E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ne që qëndrojmë dhe besojmë se ky vend ende prodhon shpresë”

Intervista/ Flet Arian Galdinni, Drejtor Ekzekutiv i FDE

Zoti Galdini, Forumi për Demokraci dhe Etikë ka zhvilluar disa aktivitete, por pa bindur se përse lëvizja juaj është e ndryshme nga lëvizjet e OJF-ve të tjera. Cili është ndryshimi ndërmjet jush dhe lëvizjeve të tjera simotra në vendin tonë?
Në fillim të shek. XX, Veberi bëri një dallim ndërmjet politikanëve që jetojnë për politikën dhe atyre që jetojnë prej politikës. Në rastin e parë, politikanët bëjnë një ideal çështje të jetës së tyre dhe përpiqen që ta vënë në jetë. Edhe vetë Veberi e pranon se ky tip politikani haset rrallë në histori. Por, tipi më i keq i politikanit është ai që jeton prej politikës. Ky, na thotë Veberi, është tipi më i keq i politikanit, sepse ai do ta shesë drejtësinë e pozicionit të tij për hir të pasurimit ekonomik të tij. Tashmë, çdo njeri është i bindur se deri tani kemi parë vetëm tipin e dytë të politikanit.
Por, a duhet të tërhiqemi para një situate të tillë? A duhet që ta braktisim lirinë e sapo fituar dhe të qahemi për drejtuesit? Sigurisht që jo. Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur. Edhe pse e tashmja është e hidhur dhe askush nuk guxon të premtojë, nuk duhet të ketë tërheqje prapa. E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik është që të ecim përpara duke shpejtuar hapin për të kombinuar lirinë me drejtësinë. Në qoftë se shoqëria do të rrijë e mbërthyer vetëm në një vlerë, shpirtin e përfitimit, atëherë demokracia mbetet e kërcënuar.
Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë, kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellë dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko – moral, në një kohë kur kjo shoqëri po ndryshon me ritme të shpejta. Në periudha të tilla njerëzit ndodhen përballë dilemash të shumta. Ata nuk po e identifikojnë veten me institucionet e krijuara. Ata nuk kanë besim tek to. Kur shteti mund t’i shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë? Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt mund t’i drejtohemi për të patur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale?
Në një kohë kur korrupsioni, gënjeshtra, lakmia, egoizmi, mashtrimi, hipokrizia, cinizmi si dhe klima e ankthit dhe e pasigurisë u ka zënë frymën virtyteve morale, kërkohet një ringritje shpirtërore për të dalë nga kjo gjendje. Të tilla vese si dhe manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë kanë krijuar një gjendje irritimi, lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm. Askush nuk flet për vlerat morale. Politika dhe etja për pushtet dhe përfitim ka pushtuar jetën politike dhe sociale, prandaj ne ndeshemi me dobësimin dhe çarjen e të drejtës dhe të moralit, me egërsinë dhe rritjen e injorancës.
Në të tilla momente, rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për shkak të varfërisë ekonomike. Ajo që ne kemi nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë dhe arti i lirisë dhe demokracisë është shumë i vështirë. Ai duhet mësuar. U takon gjeneratave të reja dhe aktorëve të tjerë shoqërorë që t’ua mësojnë njerëzve këtë art me qëllim që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre.
A nuk shihet kudo se atmosfera e korrupsionit po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut? A nuk po shikojmë individë të caktuar, që manipulojnë shuma të mëdha në duar, duke kujtuar se janë në gjendje të bëjnë qiellin dhe tokën, kërkojnë të tallen me varfarinë e njerëzve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtyt? A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetet impersonal?
Në një situatë të tillë mund të ndodhë që ajo ç’ka mbetet nga liria e porsafituar të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na shpjerë drejt autoritarizmit. Prandaj miqte dhe bashkepunetoret e mij, djemtë dhe vajzat e FDE kanë një përgjegjësi të madhe për të ngjallur shpresën dhe për të shpëtuar lirinë.

