E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet një foshnjë e braktisur, arrestohet nëna

Dy persona, banorë të Burrelit gjetën sot një foshnjë të braktisur rreth 4 muajshe. Policia pas disa ore kërkimesh zbuloi nënën e foshnjës, e cila nuk pranoi të rimerrte fëmijën. 

BURREL-Një foshnjë e braktisur është gjetur sot në qytetin e Burrelit. Policia pas kërkimeve zbuloi nënën e foshnjës, e cila nuk pranoi të rimerrte fëmijën. Dy persona, banorë të Burrelit gjetën sot një foshnjë të braktisur. Të alarmuar ata lajmëruan policinë e qytetit të cilët morën foshnjën dhe e dorëzuan në maternitetin e qytetit. Mjekët konstatuan se foshnja ishte rreth 4 muajshe dhe se gëzon shëndet të plotë. Pas disa orë kërkimesh, efektivët e policisë gjetën nënën e foshnjës së braktisur. Policia e shoqëroi nënën në Komisariatin e qytetit të Burrelit dhe e mori në pyetje rreth veorimit që ajo ka bërë, braktisjen e fëmijës. Gruaja, emri i të cilës nuk bëhet ende i ditur pranoi që është prindi i fëmijës, por nuk pranoi të rimarrë foshnjën. Ajo rrëfeu për policinë se është martuar para 16 muajsh dhe banon me burrin e saj në Macukëll të Matit. Por, burri i saj pretendon se fëmija nuk është i tij. Për këtë nëna ka zgjedhur të braktisë foshnjën. Policia është vënë në kërkim të bashkëshortit të gruas për të vërtetuar dëshminë e saj në polici.
Ndërkaq foshnja vetëm 4 muajshe ndodhet ende në maternitetin e qytetit të Burrelit dhe një ekip mjekësh po kujdesen për të.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›