E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa Myftiu dhe Elina Duni në një mbrëmje artistike

TIRANË- Shkrimtarja Besa Myftiu dhe këngëtarja Elina Duni do të bashkohen këtë të enjte në Teatrin e Metropolit në një mbrëmje artistike me letërsi dhe këngë.

Në sallën Çehov të Teatrit të Metropolit Besa Myftiu do të interpretojë poezi nga vëllimi ‘Miq të humbur’ dhe fragmente nga romani ‘Rëfime nga vendet e harruara’, shoqëruar nga e bija Elina Duni.

Këngëtarja shqiptare e muzikës jazz, që jeton në Zvicër, do të interpretojë disa këngë nga repertori i saj të cilat i ka kënduar edhe në disa skena botërore.

Duni ka pasur edhe një koncert në Tiranë, në fund të vitit të kaluar, ku në Akademinë e Arteve së bashku me kuartetin e saj solli një ndërthurje të folklorit shqiptar me muzikën jazz.

Mbrëmja muzikore do të shfaqet për publikun në 21 korrik, ora 19:00, ndërkohë që ky aktivitet artistik është ndër të paktit në kryeqytet në një kohë kur institucionet kulturore kanë mbyllur sezonin artistik.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›