55 vjeç Halit Shamata
Shkrimtari, publicisti dhe politikani kremton sot 55-vjetorin e lindjes, ndërkohë që drejtori dhe stafi i gazetës kanë kënaqësinë t’i urojnë mikut të redaksisë ditën e shënuar, duke e falenderuar për kontributin e dhënë në përpjekjen tonë të përbashkët për dekomunistizimin e shoqërisë sonë dhe ngritjen e institucioneve të forta të një shteti që aspiron ta çojë vendin në Bashkimin Evropian
Gazeta “55” ka kënaqësinë të urojë sot shkrimtarin dhe politikanin Halit Shamata në 55-vjetorin e tij të lindjes. Si rrallëherë janë bashkuar në këtë rast dy “55”-sa, ai i përvjetorit dhe urimi i gazetës tonë. Drejtori dhe stafi i gazetës “55” e urojnë publicistin për përvjetorin dhe e falenderojnë për kontributin e dhënë në përpjekjen tonë të përbashkët për dekomunistizimin e shoqërisë sonë dhe ngritjen e institucioneve të forta të një shteti që aspiron ta çojë vendin në Bashkimin Evropian.
Halit Shamata u lind në qytetin e Kavajës më 28 gusht 1954. Pas arsimit fillor e të mesëm në qytetin e lindjes, rrugën e dijes e vazhdoi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, duke u diplomuar për gjuhë- letërsi. Me mbarimin e arsimit të lartë, më 1977 emërohet arsimtar në Rrethin e Tropojës. Detyrën e mësuesit e vazhdon më pas në Rrethin e Kavajës. Me fillimin e proceseve demokratike është anëtar i Partisë Demokratike dhe një prej figurave kryesore të kësaj partie.
Nga viti 1993 ai është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Më 1997-2001 dhe nga viti 2005 është anëtar i Kryesisë së PD-së.
Halit Shamata është zgjedhur dy herë deputet i Kavajës në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e 22 marsit 1992 dhe 26 majit 1996. Po ashtu ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit 1997 dhe 24 qershorit 2001. Vlen të përmendet se kandidimi i tij i fundit për deputet është komentuar gjatë për shkak të manipulimeve të paimagjinueshme që ndodhën. Në legjislaturën 1992-1996, Shamata ishte kryetar i komisionit kuvendor të ligjeve, ndër më të vlerësuarit në atë kohë edhe për shkak të reformave të gjithanshme që ndërmori qeveria demokratike.
Po ashtu në politikë Halit Shamata ishte në vitet 1996-1997 si ministër i Brendshëm, duke u shquar për ndershmëri e profesionalizëm. Përveç të tjerash, në këto vite të angazhimit politik, Halit Shamata provoi edhe përndjekjen politike që prodhoi rebelimi komunist i 1997-s.
Me fitoren e Partisë Demokratike në 3 korrik 2005, Halit Shamata u emërua me vendim të Këshillit të Ministrave, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, detyrë që e kryen aktualisht.
Botime të Halit Shamatës:
-“Autograf”, poezi, 1990
-“Tatuazh”, poezi, 1995
-“Moshë e pakohë”, poezi, 1997
-“99 paradokse”, poezi, 1999
-“Dyer të paputhitura”, roman, 2001
-“Dy dorëshkrime”, roman, 2004
-“E kuqja është blu”, 2005 (poezi nga Sanguineti) bashkautor
-“Një vit i brishtë”, roman 2009
Botime për fëmijë:
-“Përralla italiane”, përkthim 2005
-“Princi kanarinë”, përkthim, 2005
-“Përrallat më të bukura”, përkthim 2006