47 të vrarë si pasojë e luftimeve në Kabul

Pas më shumë se 18 orë luftimesh, qeveria afgane dhe forcat e sigurisë kanë njoftuar se terroristët që kryen sulmet e djeshme në Kabul janë eliminuar.
“Të gjithë atentatorët talebanë, që morën pjesë në sulmet e koordinuara dje në Kabul kundër Parlamentit dhe zonës së ambasadave diplomatike janë vrarë dhe luftimet kanë përfunduar”, bënë të ditur burime të sigurisë afgane.
“Dy ndërtesat në të cilat strehoheshin terroristët janë marrë nën kontroll dhe janë të sigurta”, deklaroi në një konferencë shtypi zëdhënësi i ministrit të Brendshëm afgan, Sediq Sediqqi.
Luftimet e pasdites së djeshme në Kabul dhe në tri provinca të tjera afgane kanë shkaktuar të paktën 47 viktima. Mes tyre, 36 janë talebanë, 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 3 civilë.
Talebani i fundit është vrarë në orët e para të ditës së hënë.