E Diel, 1 Nëntor 2026

5 vjet në kërkim të virtytit



Kur u ula të shkruaja këto rreshta për gati 5 vite me FDE dhe ç’farë kam ndarë ndërkohë me Arian Galdinin, Nebi Bardhoshin, Klodian Gradecin dhe miqtë e tjerë të Forumit për Demokraci dhe Etikë, nuk pata asnjë dyshim rreth asaj ç’ka është kjo histori miqësie. Një histori miqësie e ndryshme nga ato të “bulevardit politik” të Tiranës, i mbushur shpeshherë me thashetheme e intriga nga më të pabesueshmet. Të egra sa ç’mund të jetë një politikë e “gjendjes natyrore”, ku kundërshtari apo rivali duhet mundur me çdo mjet e mënyrë. Ky “bulevard” që është ndërtuar dita ditës në këto 17 vite të tranzicionit politik, ka çuar në ekstrem dyshimet njerëzore se ku qëndron kufiri mes të vërtetës dhe trillimit, besimit dhe pabesisë, të mirës dhe së keqes. Dhe kjo situatë ka bërë që besimi tek sistemi të lëkundet gjithnjë në fije të perit. Kjo është po aq e vërtetë sa edhe ndryshimet pozitive që politika ka ditur ti imponojë për mirë vetes dhe shoqërisë jo në pak raste. Për pasojë qytetarët dhe politika e kanë gjetur veten në udhëkryqe të rrezikshme, që janë kaluar jo pa vështirësi të mëdha.
Në këtë situatë shoqëria civile ka ditur të gjendet në mes të politikës dhe shoqërisë si zgjidhëse e konflikteve, zbutëse e tensioneve dhe avokate e të “mirës publike”. Si një forcë asnjanëse ajo ka qëndruar në mes të tronditjeve si një mekanizëm moderues, përfaqësuese dhe vetëpërmbajtës. Por edhe ky segment i shoqërisë gjatë historisë së vet 16 vjeçare ka mbartur pikëpyetje jo të vogla, pasi ka ndodhur që të jetë përdorur nga politika dhe ta ketë përdorur atë për interesa jashtë natyrës së vet. Ndaj në këto pothuaj 5-vite të FDE-së, duhet ndalur për të thënë një të vërtetë. FDE ka qenë gjithnjë një nga trupat më të shëndoshë të moderacionit. Mesazhet e lëshuara në Leadership Forum, dhe çështjet e hedhura për dialog në tryezat e debateve të organizuara prej saj kanë patur një konstante. Atë të ndërtimit të dialogut, mirëbesimit dhe zbutjes së tensioneve. Vetë natyra e FDE-së e cila është ngritur nga disa djem dhe vajza që vijnë në të si anëtarë të partive të ndryshme dhe segmenteve të tjera të shoqërisë, ka bërë që në tryezat e saj politikanë të partive të ndryshme të flasin me të njëjtën gjuhë. Atë të kapërcimit të kufijve ndarës për çështje të mëdha si integrimi i Shqipërisë në NATO, ambienti, vlerat apo dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet partnere dhe shumë e shumë çështje të tjera.
Tryezat e FDE-së dhe takimet e Leadership Forum-it, kësisoj kanë patur një qëllim të qartë dhe kontribut të dukshëm. Përmirësimin e instrumenteve demokratikë, pasi “demokracia është një sistem i paqes dhe jo i luftës” do të thoshte një filozof i madh. Nën këtë frymë FDE-ja ka bërë diferencë me qëndrimet e saj që nuk kanë synuar “karshillëk” ndaj sistemit politik, e aq më tepër partive politike të caktuara. Përkundrazi, ky fenomen i llojit të ri të shoqërisë civile nuk ka zhgënjyer por vetëm ka konfirmuar pritshmëritë e besimit tek ky grup njerëzish që ka grumbulluar rreth vetes njerëz me një qëllim të përbashkët. Forcimin e besimit tek e mira publike dhe vlerat. Që institucionet të jenë të virtytshme, duhet ndihma e tërë mekanizmave që shoqëria zotëron. Dhe FDE-ja është një mekanizëm që virtytin e ka vendosur në themelet e veta që ditën që është krijuar.

Edvin Kulluri

Ndihmës i Kryeministrit

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›