E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion Albania: Ja skema e korrupsionit Ministri-Montal-Biometrik gjatë 2008

Pse Ministria e Shëndetësisë iu kthye në 2009, prokurimeve me procedura të hapura
Në përgjigje të justifikimit të Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me përdorimin nga ana e saj e procedurave me prokurim të kufizuar, në vend të atyre të hapura, Korrupsion Albania, organizata që denoncoi korrupsionin e Ministrisë së Shëndetësisë në këto lloj tenderësh, jep shpjegim të mëtejshme, lidhur me të gjitha procedurat e ndjekura prej saj në demaskimin e këtij korrupsioni, por që nuk iu përgjigj askush. Ndërkohë që për të demaskuar korrupsionin me tenderët e kryer nga Ministra e Shëndetësisë, Korrupsion Albania i ka paraqitur fillimisht ministrisë dhe më pas medias së shkruar fakte konkrete me emra e shifra, akte ligjore të shkelura e persona konkretë të përfshirë në këto afera, informacione të bëra publike nga institucione shtetërore të lidhura me prokurimet publike si APP etj, e që mund të kontrollohen nga kushdo që është i interesuar, ministria ka reaguar duke mos dhënë asnjë argument apo shifër për të mohuar akuzat konkrete por duke përmendur Bashkimin Europian e standardet e vendosura nga organizmat e komunitetit europian!!!! Ministria argumenton se ka përdorur procedurën e kufizuar vetëm në 6 raste për blerje mallrash, ndërkohë që sipas Korrupsion Albanias në mijëra prokurime publike të kryera në vitin 2008, të gjitha institucionet e tjera publike, të marra së bashku, e kanë përdorur këtë procedurë vetëm në tre raste (nga mijëra prokurime të kryera), jo në blerje mallrash por në prokurime shumë specifike si psh auditime të granteve të Bankës Botërore e rikonstruksion të ambasadës shqiptare jashtë vendit. A është e rastësishme që ministria përdor procedurën e kufizuar pikërisht në ato raste ku edhe pozitat e firmave Montal e Biometrik janë më të forta? Në argumentimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se çmimet janë të njëjta si ato të procedurave të hapura. Ligji i prokurimit, neni 31, përcakton që procedura e kufizuar përdoret kur është ekonomikisht më e leverdishme se ajo e hapur. Nëse MSH pohon se çmimet janë të njëjta me ato të procedurës së hapur atëherë ku është leverdishmëria ekonomike që kërkon ligji i prokurimeve publike? Kujt standardi të Bashkimit Europian i referohet  MSH, kur vendos të blejë me prokurim të kufizuar mallra të thjeshta si doreza, age apo shiringa? Kujt standardi të Bashkimit Europian i referohet MSH, kur në tenderët e saj ka kërkuar nga firmat pjesëmarrëse të paraqesin licenca të lëshuara nga ministria, licenca inekzistente që ministria nuk i lëshon më, e madje ka arritur deri aty sa të përjashtojë nga tenderimi firma që nuk i kishin këto licenca, plotësisht e vetëdijshme se ska asnjë akt ligjor që ti lejojë ministrisë të lëshojë licenca të tilla? Kujt standardi të Bashkimit Europian i referohet MSH, kur në tenderët e saj firma e dytë merr pjesë në tender me çmim 99,99% thjesht për të mbështetur firmën e parë që fiton tenderin me 99,94% dhe realizon skemën korruptive të ministrisë? Kujt standardi të Bashkimit Europian i referohet MSH, kur deklaron se në tenderimet publike të Ministrisë se Shëndetësisë ka firma fantazmë, e për të shmangur ato ndërmerr veprime antiligjore duke i kërkuar licenca të sajuara. Pse nuk i bën publike MSH, këto firma fantazmë? Ku janë ato? A i ka pajisur MSH ndonjëherë këto firma fantazmë me licenca? Argumenti i fundit i Korrupsion Albania për Ministrinë e Shëndetësisë, për të vërtetuar se kjo e fundit është shkelëse e disa neneve të ligjit të prokurimit publik e se vete MSH nuk beson në këto që shkruan është fakti se mbasi kjo skemë korruptive Ministri-Montal-Biometrik u bë publike pak kohë më parë, MSH ndryshoi planifikimet e tenderimeve për vitin 2009 nga procedura të kufizuara siç i kishte publikuar vetë ajo në muajin mars në Buletinin e Prokurimeve, në procedura të hapura siç po i realizon aktualisht, (në muajin maj). Nëse MSH vërtetë beson se kjo skemë, që Korrupsion Albania konsideron korruptive, duke përdorur prokurimin e kufizuar e duke kërkuar kritere joligjore, është plotësisht e rregullt atëherë përse MSH, këtë vit e ka ndryshuar dhe nuk e përdor më? A nuk tregon kjo se MSH ndjehet tashmë fajtore për prokurimet e vitit 2008?

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›