50 shtëpi botuese në Panairin e Librit në Ulqin
Panairi i librit në Ulqin, që zhvillohet çdo vit në periudhën e verës, dhe ka për traditë që në çdo edicion të ketë të ftuar të veçantë, rikthehet në edicionin e tij të 11-të që do të zhvillohet në datat 23-30 korrik, në shëtitoren e Plazhit të Vogël. Rreth 50 botues pjesëmarrës do të sjellin botimet e tyre nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja, Kroacia etj., ndërkohë që të ftuar do të jenë shumë shkrimtarë, poetë, akademikë e politikanë të niveleve të larta. Si i ftuar i veçantë nga fusha e kulturës do të jetë studiuesi Bajram Kosumi, ish-kryeministër i Kosovës, për veprën e të cilit do të organizohet një mbrëmje e veçantë. Ceremonia e çeljes së Panairit do të organizohet ditën e hënë, 25 korrik, ora 20:30, ndërkohë që për një javë tituj të shumtë librash do të prezantohen për pushuesit e Ulqinit. Ata do të kenë mundësi të njihen me letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja etj.
Në vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Luan Starova etj. Në Panairin e Librit “Ulqin 2011” do të marrin pjesë edhe shtëpi botuese nga Shqipëria.