Qarkorja e pestë

Partia Socialiste prezantoi dje një qarkore të quajtur "enciklika sociale". Vetë kreu i socialistëve, Edi Rama, nënvizoi gjatë prezantimit të saj se varfëria ka përmasa rajonale dhe prek mbi të gjitha zonat rurale. Sipas socialistëve, llogaritja për frymë e varfërisë në zonat fshatare është 66 për qind më e lartë sesa në Tiranë dhe 50 për qind më e lartë, sesa në zonat e tjera urbane. Për të zgjidhur këto probleme, socialistët kanë hartuar enciklikën përkatëse për këto probleme. “Vlera reale e pagesës së ndihmës ekonomike është ulur 27 për qind në zonat urbane dhe 17 për qind në zonat rurale, gjë që mesatarisht përbën 15 për qind të kufirit të varfërisë. Kemi ardhur në kushtet kur kjo ndihmë ekonomike është praktikisht simbolike dhe në kushtet kur duhet seriozisht të mendojmë në programin tonë të ri për një rikonceptim të plotë të gjithë kësaj pjese të buxhetit, kësaj pjese të kontributit të taksapaguesve shqiptarë që shkon drejt familjeve në nevojë”, - deklaroi kreu i PS-së, duke bërë një pasqyrë të nivelit të varfërisë në këto zona. Sipas tij, asnjëherë gjatë këtyre 17 viteve nuk është deklaruar minimumi jetik, që është pika themelore nga ku duhet filluar puna për të pasur një politikë afatgjatë në raport me pensionet. Duke u ndalur tek çështja e pensioneve, lideri i socialistëve nënvizoi se premtimi për dyfishimin e tyre nuk është mbajtur. “Sipas premtimit të vitit 2005 që bëri kryeministri i sotëm dhe që u bë pjesë e programit të qeverisë së sotme, asnjë pensionist në qytet nuk duhet të kishte sot një pension më të vogël se 15 mijë lekë në muaj, ku pas 30 muajsh të qeverisjes aktuale, pensionet e pleqërisë në qytet janë rritur as aq sa inflacioni gjatë këtyre 30 muajve. Ky është një tjetër element shumë dramatik i kësaj fotografie të gjendjes ekzistuese të çështjeve sociale në Shqipëri”, - shtoi kryesocialisti Edi Rama. Problemeve të ngritura në enciklikën për çështjet sociale, socialistët synojnë t’u japin zgjidhje në tryezat që do të zhvillojnë në gjithë vendin.