50-vjetori i Cirkut të Tiranës, shpalos vlerat ndër vite
Izaura Ndoj
Cirku shqiptar mbush 50 vjet nga krijimi i tij në fillim të muajt dhjetor. Për cirkun e Tiranës kjo është një periudhë shumë e impenjuar. Sipas udhëheqësit artistik Fatos Roshi, “Ky 50 vjetor është një arritje jo vetëm në fushën e akrobacisë por sepse kujton të gjitha vlerat e këtij arti të magjishëm”. Mobilizimi është total për të bërë të mundur shpalosjen e vlerave më të mira për 50 vjetorin e kësaj trupe, theksoi Roshi. “Magjia e cirkut vazhdon” është personifikuar shfaqja që do t'i sillet publikut kryeqytetas dhe është konceptuar në një formë të re, e cila pritet të dal me 12 dhjetor. Janë bërë pothuajse 50 vjet që nga krijimi për herë të parë i Cirkut Shqiptar dhe që nga ajo ditë artistë të moshave të ndryshme kanë mrekulluar publikun me talentin dhe guximin e tyre. Numra të paharrueshëm për nivelin artistik dhe shkallen e rrezikshmërisë kanë ngelur në kujtesën e publikut. Më tej Roshi, thotë se në pritje të 50 vjetorit të krijimit është realizuar një përmbledhje e numrave më të mirë ndër vite, janë ripunuar dhe rikonceptuar e do t'i serviren publikut ne premierën më të re, “Magjia e cirkut vazhdon”. Një suprizë të veçantë gjatë këtij audicioni përbën ekzekutimi i vlerave më të mira të përfaqësuara nga mjeshtra veteran si: Pavli Sallata, Bajram Kurti, Halil Minzolli, fatos Alla, Ali Juca dhe breza më të ri të artistëve ekzekutues si, Stela Bllashmi, Manushaqe Mullai dhe shumë të tjerë. Në një mozaik të numrave të ajrit, akrobacisë, plastikës, xhonglimit, numrave të shpejtësisë dhe kllounatës, do të ringjiten në arenë “Fjongoja fluturuese”, “Klasa e qeneve”, “Basketbollisti xhongler”, “Plastika- Vajza e kabaresë” si dhe lojëra humoristike të klounëve tanë”, - thekson më tej z.Roshi. Ai pohon se nuk do të mungojnë performancat e fëmijëve të grupit “Spektër” që i shtojnë koloritin shfaqjes. Spektakli është i garantuar nën kujdesin artistik të mjeshtrit Fatos Roshi dhe në interpretimet e akrobateve Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku, Juxhina Madhi, Pranvera Sallata, Fitnete Duro, Xhejms Kodra, Novruz Hyseni dhe prezantimin e Vilson Gjoca
Historiku i cirkut
Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë “Shkopi Magjik”. Ndërsa në vitin 1964 premiera “Fluturime akrobatike” ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, Cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera “Drejt lartësive” e para në çadrën arenë të cirkut. Kjo e plotësoi cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku “çadra shëtiste” ishte në rrethe të kategorisë së parë dhe të dytë. Shfaqet u kthyen në manifestime. Studio e Cirkut u arrit vetëm në vitin 1977, ku u përgatitën elementët brenda trupës profesioniste, që e kanë ushqyer trupën e cirkut me elementë të rinj. Studio dhe sot e kësaj dite ekziston, po ashtu mjeshtrit e cirkut, kontributi i tyre mbi 30 -vjeçar nuk është shuar, përkundrazi në vite ka nxjerrë elementë të cilët debutojnë e kanë debutuar në arenën e cirkut, e gjetkë.
Eksperienca
Bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera që e kanë shumë të zhvilluar cirkun si: Kina, Rusia, Franca , Italia etj, dhe në Shqipëri roli i mjeshtërve dhe i specialistëve të artit të cirkut nuk ka moshë. Ka dy sfida; e para është profesionale, ajo e të qenit artist në skenë pavarësisht moshës; ndërsa pas saj vijnë mjeshtrit që e ushqejnë artistin me krijimtari. Deri më tani nuk është bërë asgjë për një trajtim të mirë të pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm edhe pse dihet që baza e ekzistencës së artit varet nga këta njerëz. Madje këta njerëz trajtohen pamjaftueshmërisht ndaj sot kemi vetëm 10 mjeshtër, 30 akrobatë profesionistë dhe rreth 50 nxënës. Tanimë mungojnë edhe kualifikimet dhe nuk është marrë asnjë masë në këtë drejtim, kur dihet që nga vitit 1960 -1975 janë bërë dy kualifikime me dy grupe në Kinë.
