LSI: Qeveria mashtroi 300 mijë shqiptarë për legalizimet
Lëvizja Socialiste për Integrim ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit “Për legalizimet”, të propozuar nga qeveria dhe t’u votuar në Kuvend nga maxhoranca. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha se rrëzimi i këtij ligji e nxjerr kryeministrin Berisha si mashtrues në sytë e të gjithë shqiptarëve. Prifti e akuzoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij se mashtruan 300 mijë shqiptarë duke u premtuar legalizimin e shtëpive dhe të pronave të tyre. “Rrëzimi i këtij ligji e nxjerr Berishën plotësisht një mashtrues para gjithë atyre shqiptarëve që kanë shpresuar se do të kishte një proces legalizimi nga kjo qeveri. Dhe nuk janë pak, por janë 300 mijë procese legalizimi në të gjithë Shqipërinë. Dhe minimalisht janë plot 300 mijë shqiptarë, të cilët mashtrohen përsëri nga qeveria ‘Berisha’, për të cilët ky proces është shumë larg dhe i pamundur për t’u bërë nga kjo qeveri brenda kandidatit të saj”, - tha Prifti. Nënkryetari dhe deputeti i LSI-së dënoi përpjekjet e qeverisë për ta politizuar procesin e legalizimit. “Sepse Berisha donte që ALUIZNI të kalonte në një sitë partiake të Shaban Memisë këto 300 mijë legalizime në Shqipëri. Pra synimi i tyre ishte që të gjithë këtë njerëz në nevojë të kushtëzoheshin të bëheshin patjetër me PD-në dhe Berishën”, - tha Prifti.
7 Dhjetor 2008