“Amadeus”, premiera e Teatrit Kombëtar rikthen Ndriçim Xhepën
Një sezon mjaft të suksesshëm e ka cilësuar drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, atë që kemi lënë pas, duke vazhduar me projektet për sezonin e ardhshëm që fillon në shtator, kur premiera e parë do të jetë drama “Amadeus” e Peter Shapffer, me regjisor Altin Bashёn. Për rolin e Salierit regjisori Altin Basha do të ngjisë në skenë aktorin Ndriçim Xhepa. Për herë të fundit Ndriçim Xhepa është ngjitur në skenë me shfaqjen “Darka e gabuar” e Ismail Kadaresë, vënë në skenë nën regjinë e Fatos Haxhirajt, premierë kjo e majit e të vitit 2010. Ndërkohë që “Amadeus”, që do të risjellë në skenën e teatrit aktorin Xhepa, është një dramë psikologjike që rrëfen historinë e luftës mes Salierit dhe Amadeusit për të zënë vendin e dirigjimit të orkestrës së oborrit të mbretit Jozef i Dytë.
Duke parë talentin e Amadeusit, Salieri që ishte dhe dirigjent në oborrin mbretëror, thur një komplot. Ai vishet me një maskë, që nuk njihet, dhe i kërkon Amadeusit të shkruajë dy vepra kishtare. Ai fillon të shkruajë “Requiem” dhe “Mass in Dminor”, pa e ditur se kush e kishte kërkuar këtë. Salieri e merr veprën e Amadeusit dhe e interpreton në oborrin mbretëror, duke treguar se ai ishte kompozitori i pjesëve të muzikës kishtare, duke marrë në këtë mënyrë edhe famën e veprave muzikore. Provat për shfaqjen kanë filluar që në muajin qershor, ndërkohë që regjisori dhe stafi i aktorëve i kanë ndërprerë ato për të filluar në shtator. Historia e “Amadeus”-it ka korrur sukses jo vetëm në skenat teatrore nëpër botë, por edhe në kinematografi.