E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Çështja “Basha”, Berisha, avokat i korrupsionit dhe i të korruptuarve



Shaban Sulçe

Partia Socialiste e akuzon kryeministrin Berisha se është kthyer sërish në avokat të korrupsionit dhe të të korruptuarve në Shqipëri. Duke iu referuar çështjes “Basha”, selia rozë kërkon nga kryeministri Berisha që të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, por të lejojë organet që të zbardhin aferat korruptive të çështjes “Durrës-Kukës”. Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë së PS-së, Arta Dade, tha se opozita dhe opinioni publik kërkojnë me insistim zbardhjen e çështjes për zhdukjen e fondeve në rrugën “Durrës-Kukës”. Ajo e akuzoi ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, se po abuzon me dikasterin që drejton, duke e vënë në funksion të mbrojtjes së tij personale. “Opozita dhe opinioni publik kërkojnë zbardhjen e çështjes për zhdukjen e fondeve në rrugën “Durrës-Kukës”. Kjo nuk mund të ndodhë as duke abuzuar me foltoren e Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbrojtje personale, as duke sulmuar opozitën me shpifje dhe fyerje dhe as duke sfiduar institucionet e Drejtësisë, me mosbindje të procedurave ligjore”, - tha ish-ministrja e Punëve të Jashtme në qeverinë socialiste, Arta Dade.

Akuzat
Dade denoncoi refuzimin e ministrit Basha për të shkuar përpara organeve të Drejtësisë, edhe pse ai është akuzuar për zhdukjen e miliona eurove. Deputetja socialiste akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se po mbrojnë korrupsionin dhe një ministri të paditur për korrupsion. “Ç'është kjo qeveri që bëhet strehë e një ministri të penduar, që nuk u përgjigjet çështjeve ligjore ashtu sikurse e kërkon Kushtetuta dhe ligji, që nuk i njohin atij ndonjë dallim nga shtetasit e tjerë? Sali Berisha dhe ministri i tij i pandehur kanë zgjedhur të mbrojnë korrupsionin, duke e shndërruar qeverinë në strehë azilantësh për ata që i ikin drejtësisë. Kjo qeveri është një rrezik publik”, - tha Dade. Deputetja socialiste kundërshtoi tendencën dhe planet e qeverisë për ta politizuar çështjen “Basha”, gjë e cila, sipas saj, nuk ndihmon në zbardhjen e së vërtetës. “Kjo nuk i shërben opinionit publik, por i shërben të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë korrupsion galopant të përmasave të frikshme. Të kërkosh zbardhjen e së vërtetës do të thotë t'u shërbesh interesave të vendit. Ta konsiderosh këtë kërkesë si antikombëtare do të thotë të fshihesh pas simbolit kombëtar dhe të mbulosh këtë aferë korruptive nga më të mëdhatë, pa dyshim më e madhja dhe më e frikshmja e të gjithë periudhës së tranzicionit”, - vijoi Dade.

Manjani
Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, hodhi poshtë deklaratat e deputetit të PD-së Aldo Bumçi dhe kancelarit të gjykatës, të cilët kishin mohuar akuzat e bëra për manipulim të shortit të gjyqtarëve për gjyqin ndaj ministrit të akuzuar për korrupsion, Lulzim Basha. Manjani tha se Partia Socialiste nuk tërhiqet nga akuzat e saj për manipulim të këtij procesi, ndërkohë që ai i bëri thirrje qeverisë që të ndalë sulmin dhe kundërvënien ndaj sistemit të drejtësisë. “Ne përsërisim se ndryshimi i gjyqtarit për të pandehurin Lulzim Basha me një gjyqtare militante të Partisë Demokratike dhe caktimi për dosjen e sekserit serb të Këshillit të Ministrave i një tjetër gjyqtari militant të Partisë Demokratike, që merret nga të miturit për të gjykuar Fazlliçin, përbëjnë një çfazim të plotë në marrëdhëniet e kësaj qeverie me ligjin. Kjo qeveri i është kundërvënë hapur Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë është kthyer hapur në një vegël të klanit Berisha, për t'u mbrojtur nga Drejtësia”, - tha Manjani.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›