E Hënë, 2 Nëntor 2026

50 vjet, Galeria Kombetare me shume ustallare se artiste

14/12/2004  50 vjet - Galeria Kombëtare

Më shumë ustallarë dyersh se sa artistë

Jo vetëm që s'ka asgjë të keqe restaurimi i ambienteve të brendshme të Galerisë Kombëtare, madje më shumë se kurrë ka qenë i nevojshëm një restaurim i gjithanshëm i saj. Por këto punime që e kishin shndërruar Galerinë Kombëtare në një kantier ndërtimi, në ditën e 50-vjetorit të krijimit të saj, të krijonin përshtypjen e atyre rrugëve që bëhen me ngut, disa ditë para fushatave zgjedhore.

Do të kishte qenë e udhës që, gjithsesi, këto punime të paktën në hollin e Galerisë të kishin përfunduar disa ditë më parë, në mënyrë që edhe kjo ditë jubilare, edhe në aspektin estetik të përkonte me rolin e saj në jetën e artit shqiptar. Por, edhe takimi i organizuar me këtë rast në sallën e bibliotekës së Galerisë, ishte shumë larg një feste apo edhe një retrospektive të kësaj qendre të madhe të artit figurativ shqiptar. Në fjalën e mbajtur me këtë rast (në një audiencë shumë të ngushtë artistësh) drejtori i Galerisë, Abaz Hado, duke folur për rëndësinë e vitit 1954, vit kur edhe u themelua për herë të parë Galeria Kombëtare, shprehu nderim për Odise Paskalin, Janaq Paçon, Pali Dhimitrin, Andon Kuqalin, të cilët me shumë përkushtim krijuan fondin e parë me vepra të emrave të mëdhenj të artit figurativ shqiptar, që nga Kol Idromeno, Vangjush Mio e deri te veprat e Odise Paskalit, duke futur kështu në fondin e kësaj Galerie 100 veprat e para.

"Sot në Galerinë Kombëtare kemi 6000 vepra dhe, kjo si rezulatat edhe i përpjekjeve të gjithë drejtorëve të Galerisë, që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim", është shprehur Hado. Ajo që ra më tepër në sy në fjalën e Hados ishte falja publike që ai kërkoi në emër të institucionit që përfaqëson, ndaj të gjithë artistëve të dënuar për shkak të artit të tyre nga diktatura. Pas 50 vitesh të krijimit të saj, përpjekjet e punonjësve të kësaj Galerie (të cilët paguhen vetëm 15 mijë lekë në muaj), kanë mundësuar një hapje drejt konceptimeve moderne për pasqyrimin edhe të artit bashkëkohor. Mund të përmendim këtu organizimin e disa aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare, si Bienalen e Tiranës, "Onufrin" dhe "Marubin". Por, edhe në këtë përvjetor të 50-të, Galeria Kombëtare ende nuk ka një katalog apo edhe vende të sigurta për magazinimin e veprave që disponon.

