48 orë me çiftin e kalbur

Intervista / Regjisori Genti Bejko tregon për tentativën e parë në kinema me "Çiftin e përkryer", në zhanrin e mockumentarit: një ngjarje e sajuar që duket e vërtetë. Gjithçka e realizuar në 48 orë që do të konkurrojë në Festivalin e Los Anxhelosit
Filmi 7 minutësh "Çifti i përkryer", fitues i vendit të parë në "Tirana 48 hour Film Project", është përvoja e parë që 30-vjeçari Genti Bejko ka me regjinë filmike.
I ra për short mockumentary, një zhanër i filmit dhe televizionit. Nën drejtimin e tij dhe sipas skenarit të Koloreto Cukalit, luajnë aktorët: Salsano Rrapi, Xheni Hallulli, Artion Vreto, Xhoslin Rama, Koloreto Cukali, Klodian Qafoku. Bejko tregon për të papriturat e një filmi të bërë në 48 orë që do ta përfshijë në një garë ndërkombëtare, në Festivalin e Filmit 48-orësh në Los Anxhelos.
Genti, cila është historia e "Çiftit të përkryer"?
Është kronikë e një televizioni të vogël, pak limonatë. Një gazetar futet në shtëpinë e një çifti vip për të treguar sesa i përkryer është. Burri është këshilltar i ministrit, kurse gruaja është në një zyrë punësimi. Gjithçka është e sajuar. Nëse ndonjë çifti mund t'i djegë, nuk është faji ynë.
Është fjala për çiftet e kopertonave, atyre që jeta u shkon vaj dhe që kanë formulën ekzakte të një jete të lumtur.
Nëpërmjet këtij mockumentary, zbulohet si pa dashur që, së brendshmi, ky është një çift i kalbur. Nuk kanë fëmijë sepse nuk kanë dashur të bëjnë për shkak të karrierës.
E shesin veten sikur janë dashuria e parë e njeri-tjetrit, por del që burri vuan kompleksin që ajo dikur ka qenë prostituta e ministrisë. Mjafton syri i një kamere, që t'i nxjerrin horrllëqet njëri-tjetrit. Me pak fjalë është, si të thuash, kalbësia e një familjeje e cila ka në dorë fatet e njerëzve të tjerë.
Ndodh shpesh që veprat e para të jenë autobiografike. Me ty nuk ka ndodhur kështu?
Nuk kishte kohë për të bërë diçka autobiografike. Ti realizon një film për 48 orë me parametrat që vendos festivali. Plus që unë nuk kam punuar ndonjëherë në qeveri dhe gruaja ime nuk më ka bërë këshilltar ministri (Qesh).
Çfarë parametrash ju kërkoi Tirana Film Project?
Personazhi duhet ta kishte emrin Armend ose Ardiana Sulaj, duhet të ishte ose mashkull, ose femër, prandaj ishin dy emra. Duhet të ishte nëpunës qeveritar ose i një institucioni shtetëror. Në bazë të shortit mua më ra zhanri mockumentary.
E njihje këtë zhanër?
Si terminologji të jem i sinqertë nuk e njihja sepse nuk është se kam studiuar për film Gjithçka që di për filmin është prej pasionit të regjisë. Publiku i gjërë e njeh këtë zhanër nëpërmjet Boratit.
Për herë të parë rastisi të trajtohej në Shqipëri nëpërmjet 48orëshit ky lloj zhanri. Janë aktorë që luajnë disa personazhe jo realë nga jeta, siç ndodh në një dokumentar. Në momentin që ai jep intervistë dhe të krijon idenë se është një person konkret, ai faktikisht është aktori që po luan rolin.
Ku janë bërë xhirimet?
Në shtëpinë time. Madje ka qenë një klauzolë shumë e bukur në kontratën me festivalin, që duhet të merrje leje nga pronari i ambientit ku ti do të xhiroje dhe unë jam detyruar të bëj një kontratë me veten aty. Ambienti tjetër ka qenë në rrugë, në sfond është Skënderbeu, Xhamia, Bashkia. Kontrata parashikonte që në film duhej të dukej qyteti ku ti po e realizon.
