E Diel, 1 Nëntor 2026

5 mijë shqiptarë të Kosovës zbarkojnë në Durrës

Parashikohen mbi 1 milion turistë deri në 30 qershor. Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë përzgjedhin Durrësin

* * * *

Mbi 5 mijë shqiptarë të Kosovës kanë qenë të parët turistë që kanë mbushur plazhin e Durrësit ditët e fundit. Përsëri shqiptarët e Kosovës duket se do të jenë frekuentuesit e mëdhenj të plazhit të Durrësit edhe këtë sezon turistik, i cili zyrtarisht dje u deklarua i hapur. Disa mijëra shqiptarë të Kosovës, kryesisht nxënës shkollash, zbarkuan në Durrës prej ditës së shtunë dhe kaluan fundjavën në Durrës.

Ata, me sa duket, dhanë sinjalin e parë se edhe këtë sezon turistik Durrësi do të jetë i preferuari kryesor i shqiptarëve të Kosovës. Dy janë shkaqet që bëjnë Durrësin të tërheqë shqiptarët e Kosovës, çmimet e ulëta në krahasim me plazhet e vendeve të tjera si dhe patriotizmi i tyre. Ndërkohë, dje bashkia zyrtarisht e deklaroi sezonin të hapur.

Kosova, e para

Më shumë se 40 autobusë të agjencive turistike kosovare, të shtunën pasdite ndaluan në sheshet e Durrësit. Ata sollën rreth 5 mijë shqiptarë të Kosovës në pjesën më të madhe nxënës shkollash, të cilët lajmëruan fillimin e stinës së plazhit në Durrës, si dhe dhanë sinjalin se edhe këtë vit do të jenë ata që do të mbushin hotelet, pallatet dhe vilat e Durrësit.

Nxënësit ishin nga Prishtina, Ferizaj, Prizreni apo qytete të tjera. Të shoqëruar nga mësuesit e tyre, ata zunë vend nëpër hotelet e plazhit të Durrësit. Gjatë ditës së diel, ata morën kontakt me rërën dhe me detin, ndërsa një pjesë tjetër gjeti kohë të vizitonte rrugët dhe objektet tërheqëse të qytetit të Durrësit.

Turizmi

Sipas tyre, edhe gjatë javëve në vazhdim deri në mbylljen e sezonit shkollor, të tjera grupe do të vijnë në Durrës për të kaluar fundjavat. Më pas, ata do t’u lënë vendin pushuesve javorë dhe 10-ditorë. Kanë qenë agjencitë turistike ato që kanë ofruar tarifa dhe çmime të pranueshme për nxënësit nga Kosova, të cilat janë 2 herë më të ulëta se ato në Kroaci dhe Mal të Zi.

Duket se edhe këtë sezon veror plazhi i Durrësit do të frekuentohet përsëri nga turistët shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë pothuajse 10 vjet që nuk i ndahen Durrësit. Kjo ndodh sepse ata paguajnë më pak dhe se janë patriotë prej të cilit ka buruar edhe termi turizëm patriotik.

Në plazhin e Durrësit ata frekuentojnë dhoma vilash, të cilat ua lëshojnë me qera banorët e zonës si dhe hotele të cilat variojnë nga 1 mijë lekë nata deri 15 apo 20 euro, në një kohë që në vendet rreth nesh kaq kushton akomodimi vetëm i një personi për një natë. Veç kësaj, ata mund të gatuajnë vetë, duke shmangur në këtë mënyrë restorantet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›