E Diel, 1 Nëntor 2026

“Spanja dhe Shqipëria, të afërta, por të panjohura...”

EKSKLUZIVE/ Flet ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio

Petrika GROSI
Spanja dhe Shqipëria, dy vende me tradita të ngjashme tipike mesdhetare, kaq të afërta në mjaft tradita e zakone dhe për fat të keq kaq të panjohura... Sidomos kur flasim për imazhin e Shqipërisë në Spanjë, ai nuk është as i mirë dhe as i keq, por thuajse inekzistent. Të paktën ky është mendimi i ambasadorit të Spanjës në Tiranë, z. Manuel Montobio, i cili ka pranuar të flasë ekskluzivisht për gazetën “Albania” në intervistën që vijon, të zhvilluar me shkëlqesinë e tij ditën e djeshme në mjediset e Ambasadës të Mbretërisë së Spanjës në Tiranë.

Z. Montobio, prej gati dy vitesh ju jeni ambasador i Spanjës në Tiranë. Punoni dhe jetoni këtu. ǒmund të thoni për këtë eksperiencë?
Po, është e vërtetë, madje jam i pari ambasador rezident në Shqipëri. Për mua kjo kohë përbën një përvojë tepër pozitive, sa individuale, aq dhe profesionale. Shqipëria është një vend tipik mesdhetar, rrjedhimisht ka një harmoni të kënaqshme për mjedisin spanjoll. Kultura spanjolle shihet këtu në bazë të një paragjykimi të mirë, të cilin sajë punës tonë, kemi për detyrë që ta shndërrojmë në një gjykim të bazuar. Në këtë kuptim, Shqipëria është një zbulim interesant, tepër joshëse. Veç të tjerash, kam kënaqësinë të ngre bazat e para të një ambasade në një vend që ka qenë i mbyllur nga komunizmi. Gjithçka që zhvillohet këtu është diçka që ndikon në mënyrë fondamentale në marrëdhëniet mes dy shteteve tona. Tashmë jemi ende në fazat fillestare, ato të prezantimit më të thellë të Spanjës në mjedisin shqiptar. Kjo do të ndikojë në përshëndoshjen e marrëdhënieve të mira në të ardhmen mes Shqipërisë dhe Spanjës.

Çfarë nënkuptuat teksa përmendët fjalën paragjykim?
Dua të them idenë e formuar që krijohet nga jashtë te një popull mbi tjetrin. Spanja është një vend i njohur, me një imazh të mirë në Shqipëri. Të gjithë thuajse e njohin Spanjën, por kjo është një njohje që duhet thelluar, çka përbën dhe sfidën tonë parësore. Ndërsa në rastin e Shqipërisë në Spanjë, sfida nuk qëndron në faktin e të pasurit apo jo një paragjykim, por në të pasurit një imazh. Shqipëria është shumë e panjohur në Spanjë dhe në këtë drejtim gjendja ndryshon pak. Sfida juaj është që ta bëni Shqipërinë të dëgjohet në Spanjë. Sa u takon paragjykimeve, atje besoj se nuk ka ndonjë paragjykim, as negativ, as pozitiv. Kjo mendoj që mund të jetë edhe përparësi për vendin tuaj, pasi nuk ka pse të paraqitet para spanjollëve domosdoshmërish Shqipëria e djeshme, por kjo e sotmja. Keni çdo mundësi dhe të gjitha portat e hapura drejt së ardhmes.

Cilat janë lehtësitë apo mbështetja që ju jepni për t’i ndihmuar artistët shqiptarë, në mënyrë që kultura e vendit tonë të njihet edhe në Spanjë?
E para gjë që dua të them është se detyra e parë që ka Ambasada e Spanjës në Tiranë është që ta bëjë të njohur Spanjën, kulturën dhe politikat e saj në Shqipëri. Afirmimi i artistëve shqiptarë në Spanjë dhe njohja e Shqipërisë në Spanjë është detyrë e përfaqësisë së Republikës së Shqipërisë në Spanjë. Ne mund të ndihmojmë, mund të kontribuojmë, por nuk mund të bëjmë detyrën që i përket ambasadës tuaj. Në këtë këndvështrim, edhe fakti që ne po zhvillojmë një fushatë intensive sa i takon zhvillimit të marrëdhënieve dhe njohjes kulturore mes dy vendeve, ndikon në këtë promovim të ndërsjellë, pasi çdo fundjavë këtu vijnë artistë të ndryshëm, të njohur në Spanjë, të cilët largohen me një përshtypje të mirë nga Shqipëria. Në këtë aspekt, aktivitetet që ne zhvillojmë në Shqipëri kanë tërhequr mediat spanjolle, të cilat kanë shkruar rreth kësaj eksperience të re. Megjithatë, ky është një efekt dytësor (anësor) i punës sonë, që konsiston të sjellim dhe ta bëjmë sa më të njohur Spanjën për shqiptarët.

