zgjidhje, pasi i konsideronin si problematike. Më pak minuta ka marrë kryetari i Apelit, Vangjel Kallço, për shkak dhe të volumit të punës që ka Apeli. Ndërsa Musa Halili ka risjellë në vëmendje se tashmë Apelet Ushtarake kanë kohë që funksionojnë si seksione dhe po vijnë drejt zhdukjes për shkak të natyrës së çështjeve.
Pakënaqësitë
Më tepër të pakënaqur ishin gjyqtarët e Apelit të Krimeve të Rënda. Dhimitër Lara dhe gjyqtarja Saida Dollani i kërkuan publikisht kryetarit të tyre t’u shpjegonte se sa fonde kishte pasur në administrim dhe çfarë kishte bërë me to. Mirëpo asnjëri prej tyre nuk mori përgjigje nga kryetari Vangjel Kallço. Dhimitër Lara i propozoi dje Spahiut që mos t’u jepnin shumë pushtet kryetarëve të gjykatave, pasi në këtë mënyrë asnjëherë nuk do të kishim një Gjyqësor të paanshëm. Po kështu dhe ish-anëtari i KLD-së dhe aktualisht gjyqtar pranë Apelit të Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnocaj, hodhi idenë se Gjykatat e Krimeve të Rënda duhet të inspektoheshin për të parë cilësinë e gjykimit. Sipas tij, duhet të organizoheshin më shumë takime për të diskutuar për çështje tekniko-profesionale.

14 kërkesat e gjyqtarëve të Krimet e Rënda

1. Plotësimin më tej të kuadrit të plotë ligjor për Luftën Kundër Krimit të Organizuar.
2. Rishikimin e Kodit Penal për disa figura të veprave penale në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, si ato të trafikimeve
3. Përfshirjen në kompetencë të veprave të penale të rënda si vrasja e cilësuar, neni 79 KP, vjedhja me armë, neni 140 KP, vjedhja me armë me pasojë vdekjen, neni 141 KP së bashku me veprat penale të reja të KP.
4. Rishikimin e K.Pr.Penale dhe sidomos të raporteve gjykatë-palë, të disa afateve prekluzive dhe të afateve të paraburgimit dhe për të pandehurit që akuzohen për krime të rënda.
5. Njehsimin e praktikës gjyqësore nga ana e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për disa çështje të diskutueshme të praktikës gjyqësore të dy Gjykatave të Krimeve të Rënda.
6. Rishikimin e Ligjit “Për Avokatinë në RSH” dhe të Ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e Krimit të Organizuar”.
7. Miratimin e Ligjit “Për sigurinë në Gjykata”, i cili të përmbajë një kapitull të veçantë për sistemin e sigurisë në Gjykatat e Krimeve të Rënda, një strukturë të veçantë sigurie brenda organikës së kësaj Gjykate.
8. Rishikimin dhe miratimin të VKM-së “Për mbrojtjen e veçantë personale, familjare, pasurore të gjyqtarëve të Gjykatave për Krime të Rënda”.
9. Një shtesë në Ligjin 9110 dt.24.07.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda” në nenet 9,10, duke përcaktuar qartësisht përfitimet nga statusi i veçantë i gjyqtarit të Gjykatës për Krime të Rënda, si mbrojtjen dhe shoqërimin fizik, përfitimin e kredisë së banesës në rrethana lehtësuese dhe rimandatimin pas kalimit të afatit 9-vjeçar të 4 gjyqtarëve.
10. Interpretimin e shtesës në pagë për kushte të vështira si një shtesë në masën 10% pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë e jo 10% pagës sonë duke ruajtur nivelin e diferencës në pagë dhe të krahasueshme me pagën mujore të gjyqtarëve të tjerë në përputhje me nivelin e vështirësisë dhe rrezikshmërisë së funksionit.
11. Një shtesë në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.345 dt.02.09.1997 “Për pajisjen me pasaporta shërbimi” duke futur në kategorinë përfituese nga kjo e drejtë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
12. Një shtesë në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.112 dt.08.03.2001 “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve të rëndësishme shtetërore”, duke përfshirë në këtë kategori objektesh dhe Gjykatat për Krime të Rënda.
13. Kategorizimin e pagave të punonjësve të administratës gjyqësore të Gjykatës tonë sipas klasave të larta të pagës në përputhje me VKM nr.893 dt.22.12.2004 “’Për rritjen e pagave të punonjësve të institucioneve buxhetore” deri në daljen e përcaktimit të statusit të administratës gjyqësore dhe me parashikimin e një statusi të veçantë të tyre në kuadër të atij të administratës gjyqësore.
14. Hartimin e një rregulloreje të brendshme tip për gjykatat.

Çështjet që janë gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda
124 kërkesa për gjykim (çështje themeli)
266 Masa sigurimi
27 Kërkesa për sekuestro në bazë të LPGKO (gjyk. parandalues.)
459 Kërkesa në lidhje me përgjimet

91 Kërkesa të tjera penale
Nga këto:
7 Ekzekutim letër-porosie
3 Bashkim dënimesh.
1 Kundërshtim i vendimit të prokurorisë për mosfillim procedimi
9 Lejim kontroll banese
2 Njohje e vendimeve penale të huaja
15 Përjashtim trupi gjykues
33 Rivendosje në afat, zgjatje afati
18 Kundërshtim zgjatje afati
1 Sigurim prove
1 Transferim nga institucioni ku vuhet dënimi
2 Dhënie leje për transferim burgimi

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›