Një fakt është real; Shqipëria nuk e ka pasur të zhvilluar asnjëherë shoqërinë civile për shkaqe historike. Qytetarët i kanë parë zgjidhjet gjithnjë tek angazhimi i drejtpërdrejtë politik. Kohët e fundit kanë filluar të normëzohen grupet e interesit. Siç dihet një lëvizje legjitimohet me atë çfarë përfaqëson, ju çfarë përfaqësoni?
FDE është një organizatë e ideuar, themeluar dhe që drejtohet nga një grup të rinjsh të angazhuar në politikë por që përfaqësojnë bindje dhe parti të ndryshme politike. Kjo iniciativë ka si qëllim promovimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit midis aktorëve politikë por dhe të aktorëve të tjerë në fusha të ndryshme të shoqërisë si Biznesi, Shoqëria Civile, Media, rrethet akademike të cilat ndikojnë në zhvillimin e jetës normale në vend. Ne gjykojmë se disa nga pengesat kryesore në ngadalësimin e zhvillimit politik, ekonomik dhe social në vend janë mungesa e besimit dhe e bashkëpunimit reciprok. Në Shqipëri politika ka gjeneruar shumë konflikt dhe polarizim për shkak se ajo nuk vjen si politikë e lindur prej vlerave dhe parimeve por motivohet nga interesat meskine, individuale dhe të ditës. Këto shqetësime na shtynë të bëheshim së bashku si përfaqësues me përkatësi të ndryshme politike për të dhënë një shembull të gjallë bashkëpunimi në skenën politike shqiptare. Ne nuk dëshirojmë që këto ide të mbeten te izoluara thjesht në një grup njerëzish por te përçohen dhe tek aktorë me influencë në shoqërinë tonë. Ne besojmë se drejtues që kanë mirë-besim tek njeri tjetri pavarësisht diferencave politike mund të arrijnë të transformojnë shoqërinë. Vizioni i Forumit për Demokraci dhe Etike është të krijoje një lëvizje gjeneruese të ripërtëritjes morale në Shqipëri. Ne nuk jemi grup presioni por kërkojmë të ndryshojmë shoqërinë me anë të ideve dhe veprimeve tona duke drejtuar nëpërmjet shembullit dhe integritetit tone personal. Qëllimi nuk është thjesht të zëvendësojmë emra të përveçëm të politikës shqiptare për të pasur rezultate në përmirësimin e klimës politike por të ndikojmë për të ndryshuar frymën, ligjërimin dhe ambientin politik ku veprohet dhe merren vendimet. Është zgjedhja jonë e përbashkët dhe e secilit prej nesh individualisht që të mos jemi vetëm ambiciozë për karrierë personale por të përfaqësojmë politika ambicioze që sjellin ndryshim dhe rritje në shoqëri. Ky është një poçes që kërkon kohën e vetë dhe që ndikimin e vetë e kryen individ pas individi, ditë pas ditë dhe rrethane pas rrethane. E rëndësishme është se ne synojmë që më së pari të krijojmë një komunitet moral para se të kemi një komunitet politik, biznesi apo kulturor. Ne nuk kërkojmë vetëm metodat dhe strategji të mira, por mbi të gjitha ne kërkojmë dhe inkurajojmë njerëz më të mirë, liderë më të mirë. Integriteti personal i një drejtuesi është thelbësor për mirë-funksionimin dhe mbarë-vajtjen e procesit që sjell ndryshim brenda ambientit politik dhe social. FDE është një përpjekje për të iniciuar një stad të ri të marrëdhënieve ndërpolitike dhe sociale shqiptare i cili kryesisht lidhet me vendosjen e një kualiteti që i nevojitet politikës dhe shoqërisë sonë, klimën e bashkëpunimit dhe vazhdimësinë në qeverisje, forcimin e institucioneve dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit, demokracisë, lirive dhe etikes. Objektivi i FDE është bashkimi i kontributeve të qytetarëve të angazhuar, politikanëve, drejtuesve të shoqërisë civile, njerëzve të besimit, njerëzve të drejtësisë, intelektualeve, akademikeve, të rinjve, studentëve, dmth: faktorëve kryesore drejtues të shoqërisë, politikës dhe të institucioneve të shtetit shqiptar, kryesisht në kuadër të përafrimit