E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta shqiptare, ja zonat në studim

Në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) po punohet për përgatitjen e dokumentacioneve përkatëse për zonat e caktuara studimore për zbulimin e naftës. Sipas burimeve në këtë agjenci, “zonat ende të pastudiuara janë blloqet e lira, si ato në zonat juglindore në Pogradec, Librazhd, zona jugperëndimore nga Vlora deri në Sarandë, Delvina, Erseka, Gjirokastra. Njëkohësisht, zona potenciale për studim dhe kërkim janë edhe ato që shtrihen nga Lushnja, Berati, Fieri, Mallakastra dhe deri në Vlorë, apo dhe nga zona Tiranë-Durrës deri në Lushnjë”. Kërkimet për naftë dhe gaz nga kompanitë e huaja nisën në Shqipëri me fillimin e pluralizmit politik, kur në fund të vitit 1991 u firmos e para marrëveshje hidrokarbure me kompaninë amerikane "Oçidental", e cila u pasua nga të tjera kompani të njohura si "Shell", "OMW" etj. Kërkimet janë shtrirë përgjatë gjithë kësaj periudhe në tokë e det, pasi ish-Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve përmes një studimi të hollësishëm, përcaktoi dhe blloqet për kërkim nafte dhe gazi në Shqipëri. Vlera e investimeve nga mbi 15 kompani të huaja gjatë gjithë këtyre viteve ka arritur në mbi 500 milionë USD. Aktualisht, në nxjerrjen e naftës punohet në zonat naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, e studiuar që në vitet '30 dhe më pas, ku rezervat gjeologjike të naftës në të vlerësohen, sipas specialistëve, në rreth 1,3 miliardë tonë naftë bruto, sasi e barabartë me 30 milionë tonë naftë ose në 6,5 miliardë USD, por që ende shfrytëzohet vetëm rreth 20 për qind e saj, për shkak të teknologjisë së nxjerrjes.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›