Agim Toro: “Do të dërgojmë në Kushtetuese ligjin për fshatrat turistike”
Eljona Ballhysa
Shoqata e ish-pronarëve të Shqipërisë, “Pronësi me drejtësi”, do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e sapomiratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për legalizimin e tokave në bregdet, të dhëna për ndërtimin e fshatrave turistike. Kryetari i kësaj shoqate, Agim Toro, është shprehur dje për mediat se ky ligj është antikushtetues për shkak se shkel të drejtën e pronarëve për të gëzuar pronën e tyre. Sipas Toros, ligji favorizon ndërtuesit që kanë ndërtuar mbi tokën e ish-pronarëve, duke u dhënë atyre të drejtën e blerjes së tokës, pastaj i jepet mundësia e kthimit të kësaj toke pronarit të ligjshëm. Pra, e drejta e pronarit të ligjshëm trajtohet në këtë ligj si e dorës së dytë.
Toro gjithashtu ka bërë të ditur se ky ligj është hartuar dhe është miratuar nga Kuvendi pa marrë në konsideratë opinionin e grupeve të interesit, që janë shoqatat e ish-pronarëve. “Mohimi i një të drejte të dhënë me ligj nga një ligj tjetër është një shkelje haptazi e të drejtave kushtetuese, domosdoshmërisht do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese sepse mohon, mbi të gjitha, të drejtat e pronarëve. Çdo të drejtë të pronarëve ne kemi marrë përsipër ta mbrojmë në rruge demokratike deri në Gjykatën Kushtetuese”, - është shprehur Toro. Ligji, sipas Toros, ndryshe nga titulli, prek dhe tokat private, duke u dhënë prioritet atyre që kanë ndërtuar fshatrat turistike në vend të pronarëve të tokës. “Ky ligj, jo ashtu siç e ka titullin, që vepron mbi tokat shtetërore, por vepron edhe mbi tokat private, sepse titulli i ligjit, me përmbajtjen e tij janë të ndryshëm. Pronarit po i ikin disa të drejta, të cilat i kishte fituar me një ligj. Një e drejtë e fituar me një ligj nuk mund të hiqet me një ligj tjetër, sepse pronarët janë të gjithë të barabartë”, - është shprehur Toro.
Ligji
Kuvendi miratoi pak kohë më parë vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës projektligjin për privatizimin e truallit në zonat turistike. Ky ligj u dekretua menjëherë nga Presidenti i Republikës me gjithë kundërshtimet e shoqatave të ish-pronarëve. Në bazë të këtij projektligji, personat që kanë blerë objekte të ndërtuara në zonat turistike duhet të paguajnë për truallin në të cilin është ndërtuar objekti. Në rast të kundërt, objekti konfiskohet nga shteti. Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë kanë bërë të ditur gjatë diskutimit të projektligjit se 90% e kontratave të lidhura mes qeverisë dhe personave të stimuluar në bazë të ligjit të vitit 1993 janë shkelur. Këta persona kishin të drejtë, në bazë të këtij ligji, që të ndërtonin fshatra turistike dhe objektet t’i jepnin me qira. Por, përkundrazi, këta persona kanë ndërtuar objekte dhe në kundërshtim me kontratën ua kanë shitur këto objekte personave të tretë duke shkelur ligjin. Ky ligj u jep të drejtën e blerjes së truallit ku janë ndërtuar objektet, së pari ndërtuesit dhe së dyti personit që ka blerë banesën. Në rastin kur trualli i shitet personit që ka blerë banesën, çmimi paguhet në masën 80% të vlerës prej tij dhe 20% të kësaj vlere nga ndërtuesi që ka shkelur kontratën me shtetin.
