50 minatorë nisen nga Bulqiza drejt Tiranës

Rreth 50 minatorë janë nisur mëngjesin e sotëm nga Bulqiza, për të mbështetur protestuesit në Tiranë. Minatorët e Bulqizës prej tre ditësh po protestojnë në kryeqytet, ndërsa pjesa tjetër e tyre vijon protestën në ambientet e “ACR”.
Ata janë të vendosur për plotësimin e kërkesave të tyre, dhe deklarojnë se nuk do të ndërpresin protestat deri në plotësimin e kushteve.
Ditën e djeshme, drejtori administrativ i firmës “ACR”, mbajti një konferencë për shtyp, ku u shpreh i gatshëm për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e minatorëve, por deklaroi nga ana tjetër se këta të fundit kanë nënshkruar një kontratë ku përcaktohet mosrritja e pagës.
Ndër të tjera ai deklaroi se po punohet për përmirësimin e kushteve të punës, një tjetër kërkesë kjo e parashtruar nga minatorët e Bulqizës.