E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puset e naftës, banorët protestojnë për rrezikun

TUBIMI

KUÇOVË- Të merren masa për puset e naftës. Kjo ishte kërkesa që grumbulloi dje pranë ndërmarrjes së nxjerrjes së naftës një grup banorësh të qytetit, si dhe të disa fshatrave. Të mbledhur në qendër të qytetit, banorët bënë apel që të merren masa urgjente, pasi puset e naftës vazhdojnë të punojnë pa pasur asnjë lloj sigurie për mbrojtjen nga zjarri, sigurimi teknik dhe veçanërisht, për mbrojtjen e jetës njerëzore. Kryeplaku i fshatit Gegë, i pranishëm në këtë tubim paqësor, u shpreh se për shkak të mosmarrjes së këtyre masave janë gjymtuar fëmijë, kanë ngordhur dhjetëra bagëti e qindra shpendë. Shumë nga banorët thanë se deri më tani nuk është marrë asnjë masë, ndërsa sipas tyre, ditët e fundit ka edhe një shkurtim të numrit të punonjësve të zjarrfikësve, si dhe të automjeteve. Shkak për apelin e bërë nga banorët ishte zjarri i rënë pak kohë më parë në një gropë të grumbullimit të mbetjeve të naftës bruto. Dje, punonjësit e ndërmarrjes së nxjerrjes së naftës pranuan mungesën e rrethimit të puseve, por u shprehën se shkak për këtë ishte mungesa e investimeve nga shteti. Ndërsa shefi i sigurimit teknik tha se në zonat përreth puseve janë ndërtuar pa leje rreth 400 shtëpi dhe këto ndërtime janë bërë pikërisht në një zonë ku ndalohen ndërtimet e shtëpive, si dhe kasollet e bagëtive, për faktin se nuk janë të sigurta. Pranë shtëpive të banimit të ish-ndërmarrjeve dhe të tri lagjeve të qytetit, si dhe në 5 fshatrat e kësaj zone naftëmbajtëse, janë mbi 574 puse nafte, të cilat përbëjnë rrezik për jetën e banorëve, sidomos të fëmijëve, si dhe janë një nga shkaqet kryesore për rënien e zjarreve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›