Edukimi përmes muzikës
Vasil S. TOLE*
Dita më e gjatë e vitit, data 21 qershor, është caktuar nga UNESCO si “Dita botërore e muzikës”. Në këtë ditë, në mbarë botën zhvillohen aktivitete që lidhen kryesisht me muzikën e të gjitha llojeve dhe zhanreve, në natyrë dhe në ambiente karakteristike, si një thirrje ndaj njerëzve që ta njohin dhe t’i shijojnë vlerat e trashëgimisë kulturore, që ka krijuar njeriu. Kjo datë, prej disa vitesh, nën kujdesin e Këshillit të Muzikës Shqiptare festohet edhe në Shqipëri, përmes aktiviteteve të ndryshme si koncerte folklorike (më 21 qershor të çdo viti zhvillohet aktiviteti ndërkombëtar “Përmeti multikulturor”), përkujtimore për artistët e shquar popullorë e ata të kultivuar, e në mënyrë të veçantë përmes veprimtarive që sensibilizojnë forcimin e rëndësisë së edukimit artistik në shkollat tona, kryesisht në arsimin bazë nëntëvjeçar dhe në atë të mesëm. Po cila është gjendja e edukimit përmes arteve në sistemin arsimor?
Janë me dhjetëra arsyet se pse edukimi artistik përmes muzikës nuk ia del që të formësojë sa e si duhet breza fëmijësh e të rinjsh të apasionuar në këtë fushë. Së pari, ende nuk është krijuar modeli se në pikëpamje të edukimit, fëmijët kanë nevojë që të mbështetin formimin e tyre në dy shtylla: në edukimin përmes lëndëve të karakterit shkencor e teknik dhe përmes atyre të formimit shoqëror e artistik. Vihet re një disbalancë në favor të lëndëve të formimit teknik e shkencor, ndaj atyre të edukimit shoqëror e artistik. Përsa i përket edukimit artistik përmes arteve, megjithëse ka një përpjekje për standardizim të kurrikulave artistike, niveli i mësimdhënies dhe ai i teksteve të edukimit muzikor lë shumë për të dëshiruar. Kjo si prej nevojës për të pasur gjithmonë e më shumë edukatorë dhe mësues të trajnuar (kam respektin më të thellë për mësuesit e përkushtuar të muzikës në gjithë Shqipërinë), por edhe për të reflektuar në tekstet e edukimit muzikor gjithë larminë që muzika si art, si traditë, si krijim e interpretim të mund të ndikojë tek ta.
Standardet bashkëkohore në fushën e edukimit muzikor nuk njihen dhe nuk zbatohen në procesin e mësimit të muzikës në shkollat tona. Më lejoni të përmend disa nga rekomandimet që autorët dhe ekzekutuesit e artit dhe të muzikës nga të gjitha vendet e botës, thanë në kongresin e tyre botëror të organizuar nga UNESCO. Të gjitha këto rekomandime janë standarde, ku në mënyrë të veçantë zbulimi, inkurajimi dhe realizimi i çdo talenti të ri shihet me përparësi. Ndër të tjera, i jepet një rëndësi shumë e madhe edukimit artistik dhe mësimit. Statusi thekson se:
-Mësimi i disiplinave të ndryshme artistike duhet të ecë mbi baza të barabarta me lëndët e tjera të sistemit arsimor, duke patur parasysh rolin kyç të arteve dhe të krijimtarisë artistike, si dhe përvojën e zhvillimit fizik, emocional dhe ndjesor të fëmijëve dhe të rinjve.
-Ka dy rrugë që plotësojnë njëra-tjetrën për integrimin e mësimit artistik në procesin mësimor, nga njëra anë duke mësuar disiplinat artistike dhe nga ana tjetër duke përdorur mjete të ndryshme të shprehjes artistike në mësimin e lëndëve të tjera.
-Edukimi artistik duhet të jetë shumëshekullor dhe të mbajë parasysh kulturën në gjithë ndryshueshmërinë e saj dhe t’i qëndrojë çdo përpjekjeje për të vendosur hierarki të formave të ndryshme të shprehjes artistike që u përkasin kulturave të ndryshme.
