5 milionë lekë shpërblim për gjetjen e autorëve që vranë në pritë policin

Tiranë, 28 gusht, NOA Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 5 milionë lekë të reja për kapjen e autorëve që vranë ditën e sotme efektivin e Policisë Rrugore, Kolë Ndreshaj, në Reç të Malësisë së Madhe.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka bërë të ditur se hetimet për ngjarjen e rëndë po vazhdojnë ende dhe qytetarët janë të lutur të japin informacionet në lidhje me ngjarjen dhe autorët, kundrejt shpërblimit. Për këtë qëllim policia ka vënë në dispozicion dhe një numër telefoni.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë vënë në dispozicion 5 milionë lekë të rinj për këdo që do të japë informacion të vlefshëm lidhur me autorët e vrasjes së punonjësit të policisë Kolë Ndreshaj. Ftojmë qytetarët të informojnë në numrin e telefonit 0694105324, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Efektivi i forcave të policisë, Kolë Ndreshaj u vra ditën e stome në fshatin Reç të Malësisë së Madhe. Ndershaj ka qenë me detyrë në këtë fshat për normalizimin e trafikut të makinave, duke qenë se sot zhvillohej një panair.
Ai është vrarë pak metra larg rrugës nacionale. Mendohet se vrasësit i kanë zënë prit dhe e kanë qëlluar gjatë kohës që ka qenë duke udhëtuar me motorin e tij të policisë.
a.k/NOA