E Shtunë, 31 Tetor 2026

47 milionë lekë për ndriçimin rrugor

28/12/2008  Pakt në bashki për ndryshimin e një takse, rrëzohen 2 propozime

Bashkia e Durrësit ka bërë të gjitha përpjekjet që të bindë këshilltarët në arsyet që e kanë shtyrë të kërkojë ndryshimin e taksave, duke rritur në këtë mënyrë edhe detyrimin e familjarëve për të paguar më shumë para për llogari të bashkisë. Pas dështimit të mbledhjes së radhës së këtij këshilli, kryetari i Bashkisë Vangjush Dako ka vendosur të bisedojë kokë më kokë me të djathtët me synimin për t’i bindur. Një javë më parë mbledhja ka degjeneruar në sherr, që është provokuar nga administratorë të Bashkisë. Konkretisht është synuar të miratohet paketa fiskale që do t’i hapte rrugë projektbuxhetit për vitin 2009. Konsensusi që ka marrë Dako te një pjesë e anëtarësisë së djathtë të këshillit duket se nuk ka funksionuar, pasi ai është detyruar të tërhiqet për të gjetur gjuhën e marrëveshjes. Gjithçka ka ngecur te këndvështrimi i së djathtës dhe së majtës. Socialistët kanë qenë të mendimit për të rritur detyrimin e familjarëve, kurse të djathtët e kanë mohuar këtë projekt. Në logjikën e administratës socialiste taksa e pastrimit nga 1000 lekë duhej të rritjen në 1600 lekë në vit dhe taksën e gjelbërimit nga 200 lekë në 300 lekë. Por Bashkia ka vendosur të shkojë edhe më tej në politikën e taksave, ngase me fillimin e vitit 2009 qytetarët do të paguajnë për të parën herë 200 lekë taksë ndriçimi. Bashkia dhe departamenti i taksave e tatimeve nuk ka afruar asnjë relacion lidhur me politikën e pakestës fiskale, ndërkohë që e djathta ka thënë se do të votojë kundër projektit. Por pas dështimit të takimit të parë Bashkia i ka bërë të gjitha llogaritë. Një pjesë e këshilltarëve që do të votonin kundër nuk kanë qenë të pranishëm, kurse të tjerë janë thyer në kohën që është kërkuar pushim. E djathta përfundimisht ka vendosur të mos e kthejë duar bosh kryetarin e Bashkisë. Ajo ka pranuar të miratojë vetëm taksën e ndriçimit, taksë e cila vendoset për të parën herë për qytetarët, pavarësisht nëse ata në lagjet e rrugicat e tyre kanë apo jo ndriçim. Kjo taksë është 200 lekë dhe do të jetë një tjetër detyrim shtesë për qytetarët. Dako ka pohuar se Bashkia shpenzon në një vit 47 milionë lekë për ndriçimin dhe se arka e saj e ka shumë të vështirë të përballojë këtë kuotë të lartë të detyrimit. Nga ana tjetër, këshilltarët kanë refuzuar të kalojnë me kartonin jeshil rritjen e taksës së gjelbërimit dhe taksës së pastrimit. Këto të fundit do të qëndrojnë edhe për vitin 2009 në të njëjtat kuota që kanë qenë deri tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›