E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, gati rritja e re e çmimit me 5 lekë

Tregtarët vendas paralajmërojnë për rritjen, që vjen si efekt ndërkombëtar. Çmimi i naftës bruto në bursë arriti 101 dollarë fuçia dhe asaj të përpunuar 920 dollarë/toni
Ervin Koçi

Shtrenjtimi i kostos së jetesës për shqiptarët duket se nuk ka të ndalur, për më tepër për mallra të cilat varen nga bursat dhe tregu ndërkombëtar. Pas shtrenjtimit të çmimit të bukës dhe energjisë elektrike, rritja e çmimit të hidrokarbureve duket e pashmangshme. Për herë të parë në bursat e huaja një fuçi naftë është shitur me 101 dollarë dhe situata për rritjen e çmimit të naftës pritet që shumë shpejt të përcillet edhe në tregun vendas. Grosistët dhe tregtarët vendas duken në një mendje të pyetur për këtë çështje, ku nuk ngurrojnë të thonë se rritja në tregun vendas mund të shkojë deri në rreth 5 lekë për litër, në rast se çmimet e naftës në bursat e huaja vazhdojnë të shënojnë rritje mbi 100 USD për fuçi. Në vazhdim të kësaj situate pritet që nafta D2 në tregun vendas shumë shpejt të ketë një çmim të ri prej 145 lekësh për litër, ndërsa nafta eurodiesel 150 lekë për litër dhe benzina po 150 lekë për litër. Aktualisht në vend nuk ka ndryshime në çmimin e shitjes me pakicë të naftës, por nga shoqata e importuesve të hidrokarbureve paralajmërohet se në vijim të kësaj situate mund të ketë reagime në treg.

Paralajmërimi

Sipas kryetarit të shoqatës së Importuesve të Hidrokarbureve, Viktor Nushi, që prej dy javësh në bursat e huaja ka pasur rritje të çmimit të naftës, edhe pse në tregun vendas nuk ka pasur asnjë reagim. Shkaku i mosndryshimit të çmimit mbeten rezervat e naftës me të cilat po punojnë importuesit, që janë të llogaritura deri për tre muaj furnizim. Por, sipas përfaqësuesve të grosistëve, shumë shpejt situata pritet të ndryshojë, gjithmonë në rast se këto rezerva shterin. “Në rast se bursat e huaja do të vazhdojnë të shënojnë rritje të çmimit të naftës, i menjëhershëm do të jetë edhe reagimi në tregun vendas”, - thotë Viktor Nushi. Duke qenë se çmimet e naftës bruto po ankorohen në mbi 100 USD për fuçi, atëherë rritja në tregun vendas do të jetë e pakontrolluar. Por duket se e vetmja arsye, e cila po mban të frenuar grosistët vendas, janë rezervat e naftës me të cilat ata po punojnë, që të përfundojnë shumë shpejt. Po ashtu, nga grosistët mësohet se çmimi i shitjes së naftës së përpunuar prej javësh ka shënuar rritje. Sot, çmimi i naftës së përpunuar është 920 dollarë për ton. Në krahasim me ditët e mëparshme, çmimi i naftës së përpunuar është rritur me 80 dollarë për ton. Por në këtë situatë sërish nga ana e grosistëve kërkohet që qeveria të ndërhyjë në uljen e barrës fiskale, një faktor ky i cili do të ndikonte në uljen e çmimeve. Për shumë specialistë të bursave ndërkombëtare, çmimi 100 dollarë për fuçi nuk është një limit që nuk mund të tejkalohet. Moti i keq në Amerikë si edhe trazirat në shumë vende që njihen si burimet kryesore të ofertës së naftës në botë, mund ta shtyjnë çmimin drejt nivele të reja. Për sa i përket ekonomisë shqiptare, megjithëse ajo nuk paraqet një varësi të madhe ndaj karburanteve, efektet zinxhirë janë të pashmangshme. Rritja e kostos së prodhimit që vjen si rezultat i shtrenjtimit të naftës në tregun vendës, mbetet e pashmangshme.

Efektet e rritjes

Rritja e numrit të automjeteve në tregun shqiptar ka rritur dukshëm konsumin e karburanteve në treg nga muaji në muaj. Sipas burimeve zyrtare të INSTAT-it, rezulton se në fund të muajit dhjetor 2007, indeksi i volumit të shitjeve të karburanteve me pakicë u rrit 26.6 për qind më shumë se një muaj më parë, kur dhe u vu re një prani e shtuar e automjeteve të ardhura së bashku me emigrantët në festat e fundvitit. Ndikimi kryesor i rritjes së dukshme të shitjeve me pakicë të karburanteve vjen nga dy tregje, ai i automjeteve si dhe nga karburantet për ngrohje. Në vitet e fundit, numri i automjeteve në vendin tonë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Sot numërohen rreth 300 mijë të tilla, që përbëjnë konsumuesin kryesor të karburanteve. Por gjithashtu, konsumi i rritur i karburanteve në shitjet me pakicë vjen dhe nga tregu i ngrohjes, i përdorimit në serrat etj. Në të gjithë vendin numërohen mbi 1 mijë pika të tregtimit me pakicë të karburanteve.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›