Kraja: Infeksionet seksuale, problemet që mundojnë shqiptarët

Shefi i shërbimit të "Infektivit" në QSUT, Kraja, pohon se IST pas viteve '90-të janë 10-fishaur në lloje dhe në numër
Llojet e infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST) janë shtuar, ndërsa numri i të prekurve është shumë herë më i madh. Informacioni ndaj këtyre infeksioneve është rritur, por njerëzit ende vazhdojnë të përdorin pak metodat mbrojtëse, siç është kondomi.
Shefi i shërbimit të Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Dhimitër Kraja, shpjegon në intervistë për "Shekullin" problematikën e infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Profesor, a mund të jepni një panoramë të shkurtër në lidhje me infeksionet seksualisht të transmetueshme, duke i krahasuar me kohën para viteve '90-të?
Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme kanë ndryshuar incidencën, pra shpeshtësinë, strukturën etionilogjike, pra të llojit të sëmundjes dhe të shkaktarëve të sëmundjes, ndërlikimet e tyre, duke i krahasuar para viteve '90-të dhe deri më sot.
Kështu, nëse para viteve '90-të qarkullonin sëmundjet seksualisht të transmetueshme të thjeshta si gonorea, trikomonasi dhe më pak kondilomat, herpesi, sot numri i rasteve është mbi dhjetëfishuar dhe është zgjeruar shumëfish spektri i llojeve të tyre. Kjo lidhet kryesisht me hapjen e Shqipërisë, lirinë seksuale, e cila erdhi më vonë se vendet e tjera tek ne.
Ndërkohë, konstatohet që ka një përmirësim të madh në diagnostikimin e tyre (përmirësimi i metodave diagnostike në laboratorë), si edhe është përmirësuar mjaft mjekimi, pasi njihen diagnozat e vërteta të IST-ve dhe është përmirësuar struktura e përgatesave që aplikohen sot.
Pra, nga një anë kemi shtim të tyre, nga ana tjetër kemi përmirësim të diagnostikimit dhe mjekimit. Një e metë që vërehet është mosdeklarimi i IST-ve, jo vetëm nga klinikat private, por edhe nga spitalet publike, çka thyen edhe rregulloren e Epidemiologjisë së Republikës së Shqipërisë, cila e kërkon deklarimin, por mjekë të ndryshëm për arsye të ndryshme nuk i deklarojnë.
Sa i përket informimit të njerëzve për IST, a janë më të informuar se më parë?
Është e sigurt se edukata seksuale nuk kryhej para viteve '90-të, ndërsa tani ka një realizim në disa nivele, duke filluar nga shkollat e mesme, emisionet televizive, informacionet mediatike etj.
Gjithsesi, kjo nuk ka penguar mospërhapjen e mëtejshme, pasi mbi këtë informacion mbizotëron instinkti seksual i të rinjve p.sh., prezervativi ende përdoret pak. Një studim që ka bërë vetë shërbimi ynë, rezultoi se është shumë i ulët përdorimi i prezervativit. Kjo për arsye se është shtuar jeta seksuale e pakontrolluar e shqiptarëve.
Sa i takon grupmoshave që kanë IST, çfarë vini re ju?
Aktualiteti i IST-ve në Shqipëri nga pikëpamja e grupmoshave është më i zgjeruar se para viteve '90-të. Nëse para '90-ës takohej vetëm tek disa adoleshentë dhe mosha të mesme IST, tani ka një spektër më të gjerë moshor, mjafton të themi se kemi pasur edhe 80 vjçar me IST.
Sa i takon homoseksualëve, a janë të ekspozuar nga IST?
Sigurisht që janë shumë të ekspozuar, pasi anusi është më delikat se vagina, pasi janë mukozat anale më të predispozuara për sëmundjet lokale.
Cilat janë sëmundjet IST që janë më të përhapura?
Mund të them se 5 infeksionet seksualisht të transmetueshme janë kondilomat, herpesi gjenital, gonorea, sifilizi dhe HIV/AIDS.
Mund të jepen disa nga këshillat në lidhje me infeksionet seksualisht të transmetueshme?
Personi që ka shenja të infeksionit për këto sëmundje të mos aotomjekohet, pra të mos mjekohet te farmacisti, por tek mjeku specialist infektolog, pasi vetëm këtu mund të realizohet një protokoll i një diagnoze të saktë, mjekimi preciz dhe parandalimi adekuat të përhapjes reale të infeksionit.
