E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një javë panair libri në Ulqin

TIRANË- Panairi i Librit “Ulqin 2011” rikthehet në edicionin e tij të 11-të që do të zhvillohet në datat 23-30 korrik, në shëtitoren e Plazhit të Vogël.
Rreth 50 botues pjesëmarrës do të sjellin botimet e tyre nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja, Kroacia etj, ndërkohë që të ftuar do të jenë shumë shkrimtarë, poetë, akademikë e politikanë të niveleve të larta.

Si i ftuar i veçantë nga fusha e kulturës do të jetë studjuesi Bajram Kosumi, ish- kryeministër i Kosovës, për veprën e të cilit do të organizohet një mbrëmje e veçantë. Ceremonia e çeljes së Panairit do të organizohet ditën e hënë, 25 korrik, ora 20:30, ndërkohë që për një javë tituj të shumtë librash do të prezantohen për pushuesit e Ulqinit.

Ata do të kenë mundësi të njihen me letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, etj.

Panairi i librit në Ulqin zhvillohet çdo vit në periudhën e verës dhe ka për traditë që në çdo edicion të ketë të ftuar të veçantë. Në vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Luan Starova etj.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›