Leonard Olli

Abaz Hado kërkon falje publike për të dënuarit

Drejtori i Galerisë, Abaz Hado, duke folur për rëndësinë e vitit 1954, vit kur edhe u themelua për herë të parë Galeria Kombëtare, shprehu nderim për Odise Paskalin, Janaq Paçon, Pali Dhimitrin, Andon Kuqalin, të cilët me shumë përkushtim krijuan fondin e parë me vepra të emrave të mëdhenj të artit figurativ shqiptar, që nga Kol Idromeno, Vangjush Mio e deri te veprat e Odise Paskalit, duke futur kështu në fondin e kësaj Galerie 100 veprat e para. Galeria Kombëtare e Arteve, i ka fillesat e saj në vitin 1954, kur një grup artistësh, midis tyre emra të njohur të artit shqiptar, Odise Paskali, Janaq Paço, Andon Kuqali etj., grumbulluan 100 veprat e para të këtij institucioni të sapolindur. Fillimisht, godina e saj do të ishte në rrugën "Konferenca e Pezës" dhe, në vitin 1956 u zhvendos në rrugën "Fortuzi". Ekspozitat e organizuara ishin të hapura edhe për publikun e gjerë. Në 29 nëntor 1974, u inaugurua godina aktuale e Galerisë, që, tashmë kishte arritur të kishte në fondin e vet 320 vepra. Nga sallë ekspozitash, ajo u quajt Galeria e Tiranës (ndryshe quhej Galeria e Arteve Figurative) dhe, vetëm në vitin 1992, me vendim të Këshillit të Ministrava u emërtua Galeria Kombëtare e Arteve. 50 vite pas krijimit të saj, Galeria numëron 6 mijë vepra në fondin e saj, por ende numri i veprave që kanë hyrë në këtë fond, pas periudhës komuniste, vazhdon të jetë mjaft i vogël. Krijimi i "Pavionit jeshil" krijoi mundësinë që më fund të ekspozoheshin edhe vepra të autorëve të Rilindjes Kombëtare.

Komunizmi si Perandoria Bizantine

Suzana Varvarica

Arti figurativ në Shqipëri u shfaq i distancuar plotësisht nga ndikimet religjioze vetëm rreth fundit të shek.XIX, me krijimtarinë e Kol Idromenos, e që më vonë lulëzoi me krijimtarinë e të gjithë artistëve të nderuar të artit të Rilindjes... Gjatë viteve '44-'90, shteti komunist shqiptar i dha shumë rëndësi arteve figurative, ashtu sikundër edhe Perandoria Bizantine kishte bërë të njëjtën gjë, sepse emocioni figurativ ka një efektivitet të fortë vizual mbi njeriun. Përveçse të gjitha arsyeve të tjera thelbësore që e shtyjnë krijimtarinë njerëzore të zhvillohet e të trashëgohet, mendoj se gjatë kësaj periudhe krijimtaria artistike nuk pati asnjë kufi përcaktues. Këtë e dëshmojnë ekspozimi i veprave në të njëjtën sallë, si të artistëve, ashtu edhe të amatorëve të artit. E dëshmojnë shtypi e botimet e kohës, e dëshmojnë një sasi jo e pakët veprash që ruhen në fondin e Galerisë, e dëshmojnë monumentet e ekspozuara në sheshe... Komunikimi i publikut me ekspozimin, përveçse ishte vetjak dhe i rrallë, ishte tejet i organizuar dhe masiv. Kjo është shumë e rëndësishme, të organizosh dhe të masivizosh komunikimin e ekspozimit me publikun. Ky është sot koncepti i ri. Në formulimin gjuhësor "i organizuar dhe masiv" është plotësisht i ngjashëm për të dy kohët, si para dhe pas komunizmit, por janë katërcipërisht të ndryshëm aplikimet e këtij komunikimi në këto kohë tërësisht të ndryshme. Në komunizëm ekspozitat porositeshin nga shteti apo ideologjia e centralizuar e kohës. Termat, subjektet, forma, gjinitë artistike buruan nga kjo ideologji, që ishte plotësisht e lidhur me arsimin. Në këtë periudhë vizitat publike në muze apo galeri bëheshin të organizuara dhe ciceronët e veprave të artit e shpallnin momentin ideologjik, të përjetshëm dhe mitologjik të liderit politik, si momentin më të rëndësishëm e më të fuqishëm të realizuar në një vepër arti...

Në paskomunizëm, ekspozitat porositen nga idetë kuratoriale të një kuratori apo grup kuratorësh, përjashtojmë ekspozitat që vazhdojnë të porositen nga zbatimi i politikave kulturore të shtetit shqiptar. Këto ide nuk lindën në mjedise boshe e formale, por janë mbështetur te përpjekjet e mëdha të individit, për t'u përballur, për t'u ndeshur e për të mbijetuar në makrokozmosin e madh shoqëror dhe natyror që e rrethon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›