48 ndeshjet miqësore të Shqipërisë
Miqësorja e djeshme me Azerbajxhanin është e 48-a për Shqipërinë dhe e treta për Ari Hanin si trajneri i përfaqësueses i saj. Shqipëria ka zhvilluar deri tani 46 ndeshje miqësore të njohura zyrtarisht nga FIFA, edhe pse përfaqësuesja jonë ka zhvilluar të paktën më shumë se 30 ndeshje që FIFA nuk i ka në rekordet e saj. Miqësorja e parë (e panjohur nga FIFA) është ajo kundër Malit të Zi në vitin 1945. Çuditërisht, miqësorja e parë e jona e njohur nga FIFA është ajo kundër Kubës (0-0), ndeshje e zhvilluar në stadiumin “Tomori” të qytetit të Beratit, më 6 gusht 1988.
Nga 48 ndeshjet miqësore e përfunduara deri tani (vetëm 20 prej tyre janë zhvilluar në Shqipëri, ndërsa 28 ndeshje janë zhvilluar jashtë vendit, ndërkohë që disa prej tyre kanë qenë pjesë e turneve si ato “Rothmans” në Maltë, Bahrein apo në Norçia të Italisë.
FITORET
Duke parë treguesit e miqësoreve, Shqipëria ka mundur të fitojë 16 prej tyre, ku 14 herë ka qenë pritëse dhe vetëm dy në transfertë. Miqësoret më të thella të fituara janë ato kundër Vietnamit (5-0) në turneun e Norçias, më 12 shkurt të vitit 2003 dhe ajo kundër Turqisë në Gaziantep, më 21 janar 1998, me rezultatin e thellë 4-1. Kjo është edhe miqësorja e dytë e fituar jashtë, së bashku me atë të fituar në “Ta’Qali” të Maltës me rezultatin 1-0, në kuadër të Turneut “Rothmans”. Miqësore të rëndësishme të fituara janë dhe ato kundër Suedisë (2-1), Islandës (2-1) apo Greqisë 1-0 në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë më 29 janar të vitit 1992. Miqësorja e fundit e fituar është ajo kundër Lihtentshtejnit (2-0).
BARAZIMET
Shqipëria ka dalë e barabartë me kundërshtarët në 12 takime, 3 prej tyre në Shqipëri: Kuba (0-0), Qipro (0-0) dhe Gjeorgji (0-0). Shqipëria ka luajtur edhe një ndeshje si pritëse në turneun e Bahreinit, kundër Finlandës, me të cilën ka barazuar 1-1. Në ndeshjet jashtë, spikat barazimi me Letoninë 2-2, më 10 shkurt 1992, kur të dy vendet merrnin pjesë në Turneun “Rothmans” në Maltë. Barazime janë arritur me Estoninë (1-1), Luksemburgun (0-0), Maqedoninë (0-0), Maltën (1-1), Greqinë (1-1) dhe Bosnjë-Hercegovinën (0-0). Barazimi i fundit është ky me Azerbajxhanin (1-1) në Baku (19 nëntor 2008), ku golin për Shqipërinë e shënoi Ervin Skela.
HUMBJET
Janë 20 të tilla, duke filluar nga ajo e Rumanisë në Konstanca, më 20 shtator 1988 (3-2) e deri te ajo e 27 majit 2008, kur humbëm 1-0 me Poloninë në Reutligen të Gjermaninë. Humbja më e thellë është ajo me Maqedoninë (5-1) në Tetovë, më 14 maj 1994, më pas vjen ajo me Meksikën (4-0) në San Diego të Shteteve të Bashkuara. Shqipëria ka humbur edhe një rezultat të bujshëm 5-3 me Portugalinë, ndërkohë që pjesën e parë e kishim mbyllur 2-1 në favorin tonë.
20 Nentor 2008