E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga Ajatollahu tek shtrigat, një histori politike e Iranit

09-06-2011 / Gazeta 55

Mahmoud Ahmadinejad ka bërë gabimin që e bëjnë të gjithë presidentët iranianë: ka sfiduar autoritetin e liderit suprem të vendit, ajatollahut Ali Khamenei. Ai e ka të shkruar të bjerë. Sfida e Ahmadinejadit është një prej atyre që janë pjesë e parashikueshme prej politikës iraniane që tashmë ka nisur të njihet edhe si “simptoma e presidentit”. Kjo buron nga një besueshmëri e presidentit që si një lider popullor i zgjedhur, ai nuk duhet të frenohet nga lideri suprem. Por historia e republikës islamike është e mbushur me përpjekje të presidentëve që kanë dështuar t’ia dalin me konsolidimin e qendrës së pushtetit. Fatkeqësisht, autoriteti hyjnor e lë në hije autoritetin politik. Ky autoritet i dyfishtë është i mishëruar në kushtetutën e Republikës Islamike dhe pashmangshmërisht anon nga autoriteti hyjnor, sidomos karshi një presidenti në mandat të dytë. Ahmadinejadi nuk bën përjashtim prej këtij rregulli. Në fakt, ai e ka vuajtur më shumë se paraardhësit, ndaj më shpejt po shuhet edhe ylli i tij. Me fjalë të tjera, zgjedhjet kundërthënëse presidenciale të qershorit të vitit 2009 dhe kriza politike që pasoi dëmtuan në mënyrë të riparueshme legjitimitetin demokratik të Ahmadinejadit. Khamenei ishte detyruar ta përdorte autoritetin e tij për ta mbështetur presidentin dhe në mënyrë sistematike ka dënuar “Lëvizjen e gjelbër” që kundërshtoi rizgjedhjen e Ahmadinejadit. Si rezultat i kësaj, Ahmadinejadi është bërë presidenti më i kushtueshëm për Khamanein deri më sot, pasi ai e detyroi ta përdorte forcën supreme kundër të njëjtit armik – një lëvizje që zbehu edhe autoritetin dhe reputacionin e tij.
Vetë Ahmadinejadi, megjithatë, përgjithësisht ka injoruar kizën e paszgjedhjeve me deklaratat e tij, dhe kishte menduar se mbështetja e liderit suprem do të thoshte se e kishte përkrahjen për avancimin e fuqive të tij tradicionale të pushtetit. Në fakt, Ahmadinjeadi në mënyrë të vazhdueshme ka nënvlerësuar parlamentin dhe ka shkarkuar ministra të lidhur ngushtë me Khamenein, sikurse ministrin e Jashtëm, Manouchehr Mottakiin, dhe ministrin e Inteligjencës, Heydar Moslehin. Prejse është bërë lider suprem para 22 vjetësh, Khamenei ka qenë relativisht i dobët, por ia kishte dalë ta zhvendoste dobësinë në zyra të tjera të larta të Republikës Islamike. Më e rëndësishmja është se ai ia ka dalë të mbante të dobët autoritetin e presidentëve, pavarësisht prej popullaritetit të agjendave të tyre. Pra, tani kur kërcënimi prej Lëvizjes së gjelbër është zhdukur – së paku në sytë e Khameneit – ka ardhur koha për t’i kërkuar llogari Ahmadinejadit. Të dy burrat po punojnë me mish e me shpirt për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të marsit të vitit pasues, sikur edhe për zgjedhjet presidenciale të vitit 2013. Dhe Khamenei ka vendosur t’i heqë dorashkat. Ai u ka lejuar shefave të tij të propagandës ta sulmojnë në mënyrë të vazhdueshme Ahmadinejadin dhe shokët e tij, duke i portretizuar ata si njerëz që në parim nuk besojnë në parimin e drejtësisë shiite, që është themeli mbi të cilin ishte bazuar themeluesi i Republikës Islamike, ajatollahu i madh, Ruhollah Khomeini.
Sipas qasjes zyrtare, Ahmadinejadi dhe rrethi i tij kanë mungesë arsyetimi dhe urtësie; në të vërtetë thuhet se ata janë në prag të daljes prej rrugës së Zotit. Madje ka thashetheme se disa prej tyre iu kanë kthyer magjistareve për t’i thirrur shpirtrat përtej varrit, dhe se Ahmadinejadit i është vendosur një kontakt me imamin e fshehur (i dërguari shiit).
Ndryshe, drejtësia nën kontrollin e Khameneit ka akuzuar zëvendëspresidentin Mohammad Reza Rahimi për prirje një ekonomie mafioze, dhe shumë prej aleatëve të Ahmadinejadit janë arrestuar ose janë nën hetime. Ka shumë mundësi që Këshilli Mbrojtës, i cili mund të vërë veto legjislacionit dhe kandidatëve të zgjedhjeve, do ta përdorë fuqinë e vet për ta prishur baraspeshën në të mirë të kritikëve konservatorëve të Ahmadinejadit. Lideri e kampit anti-Ahmadinejad, vëllezërit Ali dhe Sadeq Larijani, të cilët i prijnë parlamentit dhe drejtësisë, do ta ndihmojnë Khamenein ta largojë presidentin nga qendra e vëmendjes. Por meqë Khamenei nuk mund ta pranojë një fraksion të vetëm dhe të bashkuar politik, është jashtëzakonisht e pabesueshme se ai do të lejojë kampin Larijani (ku përfshihet edhe kryetari i Teheranit, Mohammad Baqer, dhe ish-ministri i Jashtëm, Ali Akbhar Velayati) të bëhen aq të fuqishëm sa t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Khamenei me gjasë do ta krijojë një fraksion të ri për të garuar karshi konservatorëve pas rënies së Ahmadinejadit. Kjo mbase do ta detyrojë atë të zgjedhë një fytyrë të re për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, dikush që ka pak përvojë me politikën e brendshme dhe shumë pak ndikim në jetën e njerëzve. Një kandidat i mundshëm është Said Jalili, negociatori i tanishëm i programit bërthamor, ose dikush si ai. Vetëm ata që kanë të kaluar të pasur në inteligjencë ose në Gardën revolucionare, duhet të aplikojnë. Duke pasur kontrollin e plotë mbi drejtësinë, aparatin e inteligjencës dhe ushtrinë, Khamenei duket i pakapërcyeshëm karshi të gjitha fraksioneve politike ose zyrtarëve të zgjedhur. Kjo do ta çojë regjimin drejt një shtegu autokratik, duke zbatuar më shumë masa agresive brenda vendit dhe duke e sfiduar Perëndimin me më shumë vetëbesim. Por përqendrimi i pushtetit në duart e liderit suprem përbën kërcënime për Republikën Islamike. Kur të vdesë Khamenei, nuk do të ketë pasues të fortë dhe të qartë. Dhe, meqë ai sistematikisht ka dobësuar institucionet politike të Iranit, që vetë Republika Islamike të vijë në gjendje të identifikohet me personalitetin e tij, mungesa e tij do të krijojë vakum. Fuqia e tij sot parashikon më shumë paqartësi në të ardhmen e Iranit.
Marrë nga "Koha Ditore"

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›