E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 orë muzikë

Festivali i muzikës “Ngom fest”, nis sot (e premte) dhe do të zgjasë, me rreth 50 orë muzikë, deri më 26 qershor në Prizren. Bende të ndryshme nga rajoni dhe bota do të performojnë në katër skena të ndryshme Nga Albana S. Muja më 24 qershor 2011 në ora 10:49

Tri ditë, në katër vende të ndryshme, tingujt e muzikës do ta kaplojnë qytetin e Prizrenit, me rreth 50 orë program, në Festivalin e muzikës “Ngom Fest”.

Sipas, Doruntina Ukimerit, zëdhënëse për marrëdhënie me publikun, janë bërë të gjitha përgatitjet për të hapur festivalin, sonte (e premte) në orën 20:00. “Programi është ai që e kemi publikuar në ueb faqen zyrtare, skenat janë rregulluar, priten vetëm gjërat teknike të rregullohen, deri tani gjithçka ka shkuar ashtu si kemi planifikuar”, tha Ukimeri.

Ky program, me rreth 26 bende muzikore dhe rreth 10 DJ evropianë, do të performojnë në këto skena: në Shatërvan do të performojnë pop yjet, muzikantët nga Prizreni dhe komunitetet e ndryshme turke, rome dhe boshnjake nga mbarë Kosova; “Ish-parkingu” buzë lumit — ku është e paraparë që të performojnë bendet dhe DJ alternativë nga vendi dhe regjioni dhe në Marash jashtë qytetit - do të performojnë DJ të njohur botëror dhe lokal.
Koncerti i parë do të hapet nga Genc Salihu, pastaj do të performojnë bende pop dhe rock nga Kosova dhe Rajoni si: Bojken Lako, Jericho, Shpat Deda, 403, Kuarteti Pentagram, Offchestra, Ethnically Plugged, Gipsy Groov, Kthjellu e Alban Nimani.
Në skenën në parking-buzë lumit do të performojnë bende alternative dhe punk: The Freelancers, The Glasses, Conquering Lion, Sarkofuck, Gillespie, Alley Sin, Bud Pets, Pinkmetal, Noise Seeds, Impurita, The Frames, Me t’njofshëm, MadGo.

Ndërkaq në skenën në Marash do të performojnë DJ nga Kosova dhe bota: DJ Wiggi, Deejaysaurus, Vas, Wish.ko, Pass-N-G-R, Tolis Q, Toton (laus music), Sabb, Dark Angel, Jim Rivers (Intec, UK), Likatek (Episode).

Një skenë tjetër për adhuruesit e muzikës elektronike është krijuar në Kej buzë lumit ku do të performojnë: Da Lil, Roots Raid, Filip Motovunski, Son of Beat & Japan.
Gjithashtu, si pjesë e festivalit, studentët e shkollave të mesme nga e gjithë Kosova do të performojnë në ambientet e Hamamit të qytetit.

Sipas Ukimerit, skena në Shatërvan do të fillojë në ora 20:00 të premten, ditën e shtunë fillon nga ora 13:00 e njëjta skenë, edhe në parking, ditën e premte fillon në orën 20:30, ditën e shtunë nga ora 13:30, skena në Marash fillon ditën e premte pas orës 23:00 edhe ditën e shtunë pas orës 23:00. Ditën e diel do të jetë vetëm skena në Key që fillon nga ora 13:00.

Gjatë festivalit do të organizohet edhe aktiviteti i pastrimit të lumit të qytetit nga vullnetarët e Ngom-it si dhe mbjellja e fidanëve në pjesë të ndryshme të qytetit, të cilat do të marrin emrin e artistëve pjesëmarrës të festivalit. Këto aktivitete kanë për qëllim mbrojtjen e ambientit si dhe rritjen e vetëdijesimit mbi pastërtinë e ambientit ku jetojmë.

Organizatorët e “Ngom Festit” po përkujdesen edhe për rregullimin e kampit buzë lumit, i cili do të shërbejë për akomodimin e shumë mysafirëve, të cilët do të vijnë në Prizren. Kampi do të hapet një ditë para festivalit, më 23 qershor, ndërsa vendi i kampit është kampi i Festivalit DokuFest. Çmimi për kamp është 1 euro ndërsa të interesuarit që të qëndrojnë në kamp e kanë mundësinë që të aplikojnë në ueb faqen e festivalit: www.ngomfest.com.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›