Manchester përgatit "varrin" e Romës

Roma në “Old Traford” do të ketë mbështetjen e më shumë se 3500 tifozëve. Për verdhekuqtë kjo është transferta e tretë ndaj Mançesterit, pasi dy të parat i ka humbur 7-1 (sezonin e kaluar) dhe 1-0 (këtë sezon në fazën e grupeve). Skuadra e Sër Aleks Ferguson falë fitores 2-0 në Itali, me golat e Kristiano Ronaldos dhe Uejn Runit, do ta ketë më të lehtë për të administruar rezultatin dhe ka një shans shumë të mirë për të kaluar në gjysmëfinale.
Problemi i vetëm për trajnerin e Mançesterit, Ferguson, është reparti i mbrojtjes. Nemanja Vidiç nuk është i disponueshëm, pasi vuan nga një dëmtim në gju. Rio Ferdinand është dëmtuar në këmbë gjatë ndeshjes në kampionat kundër Milldesborou (2-2) dhe prezenca e tij në fushën e lojës do të vendoset vetëm në minutat e fundit. Ndërsa Geri Nevill dhe Mikael Silvestre vijnë nga dëmtime të gjata. Në sulm, trajneri skocez pritet të konfirmojë dyshen e suksesshme Kristiano Ronaldo (në një formë të shkëlqyer) dhe Uejn Runi. Për sa i përket Romës, i vetmi dyshim për trajnerin Spaleti është Akuilani. Nëse mesfushori italian nuk do t’ia dalë mbanë, atëherë zëvendësuesi i tij do të jetë David Pizarro. Junajtid nuk është eliminuar asnjëherë, duke u nisur nga një avantazh me dy gola. Megjithatë, bilanci me skuadrat italiane duket më i ekuilibruar. 13 fitore për “djajtë e kuq”, 4 barazime dhe 13 fitore të skuadrave italiane. Moti në Mançester ka qenë i ftohtë dhe termometri ka shënuar 3 gradë celsius. Ndërsa janë parë edhe reshje bore. Takimi do të gjykohet nga norvegjezi Ovrebo.
LIGA E KAMPIONËVE
Dje
Liverpul-Arsenal 20.45 (1-1)
Çelsi-Fenerbaçe 20.45 (1-2)
Sot
Barcelona-Shalke 20.45 (1-0)
Man.Utd-Roma 20.45 (2-0)
*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para
KUPA UEFA
Nesër
Zenit-Leverkusen 18.30 (4-1)
Getafe-Bayern.M 20.45 (1-1)
PSV-Fiorentina 20.45 (1-1)
Sporting-Rangers 20.45 (0-0)
*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para