Pas viteve 1990
Në fund të viteve 80-të cirku po luhatej. Kjo u quajt edhe faza e “mbijetesës”, që edhe sot vazhdon po me të njëjtin ritëm larg arritjeve bashkëkohore. Pati largime artistësh, të cilët emigruan në vendet e tjera dhe punojnë atje jashtë profilit të tyre. Cirku nga 107 vetë gjithsej u katandis në 50 – 60, nga të cilët rreth 30 artistë. Pati probleme me çadrën arenë pas dëmtimit të saj, e cila u rikuperua me vonesë pas vitit 2000. Pagat diskriminuese sollën largimin e dytë të artistëve, këto paga varionin nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë, sot mbi 28 mijë lekë. Kufizimi i aktivitetit artistik brenda vendit dhe humbja e traditës në rrethe iu shtua faktorëve të tjerë negativë. Largohen profesionistët, quhen “të vjetër në moshë”, jo për aftësinë e tyre.
Cirku sot
Met Selimi, Ali Juca, Fatos Roshi, Fatos Alla, Kujtim Dumi, Sokrat Buzo janë në funksion të punës së tyre, mjeshtrit e studios Agron Muho, Ana Dumi, Nexhmie Dakli, etj., vazhdojnë aktivitetin artistik në Cirkun e Tiranës. Po ashtu, Pranvera Sallata (Agolli), Fitnete Ruçi (Duro), Stela Blloshmi, Loreta Lika, Gentian Dollaku, Manushaqe Mullai, Brunilda Koka dhe të rinjtë; Klaudia Duro, Eris Dakli, Irida Dori etj. Brez i ri i stërvitur nga të “vjetrit” profesionistë vazhdon të debutojë me sukses në të gjitha shfaqet.
Presidenti i Republikës viziton shkrimtarin Ismail Kadare
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi dje shkrimtarin Ismail Kadare. Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë e tij të madhe dhe konsideratën që shkrimtari shqiptar u nderua me çmimin e lartë “Princi i Asturias”. Presidenti Topi e vlerësoi këtë çmim si dhe çmimin e mëparshëm “Man Booker International Prize”, si një arritje të madhe të shkrimtarit Kadare dhe si një sukses të padiskutueshëm të letërsisë shqiptare në botë. Ky çmim vjen në një moment shumë të rëndësishëm kur vendi ynë ndodhet në fazën kulmore të sfidës së tij integruese, është shprehur mes të tjerash Presidenti Topi, i bindur që ky vlerësim ndërkombëtar është një nxitje e mëtejshme dhe domethënëse në rrugën e pandalshme të shqiptarëve drejt familjes evropiane, rrugë e cila është bërë më e lehtë edhe falë veprës së shkrimtarit Kadare. Nga ana e tij z. Kadare dhe bashkëshortja Elena, e falenderuan Presidentin e Republikës për urimin dhe për këtë vizitë miqësore. Gjatë takimit u bashkëbisedua për aktualitetin në vend dhe zhvillimet në rajon e më gjerë.
Nënshkruhet marrëveshja për bashkpunim kulturor, Shqipëri- Mali i Zi
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkpunim kulturor midis dy vendeve. Marrëveshja është nënshkruar nga ministëri shqiptarë i Kulturës Ferdinand Xhaferri, dhe homologu i tij malazezë Branislav Micunovic. Bashkëpunimi kulturor do të shërbejë si një shkëmbim përvojash midis dy vendeve. Sipas Xhaferrit mërrëveshja do i shërbejë edhe zhvillimit të turizmit, prijoritet ky i qeverisë sonë. Edhe vetë ministri malazez Micunovic ka vlerësuar këtë marrëveshje duke e parë si një rast për vazhdimin dhe bashkpunimin e mëtejshëm midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo marrëveshje është projekti bazë i bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve. Gjatë nënshkrimit të saj dy ministrat kanë rënë dakord që takimin e radhës ta bëjnë në janar të 2010-ës.
11 Nentor 2009