E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evidentohet rasti i parë me malarie në Shqipëri

19/05/2009  Mbartësi i infeksionit ka hyrë në vend para tri ditësh nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza”

ISHP: Infeksioni është importuar, por nuk paraqet rrezik për popullatën

Nuk ka kaluar më shumë se një javë prej alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se dhe vendi ynë mund të preket prej epidemive infektive e veçanërisht asaj të malaries, është shfaqur dhe pacienti i prekur. Ditën e djeshme është konfirmuar rasti i parë i një pacienti mbartës të këtij infeksioni, i cili menjëherë është izoluar pranë pavijonit të sëmundjeve infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë është konfirmuar se kjo sëmundje, ashtu si dhe shumë të tjetra, është sjellë në vend nëpërmjet importit. Burimet pranë QSUT-së kanë bërë të ditur se pacienti i infektuar nuk është shqiptar, ai ka hyrë në vend prej tri ditësh nëpërmjet aeroportit. Po të njëjtat burime theksojnë se identifikimi i këtij rasti është bërë vetëm nga paraqitja e vetë pacientit në spital e jo nga njoftimet që mund të jepnin autoritet shëndetësore të aeroportit. Teksa është paraqitur në spital, pacienti ka manifestuar simptoma të tilla si dhimbje të forta koke, temperaturë dhe diarre. Mjekët pohojnë se ky pacient u është nënshtruar ekzaminimeve dhe pritet që të dalin rezultatet e përfundimtare. Megjithatë, konfirmohet se mbartësi i këtij infeksioni e kishte kronike shfaqjen e kësaj sëmundjeje, duke qenë se e kishte kaluar dhe dy herë të tjera. Ekspertja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik ka pohuar se ky rast nuk është i formës së rëndë, duke shmangur kështu mundësinë e përhapjes masive apo prekjes së popullatës. Kjo pasi rasti nuk e ka burimin në vendin tonë, por është importuar nga një shtet shumë i largët siç është Uganda dhe është izoluar shpejt. Sipas të dhënave, duke filluar nga viti 2000 në vendin tonë janë shfaqur dy apo tri raste të kësaj sëmundjeje, por kanë qenë të importuara nga shtetet e tjera. Përkundrejt rrezikut të shfaqur si pasojë e ndryshimeve klimaterike, një javë më parë OBSH-ja ka hedhur alarmin se vendi ynë ka pozitë të favorshme ndaj përhapjes së sëmundjeve infektive, kundrejt të cilave duhet të marrë masa urgjente parandaluese.

Malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje janë vdekjeprurëse. Simptomat e para shfaqen brenda pak javëve nga pickimi i mushkonjës së malaries. Simptomat që e shoqërojnë këtë sëmundje janë: temperaturë e lartë, lodhje, dhembje koke, dhembje muskujsh, çrregullime me aparatin tretës, të vjella si dhe ndjesi të fikëti. Pak kohë më parë nga ekspertët e shëndetit publik është pohuar se me rritjen e temperaturave brezi i malaries mund të zhvendoset më në veri. Pra, nëse malaria sot shihet vetëm në Afrikë, mund të shfaqet dhe në Evropën Jugore, nëse temperaturat do të ngrihen më shumë. Shqipëria për nga pozita gjeografike cilësohet vend vunerabel, pra i prekshëm nga risqe të tilla. Njëkohësisht është shtuar se krahas sëmundjeve ekzistuese mund të shfaqen edhe sëmundje të tjera, që mund jenë të panjohura. "Krijohen mikroorganizma të rinj, të cilët shkaktojnë sëmundje të caktuara, apo mikroorganizma të shkuara, që mund të rigjallërohen në një kontekst të ri dhe mund të shkaktojnë probleme të rënda për shëndetin."

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›