E Diel, 1 Nëntor 2026

46 mln euro fatura e legalizimeve. Ish-pronarët: Janë paratë tona

Fatura e kompensimit të pronarëve për tokat e zëna nga ndërtimet pa leje është 46 milion euro. Rreth 100 mijë vendimet e dhëna deri më tani për legalizimin janë njëkohësisht edhe njohja ligjore që shteti i ka bërë kësaj fature.

"Rreth 46 milionë shteti shqiptar tashmë duhet tia kishte paguar këtyre 1688 personave, sepse ligji i legalizimeve parashikon qe brenda nje periudhe 6-mujore nga data e publikimit ne Fletoren Zyrtare të këtyre vendimeve të Këshillit të Ministrave, pronarët duhet të kishin marr paratë e tyre ", thotë Myrshit Vorpsi, sekretar i shoq “Pronësi me Drejtësi”.

Kjo vlerë që ligji e njeh ende nuk ka shkuar tek pronarët pasi qeveria nuk ka aftësi paguese. Shumat e parashikuara në buxhetin e shtetit për kompensim janë shumë më pak.

"Për vitin 2010 nga buxheti i shtetit për kompensimin e pronarëve, pra totali i shumës është 23 milionë euro. Për vitin e ardhshëm në planin afatmesëm parashikohet 26 milionë euro, dhe për gjithë këtë katër vjecar planifikohen në total rreth 146 milionë euro për kompensimin e pronarëve. Ku do të marrin paret si pronarët që do kompensohen për efekt të ligjit për kompensimin, ashtu dhe pronarët që do shpronësohen për efekt të legalizimit. Nëse do të marrim vetëm dy vitet e para shifrat nuk mjaftojnë vetëm për të paguar këto 46 milionë euro", vijon Vorpsi.

Ngatërresat me pronat shtuar edhe problemet që sjell legalizimi e kanë bërë situatën e pronës në Shqipëri gati të pazgjithshme, kurse pronarët pothuaj të pashpresë. "Në fillimet e veta kur është bërë ligji i parë për kthimin dhe kompensimin e pronës pronarëve i vodhën tokën duke i ofruar kompensimin. Tani me ligjin për krijimin e fondit special po i vjedhin dhe kompensimin duke i ofruar pafundësi në vite e në shekuj të kompensimit të tyre", tha ai.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›