të realitetit tonë me atë euroatlantik, pa marrë përsipër të zëvendësojë asnjë strukturë ekzistuese dhe ligjërisht përgjegjëse përpara votuesve shqiptarë. FDE ka bere objekt të aktivitetit të vete:a)Qasjet se Sa dhe Si ndërtohen programet qeverisëse në Shqipëri, duke nënkuptuar këtu programet politike apo elektorale, me synim përputhjen e tyre të plotë me interesat e qytetarëve;b)Qasjet Sa dhe Si i ndërtojmë këto programe konform projektit të integrimit që është mishëruar në marrëveshjen tonë të stabilizim asociimit me Bashkimin Evropian;c)Qasjet Sa dhe Si konsolidohet, ndryshohet, përafrohet profesionalisht administrata jonë me kriteret e një administrate të aftë për të përballuar sfidat e zhvillimit dhe ato të afrimit të vendit me realitetet euroatlantike;d)Qasjet Sa dhe Si funksionojnë, gjithnjë krahasuar me standardet euroatlantike, institucionet kryesore të shtetit shqiptar, ato të strukturës vertikale të qeverisë, ato të pavarura dhe veçanërisht në ç’marrëdhënie janë ato që normalisht do të duhej të konsideroheshin pushtete të pavarura që e bëjnë demokracinë një sistem funksional dhe ku ka terren për konkurrencën dhe ku mekanizmi i check and balance – kontrollues- është i mirëqenë, mirëveprues dhe i garantuar; e)Qasjet Si dhe Sa kemi ditur që përplasjen politike dhe sociale të mos e bëjmë modus vivendi i cili mbulon paaftësinë konkurruese dhe për pasojë atë qeverisëse të establishmentit tonë politik. f)Qasjet Sa dhe Si në shqiptarët kemi prodhuar qeverisje efektive. Sa dhe si kemi ditur të qeverisim Shqipërinë në respekt të rolit të saj stabilizues në rajon, pa e ulur vëmendjen, ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë ndaj interesave të shqiptarëve në rajon. Nëpërmjet ekspertizës, studimeve, kërkimeve dhe aktiviteteve të ndryshme të cilat përthyer në tematika më të thjeshta e më konkrete do të përbënin edhe aktivizimin e FDE në një terren që u jep përgjigje shqetësimeve bazë të shoqërisë sonë do të synojmë nxjerrjen dhe promovimin e rekomandimeve të FDE-së në lidhje me përcaktimin e profilit të ardhshëm ekonomik të vendit në realitetin global pjesë e të cilit po bëhemi, rekomandime të cilat synojnë inkurajimin e një qeverisje të vazhdueshme, çka do të thotë respektimin e strategjive afatgjata që nuk mund të ndryshojnë veçanërisht në fusha tepër sensitive siç janë arsimi, shëndetësia dhe orientimi gjeopolitik i vendit , jo thjesht në mënyrë të përgjithshme dhe me ligjërim steril, si psh: “që jemi për integrimin euroatlantik”, por si një vend që sjell besueshmëri tek qytetarët e vet dhe sigurisht tek investitorët aq të nevojshëm për zhvillimin e vendit, gjë që lidhet drejtpërsëdrejti me demonstrimin e aftësive qeverisëse të ne shqiptarëve.

Lëvizjet qytetare në Shqipëri, siç e thamë dhe më parë, kanë një histori dhe traditë dëshpëruese. E kanë nisur si lëvizje qytetare dhe kanë përfunduar si vegla politike në duart e liderëve politikë. Përpjekja juaj është për të rritur pazarin politik me ndonjë forcë të caktuar politike, apo...?
Filozofi Dallas Willard shkruan: “Njeriu duhet të synojë të bëhet ai lloj personi prej të cilit veprat e ligjit rrjedhin natyralisht”.
Me pak fjalë, çelësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë nuk janë vetëm aksionet, veprat tona apo sjellja jonë, ato na çojnë veçse në Korrektësi Politike.
Çelësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë është karakteri.
Kështu pra gjithsecili që e njeh vendin kritik të karakterit në momente kaq të mëdha të historisë, flet për karakterin jo si për një klishe fetare apo për një temë luksoze që është i parëndësishëm në këto kohët tona të ngutjes, ambicies, egos dhe imazhit pakufi.
