Një “007” në kërkim të hakmarrjes vjen në Tiranë
Agjenti 007 është i plagosur në krenarinë e tij pasi është tradhtuar nga Vesper, gruaja që dashuronte. Ai vuan dhe ndihet i pavlerë. Ky është imazhi i fundit që publiku ruan për Bondin nga “Casino Royale”, filmi i vitit 2006. Pikërisht këtu vetëm disa minuta më pas vazhdon “Quantum of Solace”, filmi i 22-të i Bondit, i cili është i pari që shënon një vazhdimësi të tillë nga njëri film te tjetri në të gjithë historinë e sagës më të njohur kinematografike në botë. Por vijimi nuk është aq dëshpërues sa fundi i filmit të kaluar. Bond është në një mision personal dhe hakmarrës për të marrë vesh me çdo kusht se si ndodhi tradhtia. Por sigurisht që misioni nuk do të mbetet kaq personal, përderisa gjatë kërkimeve të tij “agjenti 007” do të zbulojë gjurmët e një organizate kriminale që ka për qëllim të marrë kontrollin e një prej burimeve natyrore më të rëndësishme në botë dhe që për të arritur këtë gjë është gati të bëjë gjithçka. Në gjithë këtë histori, patjetër që do të ketë dy vajza të ashtuquajtura Bond Girl, njëra hakmarrëse sa ai vetë, ndërsa tjetra e ëmbël dhe joshëse. Kështu vetëm pak ditë pas premierës amerikane, vjen edhe në ekranin e madh të metropolit shqiptar seria më e fundit e agjentit 007. Premiera, siç njofton zyra e shtypit e kinemasë “Millenium”, do të jepet më 25 nëntor. Publiku shqiptar do të ketë mundësinë të ndjekë filmin në kinema në të njëjtën kohë me publikun e huaj. Së pari do të realizohet që sot një premierë me të ftuar të posaçëm, fansa shqiptarë të agjentit dhe bëmave të tij, si dhe dashamirës të kinemasë, të cilët në mbrëmje do të shohin projeksionin e parë të filmit në “Millenium II”. Pas kësaj premiere, që nga data 25 nëntor filmi do të nisë të shfaqet për publikun e gjerë. Një lumë i vërtetë dollarësh është derdhur për një realizim të tillë. Ashtu siç pritej, filmi ka pasur sukses të madh te publiku. Pas premierës së tij më 31 tetor në Angli, vetëm në fundjavën e parë janë arkëtuar mbi 8 milionë dollarë duke thyer rekordet e box office-ve britanike. Suksesi po vazhdon edhe në Europë e SHBA, ku filmi është shfaqur premierë më 14 nëntor. Shifrat tregojnë të ardhura deri në 70 milionë dollarë, por arkëtimet po rriten dita-ditës. Edhe kritika nuk ka mbetur pas me vlerësimet e saj (77% e 30 kritikave të listuara në sajtin Rotten Tomatoes janë pozitive).
Skeda e filmit
Titulli: Quanturm of Solace
Regjisor: Marc Foster
Skenari: Paul Haggis, Neal Purvis
Gjinia: Aksion, aventurë, triller
20 Nentor 2008