Çfarë vlerash evidentoi juria?
Mënyrën sesi është realizuar, respektimin e zhanrit dhe përdorim e saktë të elementëve të kërkuara nga festivali. Përveç filmit më të mirë, Xheni Halulli fitoi çmimin për aktrimin më të mirë.
Sa kushtoi kjo aventurë?
Gjithçka ka qenë në mënyrë shoqërore. Nuk kemi menduar për shpenzime dhe shpenzime nuk ka pasur. Në momentin që njerëzit fillojnë e paguhen, në njëfarë mënyre e përjashton veten nga festivali. Në kontratë është gjithçka shumë e qartë.
Si e vlerëson Tirana 48 Hour Film Project 2010?
Filmi shqiptar nuk ka shumë alternativa festivalesh, sepse filma prodhohen pak. Fuqi njerëzore për të prodhuar filma ka, por hapësirat nuk janë të mëdha. Kjo ndodh në përgjithësi në fushën e kulturës e cila tek ne vazhdon të ngelet e parespektuar, në radhë të parë nga shteti.
Iniciativa e 48-orëshit më pëlqen sepse nuk ka lindur thjesht që njerëzit të provojnë të bëjnë filma, por që aty mund të marrë pjesë kushdo, nuk llogaritet nëse është profesionist apo është amator. Kjo ka edhe një qëllim tjetër, zbulimin e talenteve të reja, e njerëzve që prodhojnë ide të reja në fushën e kinematografisë.
Festivali më ka hapur nja dy dritare dhe tani që po i shoh me shumë vëmendje më japin mundësi për të prodhuar më tepër.
Gjëja që më ka dhembur më tepër ka qenë momenti i montimit, kur duhet të shkurtonim sekuencat. Kishim frikën që nuk do të arrinim të bënim 7 minuta film dhe na rezultuan 18 minuta që u desh t'i shkurtonim. Aty e kam kuptuar se çfarë vuajnë shpeshherë regjisorët e filmit, që janë të detyruar të shkëpusin copa të tëra.
Çfarë lidhjesh ke me kinematografinë?
Nuk është se nuk më ka pëlqyer gjithmonë. Kur i futesh regjisë, nuk mendon që do të merresh vetëm me teatër, sdhe as vetëm me televizion. Ke qejf t'i provosh të gjitha fushat dhe të provosh filmin është luks. Më duhej një eksperiencë e tillë për të kuptuar dhe për të vënë në zbatim njohuritë dhe aftësitë e mia.
Ka regjisorë botërorë që e kanë nisur me spote publicitarë, me klipe të shkurtër, me gjëra të vogla para se të arrijnë te filmi. Ku i dihet, nëse do të kemi fat dhe do të kemi fuqi të punojmë mbi të gjitha, mund të shkojmë më tej.
Po në teatër kur do të shohim?
Kam pasur një periudhë shkëputje nga teatri, për shkak të lëvizjeve që kam bërë, për shkak të punës, familjes. Kanë qenë arsye personale, nuk kam pasur ndonjë zhgënjim që u shkëputa nga teatri. Jam marrë me Radio-Radio, "Portokallinë". Jam duke u bërë gati për teatër.
Është një projekt shumë i mirë si pjesë dramaturgjike. Është një pjesë që po e përkthej vetë tani, nga Martin McDonagh, "Sakati i Inishmanit". Prej këtij autori kam vënë në skenë "Togeri i Inishmorit". Ishte një shfaqje e cila u sulmua ashpër nga Teatri Kombëtar, jo të gjithë artistët e tij.
Ata që janë artistë të vërtetë në Teatrin Kombëtar asnjëherë nuk i sulmojnë punët e tua, përkundrazi i përkrahin. Por është një shtresë tjetër, e cila në mënyrë shumë të çuditshme ndihet e sulmuar prej teje, ti nuk tenton ti zësh vendin askujt.