Nëse një partner nuk e thotë sëmundjen e tij, mund t'ua shpërndajë edhe partnerëve të tjerë nëse ka. Duhet të dini se vetëm një rrjedhje gjenitale mund të shfaqë deri në 10 infeksione seksualisht të transmetueshme, të cilat i diagnostikojnë vetëm mjekët specialistë infektolog, duke orientuar diagnozën ku duhet për një mjekim më adekuat.
Gjinekologu Maks Gjoni shpjegon pasojat që sjellin infeksionet seksualisht të transmetueshme. Janë problemi më i madh për ne
Pasojat e IST-ve, invalidizim deri në vdekje
Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë infeksione që jo vetëm transmetohen nga marrëdhëniet seksuale, por shkaktojnë edhe invalidizim, sëmundje prej të cilave vend kryesor zë infertiliteti.
Kështu u shpreh gjinekologu dhe nëndrejtori i maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", Maks Gjoni, i cili thekson se kjo sjell sidomos pamundësinë për të pasur fëmijë. Ndërkohë, ai shpjegon këndvështrimet që vijnë për infeksionet seksualisht të transmetueshme në kohë dhe në kategori të ndryshme njerëzish.
Problemi
Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë ndër problemet kryesore që ndeshin gjinekologët. "Duhet të dini se IST tashmë janë një problem i madh, jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë botën.
Këto sëmundje përbëjnë dy nga patologjitë më problematike të një obstetër-gjinekologu që janë lindja e infeksionit kronik dhe e dyta pamundësia për të mbetur shtatzënë", - pohon Gjoni, duke shtuar se sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë kryesisht mikrobike dhe virale që janë deri të rrezikshme edhe për jetën, siç janë virusi HIV/AIDS, hepatiti apo klamidia.
Sipas tij, shoqëria jonë, si edhe shoqëritë e tjera, do të mbërrijnë në mënyrë graduale në shifrat perëndimore. Ndërkohë, gjinekologu shpjegon se në vendet perëndimore, studimet tregojnë se numri mestar i partnerëve gjatë jetës së një peroni është deri në 20 partnerë, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet seksuale rastësore.
"Shoqëria jonë është e ekspozuar dhe mendoj se viktimizohet, sidomos nga prostitucioni, ndërkohë që në shoqëritë e tjera prostitucioni është nën kontrollin e strukturave, duke synuar të mbërrijë në profesion dhe në një periudhë kohe të marrin edhe pension, ndërsa tek ne vazhdon të mbetet e jashtëligjshme, duke qenë një sforcim, janë më të ekspozuara ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme", thekson Maks Gjoni.
Informimi
Informimi i popullatës ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme është i mangët, sidomos në disa shtresa të popullsisë. "Mund të themi se ka edhe një ndarje profil formimi mes qytetit dhe fshatit, pavarësisht se ne nuk jemi për diskriminimin e niveleve të popullsisë, por duhet them se ka një disnivel informimi, pasi qyteti ka tendencë më shumë të informohet më shpejt dhe sidomos të rinjtë.
Duhet parë edhe këndvështrimi pas viteve '90-të, ku shoqëria i interpretoi liritë më shumë drejt abuzimit se drejt të drejtave të njeriut", pohon gjinekologu Maks Gjoni, duke shtuar se në këtë prizëm shoqëria në fillim u gjend krejtësisht drejt marrëdhënieve seksuale të pambrojtura të lidhura me mundësinë e diagnozës që ishe e mangët dhe si pasojë edhe mundësinë e trajtimit mjekësor që ishte e mangët.
"Të infektuarit nuk u tregojnë familjarëve dhe partnerëve"
Sindroma e ankth stigmës i shoqëron të gjithë personat që bëjnë analizat për infeksionet seksualisht të transmetueshme, sidomos për ato që kanë të bëjnë me sëmundjet e rënda.
Psikologu i spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Vilson Banushi, shpjegon se këto sëmundje vazhdojnë të paragjykohen nga popullata dhe kanë nevojë për trajtim psikologjik. "Është pjesa më e vështirë, me të cilën ndeshet personeli shëndetësor.
Madje duhet të studiosh të gjitha karakteret dhe kategoritë e njerëzve, për të gjetur mënyrën më të mirë që t'u komunikosh se ata janë infektuar sëmundjet të rënda seksualisht të transmetueshme e sidomos me HIV/AIDS. Kjo është detyra e psikologut të parë dhe të vetëm në shërbimin e Klinikës së Infektivit, Vilson Banushi, i cili tregon eksperiencat e tij me personat që tashmë kanë marrë sëmundjen vdekjeprurëse.
