E Hënë, 2 Nëntor 2026

UEFA jep verdiktin

15/12/2004  

Pas një jave pushim, do të rikthehet sërish kompeticioni Kupa UEFA, me surprizat dhe të papriturat e shumta. Me fillimin e fazës së grupeve, duket se edhe në këtë eveniment të rëndësishëm sportiv në Evropë, interesi është gjithmonë në rritje të vazhdueshme. Këtë interes e kanë treguar vetë përballjet midis disa skuadrave, të cilat ndoshta, nuk gëzojnë një emër të madh në futbollin evropian, kanë ofruar një nivel të jashtëzakonshëm loje në fushat e blerta. Për sa i përket ndeshjeve të mëparshme, sigurisht surprizat nuk kanë munguar aspak, ku ka spikatur skualifikimi i papritur i Lacios. Skuadra bardhekaltër gjatë katër ndeshjeve të zhvilluara, ka arritur të fitojë vetëm tre pikë që do të thonë barazime me Vilarealin, Partizanin e Beogradit dhe së fundmi, me Egaleon. Ndërkohë, shumë pozitive ka rezultuar paraqitja e skuadrave angleze, të cilat me lojën e tyre, kanë treguar një përgatitje dinjitoze dhe gola me shumicë. Ishte Midëllsboro, një nga skuadrat debutuese në Kupën UEFA, e cila deri më tani, pas fitores kundër Lacios dhe rezultateve të tjera pozitive, është shfaqur me forcën e duhur, për të përballuar këtë kompeticion. Pas skualifikimit të Udinezes dhe Lacios, nga skuadrat italiane, e cila mban akoma stafetën, është Parma. Skuadra emiliane, megjithëse ka shkarkuar trajnerin aktual, Silvio Baldini, si pasojë e rezultateve negative në Serinë A, duket se do ta ketë mjaft të vështirë për të siguruar biletën e kualifikimit, për në raundin tjetër. Përveç problemeve me pankinën tashmë, Parma duhet të përballet edhe me vështirësitë financiare, gjë e cila e vendos në një pozitë delikate lidhur me Kupën UEFA. Tashmë për Parmën, ka ngelur si mundësi e vetme, fitorja kundër turqve të Beshiktashit, në ndeshjen e fundit të Grupit B. Humbja kundër Livornos, në Serinë A, jo vetëm ka nxjerrë jashtë loje, trajnerin Baldini, por ka treguar se, në këtë skuadër problemet e mëdha do të zgjasin. Në Grupin D, skuadra e Njukasëllit, që ka qenë edhe gjysmëfinaliste vitin e kaluar, duket se e ka siguruar biletën e kualifikimit për në fazën tjetër. Kështu, në takimin që do të zhvillohet në “Sent Xhejms Park”, kundër Sportingut të Lisbonës, djemve të Sunes, iu duhet vetëm barazimi. Po ashtu, edhe skuadrës portugeze, do t’i nevojitej vetëm një pikë, për të vulosur kalimin për më tej. Në këtë mënyrë, skuadra e Sunes, që ka fituar të trija ndeshjet e mëparshme, do të ketë shansin më të mirë për t’u hakmarrë ndaj Sportingut. Skuadra portugeze ka fituar me rezultatin 1-0, kundër Njukasëllit, në një takim për turin paraeliminator. Nga ana tjetër, po në këtë grup, francezët e Soshos, duhet vetëm t’i shmangen humbjes ndaj Panionios, për të siguruar kualifikimin e mëtejshëm, së bashku me Njukasëllin, apo Sportingun. Një betejë më e fortë për t’u kualifikuar, do të bëhet në Grupin E, ku janë tri skuadra, të cilat kërkojnë me çdo kusht fitoren. Për debutuesit e Midëllsboros, do të jetë një detyrë e vështirë, sepse përballë tyre, qëndrojnë Partizani i Beogradit. Megjithatë, aspekti pozitiv për skuadrën e Stiv Meklaren, është se anglezët do të ndeshen në stadiumin “Riversajd” dhe ky fakt pa dyshim, që do të jetë një plus për ata. Për sa i përket spanjollëve të Vilarealit, një barazim apo fitore, kundër modestëve të Egaleos, do t’i siguronte kalimin për në raundin tjetër. Ndërsa, surpriza e Kupës UEFA, skuadra ukrainase e Dnipros, e ka hipotekuar me kohë, kualifikimin dhe tashmë është në pritje të dy vendeve të tjera. Do të jenë Real Saragoza, Klub Bruzh dhe Austria Viena, të cilat do të ndeshen për të siguruar dy vendet e mbetura për kualifikimin e mëtejshëm. Një tjetër barazim që mund të garantojë kalimin në fazën pasardhëse, duket se do t’i takojë edhe skuadrës së Matia Samer. Kështu, Shtutgartit që po rikthehet në formën më të mirë në Bundesligë, i nevojitet vetëm një pikë, në takimin kundër Dinamo Zagreb, për arrijtjen e kualifikimit aq të dëshiruar. Nga ana tjetër, skuadra holandeze e Herenvenit, do të kërkojë me çdo kusht, një fitore në Grupin G, kundër fqinjëve të Beverenit, të cilët gjenden pa shpresë. Në grupin e fundit, beteja vendimtare zhvillohet ndërmjet skuadrës gjermane të Bundesliga II, Alemania Ahen dhe grekëve të AEK. Për sa i përket Grupit H, janë vetëm dy skuadra, të cilat e kanë siguruar kualifikimin për më tej dhe ato janë, Sevilja e Lila.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›