“Albtelekomi hedh këtë javë në treg kartat e reja me parapagim”
Albtelekomi javën e ardhshme do të hedhë në treg karta të reja me parapagim, duke zgjidhur kështu problemin e përkohshëm të numrit të vogël të këtyre kartave. Sipas burimeve nga Albtelekomi, kartat e mëparshme nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesat e performancës sipas standardeve dhe në këto kushte, kjo kompani ka kërkuar alternativa më të mira në lidhje me furnizimin e kartave. Albtelekomi bëri të ditur gjithashtu se ka arritur të sigurojë kontrata për furnizimin me këto karta, me kushte dhe cilësi më të mirë dhe një kampion i këtyre kartave tashmë është testuar, duke përmbushur kështu standardet e cilësisë. Nëpërmjet kësaj deklarate, Albtelekomi iu kërkon ndjesë të gjithë abonentëve për këtë shqetësim të trashëguar nga e kaluara dhe shpreson në mirëkuptimin e tyre. Gjithashtu, Albtelekomi shpreh vendosmërinë për rritjen në tregun shqiptar të përhapjes së rrjetit telefonik, me qëllim ofrimin e një shërbimi cilësor dhe konkurrues.
27 Shkurt 2008