E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD ndërhyrje në Kushtetutë

Partia Demokratike “nguli kunjin” dje në kuadrin e përgjithshëm të bashkëpunimit për ndryshime kushtetuese duke propozuar tri elementë të tjerë që nuk lidhen me sistemin zgjedhor. Në një kohë pajtimi mes PD-së dhe PS-së për ndryshimet kushtetuese, forca e kryetarit të qeverisë Sali Berisha bëri një hap që duket si përpjekje për të “përfituar” duke propozuar amendime për Presidentin e Republikës, mocionin e vetëkërkuar nga kryeministri dhe përcaktimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Partia Socialiste nuk komentoi gjerësisht, por nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafaj tha se propozimet nuk lidheshin me ndryshimet mbi sistemin zgjedhor dhe se nuk mund të diskutohej kur ato sapo ishin marrë.

Mazhoranca i propozoi dje në Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore amendimet e saj për ndryshimet në Kushtetutë. Partia Demokratike ka hedhur në tavolinën e debatit politik propozime në tri pika të rëndësishme: Mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga Kuvendi, kërkesa për mocion besimi nga vetë kryeministri, si dhe kufizimin e mandatit të drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme. Propozimet e bëra publike gjatë mbledhjes së Komisionit nuk kanë shkaktuar reagime qoftë nga komisionerët e Partisë Socialiste, qoftë edhe nga të tjerët, përfaqësues të partive të tjera parlamentare të djathta apo të majta. Sipas propozimit të PD-së, zgjedhja e kreut të shtetit kalon përmes pesë raundesh votimi, por nëse deri në raundin e katërt një ndër kandidatësh nuk arrin të sigurojë tri të pestat e votave, atëherë në raundin e fundit, President i Republikës zgjidhet ai kandidat që merr shumicën e thjeshtë të votave. Për sa u përket ndryshimeve që lidhen me kreun e institucionit të akuzës, propozimi i PD-së thekson se: “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi”. Ndërsa propozimi që flet për ndryshimin në funksionimin e qeverisë ka të bëjë me procedurën e kërkesës së mocionit ndaj kryeministrit. “Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, kryeministri brenda 48 orësh nga votimi i mocionit i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit”, thuhet në amendamentin kushtetues të propozuar nga PD-ja. Në paketën e propozimeve të demokratëve theksohet shfuqizimi i asaj pjese të Kushtetutës që lidhet me funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për PD-në, kjo pjesë do të rishikohet gjatë punës së Komisionit të përkohshëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, ku do të bëhen ndryshimet përkatëse. Në dukje, kjo pikë e fundit e propozimeve të PD-së duket si një gjest për të treguar gatishmërinë e qeverisë për t’u përballur me oponencën apo pakënaqësitë që mund të kenë deputetët ndaj punës së saj. Por, nga ana tjetër, një ndryshim i tillë në Kushtetutë, mund të përdoret nga kryeministri i vendit, cilido qoftë ai, për të bërë presion ndaj partive aleate në bashkëqeverisje. Kështu, mund të përkthehet: “O bëni si them unë, o ju çova në zgjedhje të parakohshme”. Dhe në pjesën dërrmuese të rasteve në moment zgjedhjesh të parakohshme, opozita është më e favorizuar.

Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, deputetët kanë diskutuar rreth amendimeve kushtetuese për ndryshimin e sistemit zgjedhor, të propozuara nga socialistët. Relatorët, Arenca Trashani e PD-së dhe Fatmir Xhafaj i PS-së, kanë deklaruar se sistemi më i mirë është ai proporcional rajonal. Por ky propozim është kundërshtuar fort nga ligjvënësit e partive të ashtuquajtura “të vogla”. Sipas tyre, një sistem i tillë do të eliminonte tërësisht këto forca politike që do të krijonin në vend një gjendje politike bipolare, PD-ja dhe PS-ja.

Propozimet e PD-së:

Presidenti i Republikës zgjidhet nga Kuvendi përmes 5 raundesh votimi. Nëse deri në raundin e katërt njëri nga kandidatët nuk siguron 3/5 e votave, në raundin e fundit fiton ai kandidat që merr 70+1 të votave.

Kryeministri ka të drejtë t’i kërkojë Kuvendit mocion besimi për qeverinë. Nëse humbet, atëherë i kërkohet Presidentit shpërndarjen e Kuvendit.

Prokurori i Përgjithshëm ka mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi.

Shfuqizohet nga Kushtetuta neni që flet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kalimi në Kodin Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›