E kisha fjalën për vështirësitë që hasin artistët shqiptarë për të dalë jashtë shtetit, duke filluar që nga fakti i thjeshtë, por i lodhshëm, ndonjëherë edhe i pamundur, i marrjes së vizave.
A ka ndonjë lehtësim apo përparësi nga ju për artistët shqiptarë?
Vështirësitë janë, por për këtë gjë është nënshkruar marrëveshja e lehtësimit të dhënies së vizave. Sfida qëndron në tërheqjen e vëmendjes dhe të interesit të institucioneve kulturore spanjolle nga artistët shqiptarë. Dua të them, promovimi i artistëve shqiptarë në Spanjë mbetet një përgjegjësi fondamentale e qeverisë shqiptare. Institucioni që duhet të përgjigjet për artistët shqiptarë është Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Në çdo rast, në Spanjë ka mjaft institucione kulturore, të cilat mund të kishin interes për artistët shqiptarë. Ajo që varet prej nesh është Spanja në Shqipëri. Çfarë ndodh në Spanjë është tjetër gjë, tjetër punë.

Çfarë ju ka impresionuar më shumë nga kjo njohje disavjeçare që keni me traditën, kulturën dhe artin në Shqipëri?
Për mua kjo marrëdhënie me vendin tuaj ka qenë një shans i mirë për të njohur kulturën shqiptare që është tepër e thellë dhe komplekse, me eksperienca historike e letrare. Situatat ekstreme historike të një vendi, natyrisht, shoqërohen dhe me krijime interesante letrare, apo të llojeve të tjera të artit. Janë disa figura të kulturës shqiptare, të cilat me të vërtet më kanë impresionuar. Nëse do të më duhej që të zgjidhja mes tyre një vepër dhe një figurë të madhe, do të zgjidhja pa dyshim shkrimtarin Ismail Kadare. Ai ka një vepër e cila lehtëson shumë kuptimin dhe njohjen me historinë e Shqipërisë. Duke e lexuar autorin, kam njohur pjesën më të madhe të veprës së Kadaresë. Është e vështirë të mendosh për një epokë të caktuar kur lexon romanet e Kadaresë. Ai është një intelektual, shkrimtar i madh, që ka ditur të japë me mjeshtëri dhe saktësi një realitet të caktuar historik e gjeografik, duke e futur në dimensione universale. Një shkrimtar që di të lidhë realitetet historike me problemet e reja dhe të vjetra, të kahershme e të përbotshme, të njerëzimit. Është një vepër që ndërlidh realitetin shqiptar me çdo lexues dhe që e bën Shqipërinë më interesante për t’u njohur nga çdo i huaj.

Me sa kam dijeni, nuk ju mungojnë njohjet e mira mbi historinë e Shqipërisë, Skënderbeun etj., apo jo?
Në çdo vend që kam punuar si diplomat, kam ecur me parimin që është e rëndësishme të njoh mirë historinë, të kaluarën dhe jo vetëm sipërfaqësisht, por edhe lidhjet e simbolet e një populli. Në këtë drejtim, Skënderbeu është pa dyshim një fenomen historik e jo vetëm kaq, por edhe simbolik. Ai është simbol i unitetit kombëtar, rezistencës dhe etjes për liri që kanë shqiptarët. Kam lexuar mjaft mbi historinë e Shqipërisë, por edhe në aktivitetet kulturore që ne zhvillojmë janë gjetur pikëtakime mes historisë shqiptare dhe asaj spanjolle. Vitin e kaluar zhvilluam një aktivitet të madh ndërkombëtar për të parë krijimtarinë e shkrimtarit Petro Marko, romanin e tij “Hasta la vista” dhe shqiptarët në Brigadat Internacionale gjatë Luftës Civile në Spanjë. Nesër (sot) do të zhvillojmë një seminar mbi marrëdhëniet mes Skënderbeut dhe Alfonsit Zemërmadh, mbret i Aragonit. Do të trajtohen historitë paralele të arbëreshëve dhe seferadinëve. Nëse Skënderbeu ishte njëkohësisht për të gjithë Europën simbol i një krishtërimi rezistent ndaj sulmit otoman, për Alfonsin e Aragonit aleanca me të ishte më shumë se kaq: elementi decisiv për të bërë që për kristianët Mesdheu të vazhdonte të ishte “Mare Nostrum”, ai në të cilin siç do të thoshte Admirali Roger de Lluria, në ditët e fitoreve të ekspansionit prej tij, të Mbretërisë së Aragonit “deri dhe peshqit për ta kaluar duhet të kenë emblemën e Mbretit të Aragonit”. Për herë të parë do të zhvillojmë këtu në Shqipëri edhe një koncert me muzikë sefaradine, por edhe arbëreshe.

