E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrjeti i drogës, dy vetë vihen në pranga

OPERACIONI/ Uniformat blu të antidrogës arrestuan mbrëmjen e së martës Dritan Hamollin e Edmond MemellinZbulimi i ditës së transportit të drogës për në kryeqytet u bë pas përgjimeve të telefonave të 31-vjeçarit Hamolli

ELBASAN- Policia vuri dy vetë në pranga ndërsa sekuestroi një sasi prej 247 gramësh lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Arrestimi ndodhi mbrëmjen e së martës rreth orës 22:30, gjatë operacionit të koduar “Skampa”. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohej se një automjet me targa të Tiranës po transportonte drogë drejt kryeqytetit, ku edhe do të shitej. Një gjë e tillë çoi edhe në ndalimin e më pas prangosjen e shtetasve Dritan Hamolli dhe Edmond Memelli.

Operacioni

Informacionet e mbërritura në polici tregonin se dy shtetas do të transportonin një sasi të konsiderueshme kokaine drejt Tiranës. Një gjë e tillë vuri në lëvizje uniformat blu, të cilat nisën operacionin. Rreth orës 22:30 të së martës, në segmentin rrugor të Qafë-Kërrabës ata ndaluan automjetin tip “Pezho”, me targa TR 5077 P. Pas kontrollit të ushtruar rezultoi se në kroskot gjendej një sasi prej 247 gramësh lënde narkotike të dyshuar si kokainë. Si rrjedhojë u arrestua drejtuesi i mjetit, 31-vjeçari Dritan Hamolli, lindur në Pogradec e banues në Babrru të Tiranës, si dhe pasagjeri Edmond Memelli, 41 vjeç, nga Pogradeci. Burimet e policisë bënë të ditur se dyshohej që këta shtetas në kryeqytet kishin edhe tregun e tyre të shitjes së kokainës. Ndaj dy shtetasve u ngrit akuza e “prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”. Tashmë, gjatë hetimeve pritet të zbardhet edhe skema e transportit të drogës, prejardhja dhe destinacioni i saj. Paraprakisht, sipas burimeve policore, korridori i segmentit nacional përdorej shpesh për të dërguar sasi jo të mëdha droge me destinacion tregun e kryeqytetit.

Trafiku

Prej kohësh agjentët ishin duke mbikëqyrur këtë rrjet të qarkullimit të drogës. Mësohet se për këtë qëllim ishin vënë në përgjim telefona të cilët zbuluan edhe rrjetin e lëvizjes së drogës nëpërmjet aksit nacional. Pritet që hetimet e mëtejshme të zbulojnë prejardhjen e lëndës narkotike që dyshohet se kalon nga doganat me Maqedoninë dhe Greqinë për të përfunduar në tregun e përzgjedhur. Fillimisht, blutë bëjnë të ditur se do të realizohet zbardhja e telefonatave dhe llogarisë bankare të 31-vjeçarit Hamolli, që dyshohet se është edhe porositësi i këtij malli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›