5 ekstremistë islamikë, arrestohen në Prizren
Në komunën e Prizrenit, në Kosovë ditën e djeshme janë arrestuar 5 persona, nën dyshimet për planifikim sulmesh me armë. Zyrtarë të policisë thanë se dy pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe tre të komunitetit boshnjak, u arrestuan gjatë një operacioni bastisjesh
ne tetë pika të ndryshme në Prizren. Pesë persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sektin fetar Wahabi, janë arrestuar, ndërsa një sasi armatimi, llojesh të ndryshme, është konfiskuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar njëkohësisht në tetë lokacione, përfshirë edhe Prizrenin, në orët e vonat të mbrëmjes të premten, konfirmoi të shtunën Policia Rajonale në Prizren. Personat e arrestuar sipas burimeve brenda policisë janë shtetas kosovarë, ku tre prej tyre i përkasin nacionalitetit boshnjak (Idriz Biljibani, Mustafa Ymeri dhe Ismajl Skënderi) dhe dy janë shqiptarë (Hadith Miftari dhe Armend Kalenderi) dhe besohet se ky grup ka lidhje me sektet islamike- wahabi, që veprojnë në komunën e Prizrenit. Policia ka kryer bastisjen me dyshimin se personat në fjalë janë në posedim ilegal të armëve. Në bazë të dhënave të inteligjencës ka pasur dyshime të bazuara se ata mund të kenë qenë në përgatitje të veprave penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, ka thënë një zyrtar policor në kushte anonimiteti. Sipas tij urdhër bastisja është lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prizren, dhe në aksionin e kryer të premten mbrëma kanë marrë pjesë mbi 100 zyrtarë policorë, të cilët kanë zbuluar sasi të konsiderueshme të armatimit. Informatat kanë rezultuar të jenë të sakta dhe gjatë bastisjeve në tetë lokacionet janë konfiskuar kallashnikovë me pesë karikatorë dhe 150 fishekë, pushkë gjysmë automatike me 89 fishekë, pistoletë TT me 8 fishekë, pistoletë CZ, pushkë automatike, pushkë gjuetie, pushkë ajrore, pesë palë dylbi, pranga, dy jelekë antiplumb, uniforma ushtarake dhe pesë kompjuterë laptop, është shprehur burimi brenda policisë. Drejtori i Policisë në nivel rajoni, major Nexhmi Krasniqi, tha se aksioni ka nisur pas një planifikimi disamujor të policisë për shkak të dyshimeve ndaj disa personave që mund të kenë lidhje me veprimet e kundërligjshme, ndërsa dyshohet se ata mund të kenë lidhje me sektin fetar Wahabi. Ai tha se me këtë rast janë arrestuar pesë persona, të cilët ndodhen në paraburgim. Bastisja është kryer në gjashtë lokacione brenda Prizrenit dhe në dy të tjera në fshatin Lubizhdë, ndërsa është bastisur edhe selia e shoqatës humanitare Sinqeriteti, ku është marrë një sasi materiali kompjuterik, përfshirë CD, DVD etj, përderisa një person ka tentuar të rezistojë me revole.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë, Hazir Berisha sqaroi se në këtë operacion janë angazhuar rreth 120 policë dhe eprorë të tyre, nga njësitet e ndryshme. Gjatë operacionit të koduar Renea, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar armë të ndryshme, pastaj telefona celularë, dhjetë palë uniforma ushtarake, disa jelekë anti-plumb, dylbi, pranga etj, tha ai. Togeri Berisha tha se në këtë operacion janë konfiskuar armë të tipit Kallashnikov, disa pushkë gjysmë-automatike, pistoleta si dhe disa lloj thikash. Sipas policisë pas këtyre arrestimeve do të hetohet edhe për rastin e sulmit fizik të një personi, punonjës i administratës tatimore, që ishte rrahur tri ditë më parë, në Prizren, ndërsa ai dyshonte se sulmi mund të ketë ardhur nga persona të sektit Wahabi, pasi ai tha se nuk ishte në marrëdhënie armiqësore me askënd, e herë pas here shpërndante vullnetarisht Biblën.