-Edukimi artistik duhet të jetë i prekshëm kudo në jetë. Duke parë kërkesat e reja që po shfaqen, kërkohen dhe do të vazhdojnë të kërkohen zhvillime të rregullta dhe reforma të arsimit artistik.
-Do të ndërtohet nga UNESCO-s një rrjet ndërkombëtar për përhapjen, diskutimin dhe rifreskimin e herëpashershëm të të rejave mbi “eksperimentet e suksesshme”.
Me keqardhje konstatojmë se asgjë nga sa shkruhet më sipër nuk perceptohet në ambientet arsimore, që synojnë edukimin artistik përmes muzikës. Një histori më vete është çështja e teksteve të edukimit muzikor që janë në qarkullim në shkollat tona. Të lëna jashtë vëmendjes së profesionistëve të fushës dhe të institucioneve kryesore muzikore të vendit, përmes praktikave dhe mënyrave amatoreske dhe jo transparente të hartimit dhe aprovimit të tyre nga ana e Komitetit i Miratimit të Teksteve i ngritur pranë MASH-it, me keqardhje vëmë re se në to mund të gjesh gjithçka, por muzikën e vërtetë dhe edukimin që rrjedh prej saj nuk mund ta gjesh. Megjithëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejta dhe standarde për edukimin e shqiptarëve, politikat klienteliste në këtë fushë prej gati 10 vjetësh e kanë zhytur në kolaps mundësinë që fëmijët të edukohen përmes muzikës.
Më tej, për të ritheksuar rëndësinë e edukimit artistik përmes muzikës, Këshilli Ndërkombëtar i Muzikës/IMC (që është organizata globale e organizmave të specializuara muzikore dhe e ekspertëve, të cilët punojnë në fushën e muzikës), i krijuar në vitin 1949 nga UNESCO, promovon diversitetin muzikor dhe mbështet të drejtat kulturore muzikore për të gjithë njerëzit. Ky këshill, përmes programit të “Forumit të III-të botëror të muzikës”, mbështet përhapjen e pesë të drejtave muzikore bazë, në të gjitha vendet e botës. Ato janë:
-të drejtën që kanë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët që të shprehen muzikalisht me lirinë e mundshme të shprehjes.
-të drejtën që kanë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët që të mësojnë gjuhën dhe aftësitë muzikore.
-të drejtën që kanë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët për të patur akses tek zhvillimet muzikore përmes pjesëmarrjes, dëgjimit, krijimit dhe informimit.
-të drejtën për artistët e muzikës që të zhvillojnë artin e tyre përmes të gjitha mediave, me lehtësitë e duhura në dispozicion
të tyre.
-të drejtën për artistët e muzikës që të sigurojnë njohjen dhe shpërblimin për veprën e tyre muzikore.
Për cilën nga këto të drejta flitet sot në Shqipëri në sistemin e edukimit muzikor? Për cilën nga këto të drejta është hartuar qoftë edhe një udhëzim i thjeshtë nga ana e instancave përkatëse shtetërore të edukimit për t‘i zhvilluar në kushtet e Shqipërisë? Cilat janë çmimet dhe vlerësimet që janë dhënë ndonjëherë për ato institucione ose ata mësues të cilët punojnë me zell e përkushtim për njohjen e tyre? Cili nga tekstet aktuale të edukimit muzikor që është aprovuar zyrtarisht në Shqipëri flet dhe edukon përmes këtyre standardeve?
Këto janë pyetje që duan përgjigjen e tyre dhe që sot më 21 qershor, në “Ditën botërore të muzikës”, kanë të drejtë që të theksohen me zë të lartë prej kujtdo që nuk ka pasur mundësinë që ta ketë pasur muzikën pranë tij në jetën e vet. Së fundi, më kujtohet një poezi e Shekspirit, i cili thotë:
Ai njeri që s’ka muzikë mu në shpirt
Dhe që bashkim i ëmbl’i i zërave nuk e trondit
Ësht i pabesë dhe gati për gracka dhe plaçkitje
Lëvizj’ e mendjes tij si nata ësht’ e ngrysur
Edhe ndjenjat i ka t’errëta si Erebi”
Të mos i zini besë një t’atilli
Gëzuar 21 qershorin, “Ditën botërore të muzikës”!
*Muzikolog, akademik