Karakteri është një sfidë e pamatë personalisht dhe kulturalisht.
Kjo ka qenë sfida ime personale por edhe miqve të mi kur vendosem të bashkonim vullnetet tona në atë që sot njihet si FDE – Forumi për Demokraci dhe Etikë.
Kur ne e nisëm këtë udhë tonën, ne ishim shumë të ndërgjegjshëm që kemi zgjedhur rrugën që të çon e s’të kthen. Me zgjedhjen e kësaj udhe ne donim vetëm ti jepnim fillesë një procesi të gjatë në favor të së mirës, “..ngaqë një kohë të gjatë ndjejmë nevojën e krijimit të një institucioni, të një shkasi që do të nxiste shqiptarin të bëjë introspeksionin, ta inspektojë vetveten, të reflektojë jo vetëm për bëmat e të tjerëve por edhe të vetvetes….. Shqiptarët si kurrë më parë kanë nevojë për trajnim për aftësim që në mënyrë sa më efikase të fillojnë ta inspektojnë vetveten, ta zbulojnë të ligën, çfarëdo forme qoftë ajo dhe mekanizmat, pretekstet që e legjitimojnë atë. Pa njohje nuk ka vetëdijesim, ndërgjegjësim…” thotë miku i madh i FDE qe se shpejti do të jetë edhe Anëtar i Këshillit të Nderit të FDE, z. Arben Xhaferri.
Nismat, dhe përpjekjet e FDE janë në pikëpamjen time demonstrimi i dëshirës dhe nevojës së qytetarëve shqiptarë për BASHKIM dhe KOHEZION në shoqërinë tonë të lodhur e rraskapitur nga konfliktet dhe ndasitë. Përpjekja dhe aktivitetet e FDE janë gjithashtu demonstrim i dëshirës dhe nevojës së qytetarëve shqiptarë të gjithëve së bashku, për Vleftësimin e të Terës përmbi të Pjesshmen, për Vleftësimin e Kombit dhe Vendit përmbi partinë, për Vleftësimin e Interesit Publik përmbi atë vetjak.
Përpjekja e FDE është që të bëjë elokuente Qytetaret shqiptare për të sfiduar paqësisht udhëheqësit e tyre politike që te mos humbasin ne konflikte shterpe, por te kuptojnë se pikënisja dhe pikëmbërritja e çdo debati politik, e çdo beteje politike, e çdo motivimi apo vizioni politik duhet te jete Shqipëria dhe Qytetaret e saj.
Ne fakt për të thëne të vërtetën edhe së shpejti bëjmë 5 vjet që veprojmë ne këtë ambient, ne gjykojmë se ky është ende vetëm fillimi i një procesi.
Vete procesi do te jete një sfide e vazhdueshme për vete djemtë dhe vajzat qe janë bashkuar ne FDE dhe ne këtë Lëvizje te Ripërtëritje Morale, por edhe për te gjithë njerëzit qe lëvrojnë mendime, opinione dhe marrin vendime ne shoqërinë shqiptare. Sfida është për çdo qytetar për tu përcjellë me force dhe vendosmëri edhe tek udhëheqësit politike sepse sikurse thonë te moçmit :“Mbill një mendim, korr një veprim, mbill një veprim korr një tradite, mbill një tradite korr një karakter, mbill një karakter korr një Fat”

Ju thoni se keni një mision; ndryshimi i Shqipërisë nëpërmjet angazhimit të qytetarëve. Flitet shumë për angazhimin qytetar, por pakkush e ka arritur këtë. Ju i keni instrumentet e nevojshëm për t’i bërë qytetarët që të bashkohen me nismën tuaj?
Ne që qëndrojmë dhe besojmë se ky vend ende prodhon shpresë, kemi ekzaminuar dhe është mirë të vazhdojmë ti ekzaminojmë mundësitë tona ngase jam besimplotë që jemi shumë, ndaj edhe duhet t’i ushtrojmë të gjitha të drejtat, kapacitetin, energjitë, dijet, eksperiencën, dëshirat, vullnetin për të qenë shërbëtorë dhe autorë të së mirës ndërkohë që së bashku të gjithë si shoqëri punojmë për ditën kur Shqipëria do të behet Europë.
