500 vetë në protestë për të mbrojtur shtëpitë
SHKODËR - Pas disa vitesh heshtjeje, janë rikthyer protestat në rrugë në qytetin e Shkodrës. Rreth 500 banorë që jetojnë në ambientet e ish-divizionit ushtarak protestuan të mërkurën në rrugën kryesore të qytetit duke u ndalur para bashkisë, ku kërkuan anulimin e vendimeve të këtij institucioni lidhur me prishjen e banesave të tyre dhe ndërtimin aty të pallateve. Me parulla në duar, si: “Legalizim – Po, Diskriminim –Jo”, “Poshtë Mafia”, “Po na mohoni të drejtën e jetës”, me megafonë e thirrje proteste ata lëvizën në këmbë nga spitali drejt aksit kryesor të qytetit duke u ndalur tek bashkia e prefektura. Për këtë proteste të paralajmëruar, policia kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve dhe një numër i konsiderueshëm uniformash blu u rreshtuan rreth 1 orë përpara se të vinin protestuesit para bashkisë e prefektures, fakt që tërhoqi vëmendjen, pasi që nga viti 1998 nuk ishte pare që policia të rreshtohej para institucioneve të tilla. Përfaqësues të protestuesve u bënë thirrje qytetarëve shkodranë që të bashkoheshin me ta. “Ne banorët e rinj të Shkodrës, kemi dalë në këtë protestë për mbrojtjen e banesave tona dhe të jetës sonë. Duam stabilitet dhe integrim në shoqëri, por po pengohemi nga një grup njerëzish që kanë humbur çdo ndjenjë njerëzore duke marrë parasysh vetëm pasurimin e tyre”,- ishin disa nga thirrjet e protestuesve. Ish-oficeri Ded Zhivani thotë: “Jemi banorë të vendosur tek ish-divizioni në fillim të viteve ‘90. Tokën ku kemi ndërtuar shtëpitë, e kemi blerë disa herë. Kërkojmë legalizim, por na thonë se shtëpitë do të na prishen”. Më tej Zhivani shprehet se u kanë thënë se në vend të banesave të tyre do të ngrihen pallate, por nuk po merret parasysh se aty tashmë jetojnë qindra familje. Në kohën që zhvillohej protesta, në Bashkinë e Shkodrës zhvillohej mbledhja e radhës e këshillit bashkiak. Kryebashkiaku Lorenc Luka lidhur me problemin me të cilin jashtë godinës së bashkisë po protestohej, sqaroi se problemi i tyre është vlerësuar prej kohësh. Por, vërejti ai, “rasti i trajtimit të këtyre banorëve nuk mund të jetë selektiv, por i bazuar në ligjet e shtetit”. Ndërkohë, tre nga këshilltarët bashkiakë kanë përkrahur protestën e banorëve të ish-divizionit.