5 orë në hetuesi

Dëshmia e Hoxhës
Të kontaktuar gjatë pasdites së djeshme nga “Korrieri”, pjesëtarë të grupit hetimor nuk dhanë detaje lidhur me dëshminë e shefit të Shtabit, për shkak të sekretit hetimor. Ndërsa burime jozyrtare thanë se Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha për afro 5 orë ka sqaruar çdo veprim të Shtabit të Përgjithshëm që lidhet me çështjen Gërdeci, ku paralelisht po hetohet edhe për trafik municionesh. Burime jozyrtare bëjnë me dije se dy ishin momentet ku prokurorët janë ndalur më gjatë. I pari ka të bëjë me caktimin e vendit ku u ndërtua fabrika e demontimit të predhave, rolin e shtabit në këtë vendimmarrje dhe dyshimet për trafikun e municioneve, për të cilën u konfirmua zyrtarisht nisja e hetimit pas marrjes në pyetje të biznesmenit Kosta Trebicka. Mësohet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka rikonfirmuar të njëjtat deklarata dhënë në Prokurorinë e Tiranës për sa i përket pozicionit të strukturës së tij në vendimmarrjen për caktimin e Gërdecit, si vendin ku do të ngrihej fabrika e demontimit të predhave.
Shkaku i shpërthimit
Paralelisht me marrjen e dëshmive nga persona që kanë dijeni për ngjarjen, ekspertët e prokurorisë duket se i janë afruar së tepërmi përcaktimit të shkakut që solli shpërthimin tragjik të 15 marsit. Paraprakisht, bëhet me dije se shpërthimi dyshohet se erdhi nga saldimi i një karroce fare pranë vendit ku mbahej baruti që dilte nga çmontimi i predhave. Të njëjtin version e kanë konfirmuar në prokurori tre nga punonjësit e fabrikës, mes të cilëve dhe një ish-ushtarak i caktuar për të instruktuar punonjësit civilë që kryenin procesin e demontimit. Këto dëshmi dhe disa prova të mbledhur në vendin e ngjarjes kanë bindur në një farë mënyre prokurorinë, që të besojë se shkaku i shpërthimit ka qenë aksidental, por pa përjashtuar nga hetimi pista të tjera, ku më kryesorja është ajo e një akti të qëllimshëm. Burime të prokurorisë thonë se shpërthimi për shkak të një shkëndije nga saldimi i një karroce që shërbente për transportin e barutit nuk është përfundimtar, pasi për këtë çështje po punojnë dhe gjashtë ekspertët e ATF-së, të cilët prej tri ditësh po punojnë në kraterin e shpërthimit.