Nëse sot ne qëndrojmë stoikë në këtë vend ku “Tirania e shpërfilljes” është moral mbi moralin, ligj mbi ligjin, e drejtë mbi të drejtat, nëse qëndrojmë duke e ditur se ne kemi të drejtë të flasim por kurrsesi nuk kemi të drejtë të dëgjohemi, nëse jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se Shqipëria, është bërë Pengu i pacenueshëm i një grupi drejtuesish dhe politikanësh të cilët dhunën e diktaturës së Enver Hoxhës e kanë zëvendësuar me dhunën e interesave personale meskine të individëve dhe grup-individëve të caktuar, atëherë le të shohim pas në historinë tonë, dhe thellë në burimet tona të brendshme qoftë individuale qoftë si shoqëri, le tu referohemi demokracive dhe shoqërive të shëndetshme gjithashtu, Mendimtarëve të mëdhenj që ka Bota dhe kësisoj të shestojmë shanse dhe kohë ndryshe.
Jam i kthjellët se për “Zotërinjtë e Politikës” shqiptare, është e vështirë të thuhet se funksionojnë me rregullat e lojës demokratike.
Shpeshherë qasja që të vjen në mendje është se, për Ata, Shqipëria është bërë Bronxi apo Harlemi i tyre, ku ligji i më të fortit përcakton fatet e lojës.
Gati-gati krijohet përshtypja se në përmasa domethënëse për tu marrë seriozisht në konsideratë, drejtuesit dhe politikanët tanë të nderuar janë në një kompromis të qartë.
Në kushte të tjera mendje të mbrapshta do të mendonin se drejtuesit dhe politikanët tanë funksionojnë pothuajse njëlloj sikurse “familjet e malavites” të cilat pasi kanë ndarë zonat e influencës bazuar në marrëveshje të fshehta, me dyer të mbyllura zakonisht, vazhdojnë njëkohësisht edhe luftën e egër për më shumë ekspansion dhe dominim. Demokracia që na ofrohet është një demokraci me dyer të mbyllura.
Madje edhe debatet gjate krizave parazgjedhore, apo për reformat e shumëpërfolura, edhe negociatat, edhe përplasjet, marrëveshjet apo mosmarrëveshjet janë bërë të gjitha pas dyerve të mbyllura, ndonëse të gjithë e kane vetëdijen që demokracia me dyer të mbyllura është një demokraci e vrarë.
“Miqtë e mi, na takoi që të rinj një fat i ashpër. Kemi vuajtur nga rinia jone, si nga një sëmundje e rëndë. Kjo qe pasojë e kohës në të cilën lindëm, kohë e dekadencës së madhe të brendshme, e dekompozimit, që me gjithë paaftësinë dhe forcat e saj vepron kundër shpirtit të rinisë.
Shkatërrimi dhe pasiguria janë karakteristikat e kësaj kohe: asgjë nuk bazohet ne baza e besim te shëndoshe. Jetohet për të nesërmen, sepse e pasnesërmja është e dyshimtë…..” Ndonëse këto fjale të Nices i shkojnë shume për shtat realitetit tonë, unë jam plot shpresë dhe besim se ne jemi shumë, e në çdo zemër të qytetarëve shqiptarë gjen vend e fjetur apo e ndrojtur, “shpresa dhe ngasja për të mirën”. Ne jemi përnjëmend shumica e heshtur. Ne jemi forca e vërtetë lëvizëse në shoqërinë shqiptare, ndonëse ka vite e mbase dekada qe e keqja ne pakice ushtron kontroll mbi pushtetet e këtij vendi.
Për të shkuar më thellë në shpresën time do të thosha se edhe brenda vetë vendimmarrësve shqiptarë, udhëheqësve, deputetëve, drejtuesve qendrorë apo lokalë, qoftë si qenie njerëzore, qoftë si grup social, është dhe mund të marrë forcë kahja e së mirës. Ka dhe mund të zbulojmë apo ngremë drejtues që i kanë karakterin, integritetin dhe parimet si element themelor të formimit të tyre si bartës dhe ushtrues të detyrave publike, dhe pushtetit në shërbim të vendit ligjit dhe qytetarit.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›