Shqipëria gëzon një imazh të keq, të mirë, apo që vjen duke u përmirësuar në Spanjë?
Siç ju thashë, problemi është se Shqipërisë i mungon krejt një imazh në Spanjë. Për të nuk paragjykohet as mirë, as keq. Mbaj mend në rininë time, në kohën kur në Spanjë sundonte regjimi i gjeneralit Franko, se në të gjitha pasaportat tona shkruhej: “E vlefshme për të gjithë botën, me përjashtim të Mongolisë, Koresë së Veriut dhe Shqipërisë”. Gjëja e parë që kam menduar kur u propozova të hapja Ambasadën e Spanjës në Tiranë ishte pikërisht sesi do të qe ky vend i panjohur, i ndaluar për ne dhe i izoluar keq nga komunizmi më i egër në të gjithë Europën. Regjimi i Enver Hoxhës bëri që Shqipëria të mbyllej dhe të mbetej e panjohur për të huajt.

Çfarë prisnit të gjenit dhe çfarë gjetët në Shqipëri?
Nuk kisha një ide fikse, ndoshta përshtypja që kisha për vendin tuaj ka qenë më shumë e kondicionuar edhe nga njohjet e mia. Gjëja që dija më mirë ishte se Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë nën sundimin e njërit prej regjimeve më të egra komuniste ta njohura ndonjëherë. Duke konsideruar pikënisjen tuaj mendoja që dhe sfida do të ishte shumë më e madhe, por pasi erdha këtu ajo çka më befasoi ishte fakti se Shqipëria për ne spanjollët është një vend shumë më i afërt dhe më i dashur nga ç’mund të imagjinohet. Kemi shumë gjëra të përbashkëta, ose tepër të ngjashme si zakonet, mënyrën e jetesës etj. Jam i bindur që një fluks i mirë i njohjes së dyanshme mes vendeve tona do të çonte në bashkëpunime të frytshme në të ardhmen.

Hakmarrja, një ndër plagët sociale sot në Shqipëri, thuhet se bazat më të forta i ka pasur dikur në Spanjë, Napoli dhe Sicili. Si e keni zgjidhur ju këtë problem?
Nuk mendoj se hakmarrja ka qenë fenomen spanjoll. Në Spanjë nuk ekziston asgjë e ngjashme me Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe as me hakmarrjen. Le të sjellim në kujtesë këtu se monopoli i përdorimit të forcës nga shteti për të vënë drejtësi është konstituuar për herë të parë në Perandorinë e Spanjës. Fuqia e parë e madhe e kohëve moderne dhe armata e parë në Europë ishte ajo e Spanjës. Pra shteti ishte i fuqishëm dhe nuk kishte asnjë mundësi të vetëvendosjes së drejtësisë siç ndodhte në vendin tuaj me Kanunin. Në kohën e Skënderbeut Spanja kishte dërguar ushtarët e saj që të ndihmonin në luftën kundër turqve, natyrisht, në Spanjë kishte plot ushtarë të tjerë që mbanin rregullin.

Si ju duket ecja e Shqipërisë këto vite të tranzicionit: e kënaqshme, e mirë apo shumë e ngadaltë?
Këtu gjej të përshtatshme atë shprehjen “Si duhet parë gota, gjysmë plot, apo gjysmë bosh?”. Në këtë rast le ta shikojmë gotën gjysmë të mbushur. Në fakt, Shqipërisë i mbetet shumë për të bërë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në të gjitha organizatat ndërkombëtare si NATO, BE etj. Rruga është e vështirë dhe sfidat janë të mëdha, duhet punuar me vullnet dhe seriozitet të madh.

Sigurisht që ju nuk jeni Nostradamusi, por a mund të bëni një parashikim se kur do të hyjë vendi ynë në Bashkimin Europian?
Shqipëria do të hyjë në BE vetëm atëherë kur të tregojë para të gjitha shteteve të tjera europiane se i realizon detyrat dhe sfidat që shtrihen para saj, të cilat i diktohen nga marrëveshjet që janë nënshkruar, konventat dhe organizatat ndërkombëtare.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›