Grabitja e kazinosë një javë më parë, arrestohet Klodian Xhemalaj
Kavajë – Grabitja me armë e një kazinoje, tetë ditë më parë, ka edhe një tjetër autor të dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës, pas ndodhjes së vjedhjes me armë të kazinosë “Apex”, pasi kryen një punë intensive hetimore arritën të identifikojnë edhe autorin tjetër të dyshuar të kësaj vjedhjeje. “Pas identifikimit dhe shpalljes në kërkim të 31-vjeçarit Marko Kumaraku, i cili pritet të ekstradohet nga Greqia për në Shqipëri, dje u realizua identifikimi dhe kapja e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje”, - sqaroi policia. Autori tjetër rezulton të jetë 23-vjeçari Klodian Xhemalaj, lindur dhe banues në Berat, i proceduar më parë për kryerjen e një sërë veprave penale si: vjedhje, armëmbajtje pa leje, trafikim të lëndëve narkotike. Ndaj tij u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale “vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
I masakruari Erion Shuke kishte ardhur një javë më parë nga Greqia
BERAT – Policia e Beratit ka identifikuar kufomën që u gjet dje paradite. I ndjeri është 30-vjeçari Erion Shuka, i cili, sipas uniformave blu, ka mbërritur në vendlindje nga Greqia vetëm një javë më parë. Nga verifikimet e kryera në trupin e viktimës rezulton se vdekja e tij ka ardhur pasi ai është qëlluar me armë zjarri. Policia ka nisur hetimet dhe mendohet se shkak për ngjarjen mund të jetë ndonjë konflikt i mundshëm i mbartur nga qëndrimi i viktimës në Greqi. Trupi i pajetë u gjet rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, në bregun e lumit Osum, në fshatin Moravë të Rrethit të Beratit. Ka qenë një banor i zonës që ka parë në bregun e lumit trupin e pajetë dhe menjëherë ka njoftuar policinë. Ekspertët e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të një personi të seksit mashkull, veshur me pantallona xhins dhe një pulovër. Nga konstatimet e para është mësuar se viktima kishte humbur jetën si pasojë e goditjes me mjete të forta, ndërsa gjatë verifikimeve u konfirmua se ishte qëlluar me armë zjarri. Trupi pa jetë është dërguar më pas në Morgun e Spitalit të Beratit ku nisën hetimet për të identifikuar viktimën e gjetur dhe për të mësuar shkaqet e vdekjes. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar konfliktet e mundshme të 30-vjeçarit.
7 Dhjetor 2008