E Diel, 1 Nëntor 2026

Klodiana Cankaj paditet në prokurori për abuzime me tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë

Gaman Albania sh.p.k kërkon procedim penal ndaj drejtoreshës sw APP
Gaman Albania sh.p.k kallëzon në prokurori Drejtoreshën e Agjencisë së Prokurimit Publik, Tiranë, Klodiana Cankaj për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë. Shoqëria që ka kërkuar procedim penal ndaj drejtoreshës së APP, Cankaj pretendon se kjo shoqëri ka marrë pjesë në disa tenderë me shuma të konsiderueshme, të organizuar nga këto ente prokuruese: QSUT Nënë Tereza, Tiranë, Ministria e Shëndetësisë, Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik, Mbretëresha Geraldinë, Tiranë si dhe Spitali Rajonal Durrës. Gjatë gjithë procedurave të zhvillimit të këtyre tenderëve, kjo shoqëri pretendon se është shmangur nga fitimi i tenderit me qëllime të pastra korruptive, duke krijuar favorizime për firma të cilat preferoheshin nga organizatorët dhe drejtuesit e këtyre tenderëve. Gjatë kallëzimit në Prokurorinë e Tiranës, përfaqësuesi i shoqërisë Gaman Albania ka renditur disa nga shkeljet e bëra në tenderët e zhvilluara nga entet prokuruese. Sipas tij, në tenderin e zhvilluar nga enti prokurues QSU Nënë Tereza, firma fituese ka afruar në ofertë një produkt të një kompanie të huaj dhe si mostër ka paraqitur një produkt të një kompanie tjetër. Gjithashtu, në tenderin e zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë, kjo shoqëri nuk mundi të paraqesë ofertën e saj, pasi website ka qenë i bllokuar gjoja nga virusi. Meqenëse ishte prokurim elektronik, dokumentet nuk pranoheshin në mënyra të tjera. Megjithëse znj. Cankaj ka pretenduar se dokumentet mund të ngarkoheshin normalisht, kjo shoqëri e ka provuar disa herë si pranë zyrave të Njësisë Antikorrupsion edhe pranë zyrave të Kryeministrisë. Website u mbyll përfundimisht 10 minuta para afatit të shpallur. Një tjetër tender në të cilin është privuar sërish shoqëria Gaman Albania, është ai i zhvilluar pranë maternitetit Mbretëresha Geraldinë. Edhe këtu, specifikimet teknike ishin hartuar në mënyrë të tillë që tenderin ta fitojë vetëm një nga firmat e paraqitura, pikërisht firma Montal që është firma e parapëlqyer nga tenderuesi. Dy javë pasi është shpallur tenderi, janë bërë ndryshime në specifikimet teknike të elektrobisturisë ku është rritur fuqia, me qëllim që të shmangeshin firmat jo të preferuara për të fituar. Në klasifikimin e bërë nga enti prokurues, shoqëria Gaman Albania është skualifikuar. Kjo shoqëri pretendon se brenda afateve ligjore ka paraqitur ankesën e saj në lidhje me skualifikimin e saj nga kjo procedurë prokurimi, por pa u plotësuar afati ligjor për pranimin e ankesave dhe pa iu kthyer përgjigje nga APP për ankesën e saj, më datë 27/10/2008 në buletinin e prokurimeve publike është shpallur fituesi për këtë procedurë prokurimi. Gjithashtu, shoqëria Gaman Albania është diskriminuar sërish edhe në tenderin e zhvilluar në Spitalin Rajonal Durrës. Specifikimet teknike të tenderit u hartuan në mënyrë të tillë që fituese të shpallej sërish firma Montal, e cila edhe në këtë tender ishte firma e preferuar nga prokuruesi për të fituar.
Megjithëse procedura ishte pezulluar nga APP pas ankimit të kësaj shoqërie, pa iu dhënë asnjë njoftim si dhe pa u botuar në buletinin e APP, në ëebsit-in e kësaj të fundit ishte shpallur vazhdimi i tenderit. Gjithsesi, Gaman Albania mori pjesë në këtë tender dhe doli e para në çmim, por tenderi u anulua sepse gjoja në specifikimet teknike të vendosura nga enti prokurues kërkoheshin 52 artikuj, ndërkohë që realisht ishin 51 të tillë. Tre firma pjesëmarrëse paraqitën ofertën për 52 artikuj dhe vetëm njëra paraqiti ofertë për 51 artikuj. Shoqëria Gaman Albania pretendon se ka respektuar të gjitha procedurat e ankimit të parashikuara në ligjin përkatës Për Prokurimin Publik. Mirëpo të gjitha ankesat e saj, megjithëse kanë pasur të pasqyruara fakte dhe shkelje të rënda të ligjit, janë pranuar fillimisht për shqyrtim nga e kallëzuara prej saj, znj. Klodiana Cankaj dhe pas një gjoja hetimi ku është pyetur vetëm enti i akuzuar, kanë përfunduar pa asnjë rezultat dhe duke u dhënë të drejtë enteve prokuruese ndaj të cilave kjo shoqëri është ankuar. Ajo që të bën përshtypje është fakti që si argumente për të rrëzuar ankesën e kësaj shoqërie janë përdorur pikërisht argumentet e enteve prokuruese ndaj të cilave kjo shoqëri është ankuar, pa u marrë asnjëherë dokumentacioni i tenderit në shqyrtim dhe pa u bërë asnjëherë ballafaqim mes palëve. Mes dokumenteve të tjera, përfaqësuesi i shoqërisë Gaman Albania, ka dërguar në prokurori edhe të gjitha korrespondencat përkatëse mes saj dhe enteve prokuruese të mësipërme, si dhe mes saj e Agjencisë së Prokurimit Publik. Mbi bazë të këtyre korrespondencave si dhe nga sqarimet e mëtejshme që përfaqësuesi i shoqërisë ka bërë të ditur në Prokurori, ky i fundit ka pretenduar se  del qartë në pah fakti se znj. Klodiana Cankaj, në cilësinë e drejtueses së një institucioni shumë të rëndësishëm, siç është Agjencia e Prokurimit Publik, ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, duke i shkaktuar shtetit humbje duke favorizuar gjithmonë kompanitë me çmime më të larta. Shoqëria Gaman Albania ka kërkuar kështu fillimin e procedimit penal për të kallëzuarën prej saj, Klodiana Cankaj dhe në përfundim të hetimit nga prokuroria, dërgimin e çështjes në gjykatë, konform nenit 331 të Kodit të Procedurës Penale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›