E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezik predhat nënujore

VLORË - Përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ishin dje në Vlorë, për të biseduar me prefektin Xhevahir Rexhepi në lidhje me vendndodhjen, sasinë dhe rrezikun e municioneve në qytetin bregdetar që numëron afro 120 mijë banorë. “Përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm siguruan se në tokën e qytetin tonë nuk gjendet asnjë bazë e rrezikshme municioni”, tha Rexhepi. Sipas tij, edhe për vendin e shumëpërfolur, atë të Bishtit të Kalldrëmit, ku hamendësohet ekzistenca e një tuneli me lëndë të rrezikshme, nga informacioni i mbledhur rezulton se kjo nuk është e vërtetë. Sipas prefektit Rexhepi, i vetmi problem i cili vazhdon të mbetet shqetësues, është ai i sasive të municionit që gjenden nën ujë, për të cilat i është nisur një shkresë NATO-s, me qëllim dërgimin e një ekipi të specializuar për procesin e largimit të kësaj sasie municioni. “Në kërkesën që i është bërë NATO-s, është përshkruar me detaje sasia dhe vendet në të cilat ndodhen këto municioni”, bëri me dije kreu i prefekturës, duke shtuar se pjesa më e madhe e tyre gjenden në Zvërnec dhe gadishullin e Karaburunit. Rexhepi deklaroi gjithashtu, se nga ana e qeverisë po punohet intensivisht, me qëllim që këto sasi municionesh të largohen nga vendet ku ndodhen e më pas të çaktivizohen në vendndodhje më të sigurta e nën kushte të larta sigurie. Duke e ditur se një çështje e tillë është e mprehtë për popullatën, aq më tepër që rreth një muaj na ndan nga tragjedia e Gërdecit, Rexhepi siguroi se zgjidhja do të jetë me ditë, madje pak ditë më parë për këtë çështje u organizua një takim me drejtues të policisë dhe ushtrisë, ku fokusi ishe largimi i këtyre municioneve. Megjithatë, pritet ndërhyrja e NATO-s, e cila do të jetë vendimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›