46-vjeçarja tenton t’i japë fund jetës me fostoksinë
KRUJË – Një 46-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës duke pirë një substancë helmuese, por ndërhyrja e shpejtë e të afërmve dhe mjekëve e ka përmirësuar gjendjen e saj shëndetësore. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 11, shtetasja H.K., lindur në fshatin Barkanesh të Rrethit të Krujës, ka pirë lëndë helmuese (e llojit fostoksinë). E helmuara është dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas mjekimeve të marra, 46-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Arrestohet 25-vjeçari, qëlloi me armë në lokalin e deputetit
ELBASAN – Një vit pas ngjarjes, kur qëlloi me armë zjarri në lokalin e deputetit të Peqinit, policia ka arrestuar autorin e akuzuar për këtë vepër penale. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se është prangosur shtetasi Kledi Hasani, 25 vjeç, pasi akuzohet se ka gjuajtur në drejtim të lokalit të vëllezërve Kosta në qytetin e Peqinit dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Gjykata kishte vendosur “arrest me burg” për Hasanin, por vetëm mëngjesin e djeshëm është bërë e mundur prangosja e tij. Drejtoria e Policisë së Elbasanit njoftoi se Kledi Hasani, lindur dhe banues në Rrogozhinë, akuzohet për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”. I riu, së bashku me persona të tjerë, nën efektin e alkoolit, ka qëlluar në drejtim të lokalit me emrin “Kosta”, i cili është në pronësi të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë.
7 Dhjetor 2008