Procedura
Personat e interesuar për privatizimin e truallit duhet të paraqesin brenda një afati 60-ditor dokumentacionin që do të publikohet nga Agjencia Kombëtare e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Gjatë këtij procesi, ALUIZNI ka si detyrim bashkërendimin e punës me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikimin e të dhënave për pronat shtetërore në zonat turistike të dhëna me qira. Blerja e truallit të njësisë së ndërtimit bëhet në bazë të kërkesës së paraqitur nga subjekti i interesuar, që mund të jetë pronari i objektit ose personi i stimuluar, pra ai që ka marrë me qira truallin shtetëror. Ndërkaq, çmimi i truallit do të jetë në proporcion me sipërfaqen në funksion të njësisë së ndërtimit. Trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi të personit që gëzon objektin e ndërtuar brenda një zonë të stimuluar, që është zona turistike e ndërtuar në truall shtetëror. Kontrata e shitjes ndërmjet ALUIZNI-t dhe subjektit të interesuar lidhet vetëm pas pagimit të plotë të çmimit të shitjes. Vetëm pas nënshkrimit të kontratës, subjekti i interesuar ka të drejtë që ta regjistrojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kontratën për fitimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Projekti parashikon se më parë do të realizohet çregjistrimi i objekteve private të ndërtuara në truallin shtetëror, pasi regjistrimi i tyre është i paligjshëm. Është përcaktuar si i domosdoshëm çregjistrimi i shitjeve të paligjshme në mënyrë që t’i hapet rruga zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të gjendet zgjidhja në rast se subjektet që disponojnë objektet refuzojnë të blejnë truallin. Në projekt parashikohet se procesi i regjistrimit fillestar të këtyre objekteve në ZRPP do të kryhet nga ALUIZNI. Ndërsa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të drejtën e pronësisë ndërmjet subjekteve të interesuara, projektligji parashikon se ALUIZNI ka të drejtë të lidhë kontratën e shitjes me subjektin e interesuar që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale të pronësisë.
Çmimi i truallit, në bazë të vlerës së tregut
Në këtë projektligj parashikohet edhe përcaktimi i çmimit të truallit që kalon në pronësi të subjektit të interesuar. Për efekt të kompensimit të ish-pronarëve është miratuar harta e vlerës së pronës dhe duke qenë se edhe fondi që do të krijohet do të vihet në dispozicion të këtij procesi, mënyra e përllogaritjes së çmimit të shitjes do t’i referohet kësaj harte. Projekti parashikon që nëse arkëtohet në mënyrë të shpejtë dhe të plotë shuma e vendosur blerësi stimulohet përmes një zbritje të shumës që i detyrohet shtetit. Kjo dispozitë lehtëson mundësinë e pagesës dhe i nxit pronarët e objekteve që të shlyejnë sa më shpejt detyrimet financiare. Drafti i qeverisë ka parashikuar përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat duke mbrojtur shtetin nga pagimi i këtij tatimi. Por ky tatim do të mbahet në rastet kur paguhet nga subjektet private. Gjithashtu projektligji parashikon mbledhjen e tatimeve të prapambetura, sipas rregullave që do të përcaktohen nga ministri i Financave, si dhe parashikon sanksione në rast se personat përfitues nga ky ligj nuk respektojnë kërkesat e ligjit. Këto sanksione shkojnë në favor të ish-pronarëve.
20% ulje të çmimit në rastet kur pagesa bëhet e plotë
Në projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin” parashikohet masa lehtësuese në ndihmë të personave të interesuar për të bërë kalimin e pronësisë së truallit. Kështu në nenin 15 të këtij drafti parashikohet një reduktim në masën 10% të vlerës së truallit në ato raste kur i gjithë detyrimi financiar paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim. Po kështu parashikohet një reduktim të çmimit në masën 20% të vlerës së truallit në ato raste kur detyrimi financiar paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim. Të ardhurat kalojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Nga ana tjetër projektligji parashikon sanksione. Në nenin 17 të këtij drafti shkruhet se në ato raste kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi, trualli vlerësohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimin fizik të ish-pronarëve.
12 Nentor 2009