Spahiu: “Mos jepni dorëheqje për dosjet e bandave”
Në mesazhin drejtuar gjyqtarëve të pranishëm, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, vuri ne dukje nevojën e respektimit të të drejtave kushtetuese dhe ligjore në proceset penale në përqasje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sipas parimeve të së cilës drejtësia nuk identifikohet me dënime ekstreme. Sipas Spahiut, “çdo gjyqtar duhet të jetë i përgjegjshëm dhe do të inspektohet për çdo ditë burgim të dhënë pa të drejtë dhe çdo ditë lirie të pambështetur në ligj”. Në funksion të dhënies së drejtësisë dhe mbrojtjes së saj, gjyqtarëve u është kërkuar një kujdes i posaçëm në shqyrtimin e kërkesave penale në fazën e hetimeve paraprake si ato për masat e sigurimit apo lejet e përgjimit, vendimet për të cilat nuk duhet të kenë arsyetime mekanike, por një trajtim të plotë ligjor e lidhur me rastin konkret dhe individin e proceduar. Në mënyrë specifike u theksua rëndësia e përmbushjes së detyrimit kushtetues për të dhënë vendime të arsyetuara me logjikë të fortë juridike dhe të mbështetura në ligj dhe prova.
27 Shkurt 2008