Forumi i Trashëgimisë lihet jashtë dyerve të MTKRS-së
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar dje në një konferencë për shtyp, duke e konsideruar si të jashtëligjshëm mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve të datës 15 korrik nën drejtimin e zv.ministres Suzana Turku. “Shkelja e parë dhe në themel, është vetë thirrja e Këshillit pa pasur ministër. Ligji përcakton qartë që Këshillin e thërret dhe e drejton ministri i Kulturës. Është njësoj sikur një ministër të mbledhë Këshillin e Ministrave, kur ka rënë qeveria dhe nuk ka Kryeministër (!). Shkelje tjetër ishte zhvillimi i mbledhjes në kushte kur pjesëmarrja nuk plotësonte kuorum-in e kërkuar prej 3/4 e anëtarëve. Të premten mungonin Roland Olli (ASHA), Kristaq Kaskaviqi, Enver Faja dhe Belisa Muka. Me ish-ministrin, z. Xhaferri, kishim arritur një marrëveshje sipas së cilës përfaqësuesit tanë do të ishin të pranishëm në mbledhjet e këtij Këshilli. Kjo marrëveshje u harrua nga zv.ministrja Turku. Ajo përpara një muaji ishte vënë në dijeni nga ana jonë për paligjshmërinë e kësaj mbledhjeje. Forumi kërkon që kjo mbledhje e paligjshme të deklarohet nul nga ana e Ministrisë së Kulturës” - thonë në deklaratën e tyre për shtyp përfaqësuesit e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.