"Në bindjen time, kam një postulat dhe ky postulat është që pacienti duhet të kurohet nëpërmjet komunikimit", - thekson ai, duke shpjeguar se nuk ka një recetë për të gjithë pacientët se si duhet t'u komunikohet lajmi se janë të infektuar me sëmundjen e shekullit. Informacionin se janë të infektuar, ai mundohet që në fazën e parë të mos ua përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi kjo do të ishte shokuese për ta, ndërsa në faza të tjera padyshim që atyre do t'u thuhet e vërteta.
Ndërkohë, ai pohon se për pacientin, për të cilin konstatohet që kanë infeksione seksualisht të transmetueshme, familjarët e tyre janë pikërisht ata më të rrezikuarit, nëse nuk e dinë.
E nëse nuk e kanë marrë virusin, duhet të nxitojmë që të shpëtohen. Kështu shprehet psikologu pasi fakti që nuk pranojnë t'ua thonë, ndodh se ata mendojnë se pasoja të tjera do t'u shkaktohen. Këto pasoja janë, braktisja e tyre nga partnerët apo familjarët, apo edhe pasoja të tjera sociale dhe ekonomike", - pohon Banushi.
Gjoni: Mbrohuni nga IST, të gjithë janë të rrezikuar
Mbrojtja nga infeksionet seksualisht të transmetueshme është e domosdoshme, pasi të gjithë mund të jenë të rrezikuar.
Gjinekologu Maks Gjoni pohon se mosha e re e popullsisë është shumë e ndjeshme ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
"Shifrat tregojnë se të rinjtë po përdorin gjithnjë e më shumë metodat kontraceptive që është kondomi që mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ndërkohë që femrat apo çiftet e martuar mbrohen më pak", pohon Gjoni.
Sa i takon aborteve, sidomos ato që janë të vullnetare, sipas tij, sjellin infeksione, por jo sëmundje seksualisht të transmetueshme.
Abortet e shpesh, si çdo manipulim i shpeshtë mekanik, sjell dëmtim mekanik, pasojë e së cilës mund të sjellë edhe infertilitet. Ndërkohë, një program "Komunikimi për ndryshimin e sjelljes në planifikimin familjar", i mbështetur nga USAID ka shtrirë veprimtarinë e tij dhe në disa qendra shëndetësore në qytetin e Tiranës dhe të Korçës.
Qëllimi, sipas specialistit të këtij programi, Arina Boci, është që të informohen nënat dhe familjarët e tyre mbi rëndësinë e përdorimit të metodave kontraceptive dhe planifikimin familjar.
"Çdo ditë konsulentët e këtij programi shkojnë në qendrat shëndetësore, ku kontaktojnë me nënat e reja, të cilat vijnë në këto qendra për t'u konsultuar apo marrë shërbimet e konsultorit të fëmijëve", - pohon Boci.
Kamin: Ja grupet e popullatës më të rrezikuara nga IST
Grupet më në risk të popullatës ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme janë, si përdoruesit e drogës me injektim, punonjëset e seksit, të burgosurit dhe komuniteti i homoseksualëve.
Mjeku i STOP AIDS, Dritan Kamin, shpjegon se kryen aktivitete me qëllim parandalimin e këtyre sëmundjeve, sidomos të HIV/AIDS në këto grupe. "Për secilin nga këto grupe përdoren përqasje të vçanta, për t'iu përgjigjur sa më mirë nevojave specifike të secilit grup.
Për përdoruesit e drogës me injektim, STOP AIDS ka ngritur një ekip mobil/të lëvizshëm shërbimi, i cili ofron shërbimet e shkëmbimit të shiringave, dhënies së informacionit atje ku përdoruesit janë", pohon Kamin, duke shtuar se një nga risitë e projekteve të zbatuara është Qendra Ditore e shërbimeve për homoseksualët.
Ata, sipas tij, përballen jo vetëm me paragjykimin e popullatës në përgjithësi, por dhe me një rrezik të shtuar për marrjen e IST/HIV/AIDS.
"Kjo kryesisht për shkak të specifikës së marrëdhënieve të tyre seksuale dhe partnerëve të shumtë. Nga ana tjetër, homoseksualët janë një kategori që jo gjithmonë i drejtohen shërbimeve publike.
Promovimi i sjelljeve seksuale më të sigurta, shpërndarja e prezervativëve dhe testimi për HIV/AIDS janë disa nga shërbimet kryesore që ofron Qendra për ta. Homoseksualët në Shqipëri kanë mjaft nevojë për shërbime në kuadër të shëndetit publik, të cilat kërkojnë angazhimin, si të aktorëve qeveritarë dhe donatorëve të ndryshëm", pohon Kamin.