27 mars 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton projektligjin për rezervat materiale kombëtare Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij të datës 27 mars 2008, shqyrtoi projektligjin: Për rezervat materiale kombëtare. Në mbledhje ishte i pranishëm specialisti i Ministrisë së Brendshme, Ilia Bili. Ai shpjegoi se projektligji i paraqitur ka si qëllim vendosjen e bazave juridike dhe administrative, për rregullimin e marrëdhënieve gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të rezervave materiale kombëtare, të cilat deri në këtë moment janë rregulluar në bazë të VKM nr. 372, datë 25.7.1994 Për administrimin e mallrave rezervë shtetërore i ndryshuar. Projektligji, parashikon organizimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale Kombëtare (DPRMK), si institucioni i specializuar për administrimin e rezervave materiale kombëtare, varësi të Ministrit të Brendshëm dhe i jep administratës së kësaj drejtorie rolin parësor në administrimin e rezervave materiale kombëtare, magazinimin e ndihmave humanitare dhe shpërndarjen e këtyre artikujve, me anë të të cilave shteti jep ndihmën e parë për popullsinë e prekur nga emergjencat civile. Në përfundim të diskutimeve, Komisioni vendosi ta miratojë në parim projektligjin dhe gjatë shqyrtimit nen për nen, bëri vërejtje për nene të veçanta, të cilat do të pasqyrohen në raportin e Komisionit për seancë plenare. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.